E Hënë, 2 Nëntor 2026

613 qytetarë dorëzojnë formularët e legalizimeve

23/05/2005  Korçë - Rreth 613 banorë të qytetit të Korçës, kanë dorëzuar pranë zyrës së urbanistikës, formularët për ndërtimet e paligjshme, duke pritur tashmë nëse do të kenë fatin e mirë ose jo, të legalizimit. Aktualisht, ky proçes konsiderohet i mbyllur, por gjithsesi, derën e kanë të hapur edhe të gjithë ata që nuk kanë patur kohën e mjaftueshme. Kjo ka qënë deklarata e shefit të urbanistikës në bashkinë e Korçës, Dritan Pollo, i cili sqaroi për gazetën “Metropol” se, “tashmë po punohet mbi formularët e dorëzuar për të përcaktuar zonat informale, shtrirjen e tyre, problemet që dalin dhe zgjidhjet që kërkohen”. Puna e kryer mbi bazën e 613 formularve të dorëzuar, ka nxjerrë në pah se në qytetin e Korçës ndërtimet e paligjshme shtrihen në 7 zona. Dhe konkretisht, sipas zyrës së urbanistikës, deri tani janë evidentuar 30 ndërtime pa lejë në zonën e ish-Fabrikës së Qelqit, 26 tek rruga e Voskopojës, 29 tek rruga e Ravonikut, 123 tek rruga e Ersekës, 62 tek rruga e Bilishtit dhe 2 zona informale tek ish-SMT-ja me 84 ndërtime, ndërsa pjesa tjetër, është e shpërndarë në gjithë qytetin e Korçës. Të njëjtat burime pohuan për gazetën tonë se, ndërtimet e paligjshme, në pjesën më të madhe të tyre, e zënë shtesat në sipërfaqe, por edhe në lartësi, pa përjashtuar dhe ndërtimin e apartamenteve të plota, të ngritura sipër pallateve ekzistuese. Në përgjithësi, shtesat në sipërfaqe dhe lartësi, kanë qënë të imponuara nga mungesa e strehimit në këtë qytet, por edhe nga mungesa e shtetit në situata të caktuara. Korça zë vëndin e parë për numrin e të pastrehëve në shkallë vendi. Tashmë, zyra e Urbanistikës në Bashkinë e Korçës, po studion çdo rast në veçanti, duke i parë në këndvështrimin e plotësimit të kushteve inxhinierike, arkitektonike, sizmike dhe urbanistike, në lidhje me planin rregullues të qytetit të Korçës. Gjithsesi, ende është shpejt të thuhet se cilat ndërtime mund të mos kenë fatin e legalizimit, sqaroi Pollo. Ky studimi do të jetë më i plotë, pasi të jenë parë të 613 rastet e paraqitura përmes formularëve. Në lidhje me këtë studim, është vjelë edhe mendimi i specialistëve në fushën e ndërtimit, me qëllim për të dalë në një përfundim që do të ishte jo vetëm në interes të të interesuarve, por edhe të komunitetit që jeton përreth këtyre ndërtimeve. Njëkohësisht, u pohua se ky studim do të shihet edhe nga Instituti i Urbanistikës për të dhënë vendimin përfundimatar. Deri atëherë qytetarët duhet të presin për të parë se ç’fat do të kenë.

613 formularë të dorëzuar për legalizim

7 zona janë cilësuar si informale

30 ndërtime pa lejë në zonën e ish-Fabrikës së Qelqit,

26 ndërtime tek rruga e Voskopojës

29 ndërtime tek rruga e Ravonikut

123 ndërtime tek rruga e Ersekës

62 ndërtime tek rruga e Bilishtit

2 zona informale tek ish-SMT-ja me 84 ndërtime

Flet inxhinieri Spiro Damo, për legalizimet e shtesat e paligjshme të pallateve të vjetër

Shtesat e kateve, “mina me sahat”

KORÇE – Në përfundim të fazës së parë të procesit të legalizimit ka rezultuar se Korça, duke qënë qyteti që zë vendin e parë në republikë për numrin e madh të të pastrehëve, ka qënë i përfshirë nga një fluks i madh ndërtimesh pa leje. Ndërtimet e paligjshme në rrethin e Korçës përfshijnë një gamë të gjërë, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me objekte të plota, por mbi të gjitha me shtesa katesh në pallatet e vjetër, si dhe me zgjerim të tyre. Rreth rrezikshmërisë që paraqisin këto ndërtime për komunitetin dhe se çfarë do të ndodhë me legalizimin e tyre, ka folur për gazetën “Metropol“, një nga specialistët me mjaft përvojë në fushën e ndërtimit, inxhinierin, Spiro Damo.

