Ballsh; Automjeti del nga rruga, aksidentohet familja, vdes fëmija 5 muajsh
Një fëmijë vetëm pesë muajsh ka humbur tragjikisht jetën, kurse prindërit e tij të traumatizuar janë përballur me skenat e tmerrit, ndërsa dhe vetë janë lënduar në aksidentin fatal. Ngjarja ka ndodhur dje në orën 07:30, te vendi i quajtur “Kthesa e Greshicës” në rrugën kombëtare Ballsh-Tepelenë. Burime policore të policisë së komisariatit të Ballshit bëjnë të ditur se Dashnor Boraj, së bashku me të shoqen Anila, vajzën 5-vjeçare dhe djalin pesë muajsh, Paolo, ishin duke ardhur nga Greqia për në banesën e tyre në Ballsh. Familja emigrante, ndërsa po udhëtonte me një automjet tip Alfa Romeo, pësoi tragjedinë kur makina foli nga rruga për shkak të humbjes së kontrollit nga drejtuesi. Policia në vendngjarje tha se vdekja e fëmijës erdhi pasi fëmija ndodhej në prehrin e nënës dhe nga tronditjet që erdhën në përpjekjet për frenim gjatë daljes nga rruga, u përplas me pjesën ballore të makinës duke marrë plagë fatale. Policia tha se ka nisur hetimet për ngjarjen. Ajo hedh dyshime për mungesë të masave të sigurisë nga prindërit, pasi fëmijët e vegjël duhet të mbahen në sedilje të posaçme për ta. Gjithsesi, ngjarja pikëlloi shumë çiftin që përjetoi skenat e dhimbshme, ndërkohë që nëna e re u dërgua në spitalin rajonal të Fierit tejet e traumatizuar.