E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kufiri tokësor, porta e trafikut të klandestinëve

23/05/2005  Fëmijë, prostituta, emigrantë dhe persona me dokumente fallso kalojnë në pikat kufitare

Korçë - Vetëm gjatë një viti, numri i personave të implikuar në veprat penale të trafikimit të femrave, të të miturve, por edhe të klandestinëve, së bashku me falsifikatorët që ndihmojnë këtë veprimtari të paligjshme, shkon në gati 200 persona, ndërkohë që rreth 170 fëmijë, kryesisht romë dhe egjyptianë, rezultojnë si viktima të trafikut, për qëllime shfrytëzimi si lypsarë. Ky është vetëm numri i atyre që kapen nga uniformat blu, kanë sqaruar për gazetën “Metropol”, burime të policisë Korçë. Përgjatë gjithë viteve të tranzicionit, kufiri tokësor mes Shqipërisë dhe vendeve fqinj, ka shërbyer si portë për trafikimin e femrave për shfrytëzim prostitucioni dhe trafikimin e të miturve. Për vetë pozicionin gjegrafik të Qarkut Korçë, gjithë gjatësia e vijës kufitare, është shfrytëzuar për këtë qëllim, ndërsa burime zyrtare, bëjnë të ditur se, trafikimi i qënieve njerëzore gjatë viteve të fundit, ka ardhur duke u rritur. Vetëm gjatë vitit të kaluar, nga policia e këtij Qarku janë arrestuar 22 persona, të cilët kanë qënë të implikuar në 12 vepra penale, të shfrytëzimit të femrave për prostitucion. Krahas trafikimit të femrave, ky fenomen mbetet po kaq i rrezikshëm edhe për trafikimin e të miturve. Burime të policisë, sqarojnë se një vit më parë u evidentuan gjithsej 35 vepra penale me 54 autorë, duke përfshirë këtu edhe trafikimin e të miturve. Nga policia e Qarkut Korçë, janë goditur disa trafikantë, të cilët i janë dorëzuar organeve të drejtësisë, por ende ky fenomen paraqet rrezikshmëri për jetën e fëmijëve dhe të femrave. Në këtë kuadër, për integrimin e fëmijëve të trafikuar, janë ngritur klasa të veçanta për trajtimin e tyre në Korçë, Maliq dhe në Pogradec. Nga takimet e Këshillit të Qarkut Korçë, rezultoi se 170 fëmijë, kryesisht romë dhe egjyptianë, trajtohen me këto forma. Ky fakt është bërë i njohur përmes statistikave policore, por edhe nga Këshilli i Qarkut Korçë, i cili ka ndërmarrë një sërë takimesh me të rinjtë, në bashkëpunim me policinë, njësitë e qeverisjes vendore, OJF, dhe institucionet e tjera për të parandaluar këtë fenomen kriminal. Në përfundim të këtyre takimeve, është dalë në përfundimin se, përveç vijës kufitare, nga trafikantët e qënieve njerëzore, shfrytëzohen edhe vendkalimet kufitare nëpërmjet dokumentave të falsifikuara. Në këto rrethana, rrjeti i këtij trafiku në bashkëpunim me falsifikatorët e dokumentave zyrtarë, është shfaqur në formën e tij më të organizuar. Sipas burimeve zyrtare policore, gjatë vitit 2004, janë evidentuar 84 vepra penale, vetëm përsa u përket falsifikimeve, në të cilat kanë qënë të implikuar 110 autorë, ç’ka tregon qartë se ç’përmasa ka marrë falsifikimi i dokumenteve, të cilat i hapin rrugën për të kaluar kufirin gjithë personave të inkriminuar.

200 persona te arrestuar për trafiqe të paligjshme

22 persona, të implikuar në shfrytëzimin e prostitucionit

84 vepra penale vetëm përsa u përket falsifikimeve

110 autorë kanë qënë të implikuar në falsifikime

54 autorë të përfshirë në trafikimin e të miturve

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›