Cilët kanë qënë faktorët që sollën ndërtimet e paligjshme në Korçë?

Mendoj se shtesat e kateve në pallatet e vjetër, të ndërtuar vite më parë, janë kushtëzuar nga dy faktorë. Së pari nga nevoja për strehim, një fenomen ky që do të na shoqërojë për shumë kohë dhe së dyti, janë ligjet që kanë shoqëruar vitet e tranzicionit dhe sidomos ato ligje dhe akte nënligjore, që përbëjnë paketën ligjore të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Të ç’natyre kanë qënë shtesat në pallate?

Në pjesën më të madhe, shtesat kanë qënë të natyrës së zgjerimit në sipërfaqe për t’i shtuar sipërfaqes ekzistuese, një apo dy ambjente, por ky fenomen është shoqëruar edhe me shtesat në lartësi, me ngritjen e një kati apo edhe më tepër, për krijimin e apartamenteve të plota me qëllim për të siguruar strehimin e kurorave të reja. Por, si shtesat në lartësi dhe ato në sipërfaqe, kanë ndikim negativ në strukturën e ndërtimit të pallatit të vjetër.

Ju keni punuar në Policinë e ndërtimit, me çfarë problemesh jeni hasur kryesisht në punën tuaj?

Shumica e ndërtimeve të paligjshme, gjendet në qytetin e Pogradecit dhe në atë të Korçës. Në mjaft raste shtesat e pallateve janë bërë me lejë nga KRRT e bashkisë, ç’ka do të thotë se, projektuesi ka siguruar të dhëna të plota për objektin ekzistues, për karakteristikat e truallit. Këto raste nuk përbëjnë objekt të ligjit për legalizimet. Shqetësim mbeten shtesat që u janë bërë pallateve të vjetër, si për shtesat anësore dhe për ato në lartësi.

Pse e nënvizoni kaq shumë këtë fakt?

Së pari, janë ndërtuar fshehurazi duke shfryëzuar situatën e mungesës së shtetit. Si ndërtime të tilla, janë bërë pa asnjë lloj studimi, pa projekte të llogaritura dhe të papërshtatura me me konstruksionin e pallatit ekzistues dhe të truallit. Më konkretisht, janë evidentuar shtesa ballkoni me 4-5 kate me shtrirje horizontale që shkon deri në 1 m, dhe në çdo kat janë lidhur hekurat e soletës së re me ato ekzistuese, kur dihet që soletat ekzistuese të pallateve, janë ose me tulla “sapp”, ose të parandera. Të dy rastet realizohen me hekur 05 dhe me brez betonarme në konturet e ndërtesës. Brezi beton armaturë realizohet me një seri hekuri konstruktiv në rolin e brezit antisizmik. Nga ana tjetër, vetë gjerësia ku zhvillohet shtesa në krahasim me lartësinë, nuk siguron qëndrueshmëri në vetvete, si rezultat i uljeve që pëson ndërtimi, në një kohë kur ndërtimi i vjetër e ka realizuar në një masë të madhe uljen. Në këto kushte, shkaktohet një forcë e madhe shkatërruese në lidhje.

Po për ndërtimin e kateve shtesë, ç’mund të na thoni?

Zakonisht, soleta e fundit e pallateve realizohej me soleta të parandera, nuk vendoseshin soleta të ndërkateve, ku ngarkesat ishin të llogaritura, por soleta të taracës, të cilat ishin më të lehtësuara nga hekurat. Pra, kjo soletë nuk mund të përdoret për soletë ndërkati. Për rrjedhojë, edhe këto lloj ndërtimesh janë të rrezikshme.

Atëherë ç’duhet bërë me këto lloj ndërtimesh?

Për mendimin tim, këto ndërtime nuk duhet të legalizohen, por të prishen, pasi janë bombë me sahat për komunitetin që banon aty, por edhe për komunitetin që qarkullon pranë këtyre shtesave. Për mendimin tim, ligji duhet të ketë parasysh që jo çdo ndërtim pa lejë që plotëson kushtet urbanistike apo arkitektonike, duhet të legalizohet, këtë të drejtë duhet ta kenë ato objekte që plotësojnë kushtet konstruktive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›