E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bombë me sahat

24/05/2005  Një krizë në Uzbekistanin e largëm kumbon në të gjithë botën. Një tjetër Luftë e Ftohtë? Ende jo, por kjo mund të fillojë të ndihet e tillë, sidomos nëse udhëheqësit e tjerë autoritarë të rajonit marrin shembull nga Andixhani, kur të kërkojnë të përballen me opozitat e tyre

Në fund të javës së kaluar, kreu i Shërbimit Federal të Sigurimit në Rusi, Nikolai Patrushev, shpalli luftë kundër “spiunëve të huaj”, që operojnë nën mbulesën e OJQ-ve perëndimore. Kryengritja në Andixhan ishte e fundit e një serie përpjekjesh, që kanë për qëllim të dëmtojnë Rusinë dhe aleatët e saj, tha Patrushev. Ata duhen ndalur – “në interes të sigurisë sonë shtetërore”

Njeriu i fortë i Uzbekistanit qëndron në majë të një piramide të mbështetur në një prej makinave represive më të fuqishme të sigurisë në rajon. Ndryshe nga Gjeorgjia, Ukraina apo Kirgistani, nuk ka opozitë të organizuar në Uzbekistan

Uzbekistani është i qetë, për momentin. Por dhuna, që tronditi qytetin lindor të Andixhanit, po jehon në shumë vende të tjerë. Në kryeqytetin Tashkent, Presidenti autokrat i Uzbekistanit, Islam Karimov, është e qartë se shpreson që taktikat e tij të dorës së fortë do ta ndihmojnë që të mbajë pushtetin. Moska (për të mos përmendur liderë në vende të tillë si Bjellorusia) është e shqetësuar për ndonjë revolucion tjetër postsovjetik, në gjurmët e Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Liderët perëndimorë janë të ndarë më dysh. Ata nuk kanë asnjë zgjedhje tjetër, përveçse të dënojnë represionin e diktatorit. E megjithatë, kanë frikë për atë që do të ishte zëvendësuesi i tij.

Ka kaluar më shumë se një javë që nga mëngjesi i përgjakur i të premtes së 13 majit, dhe ende është e paqartë se çfarë ndodhi saktësisht. Natën e mëparshme, thotë një gazetar i Radio Liberty, që ka qenë në vendngjarje, Andrei Babitsky, afro 100 protestues të egërsuar shpërthyen burgun vendas dhe liruan 23 të burgosur politikë. Deri në mëngjes herët, qytetarët e Andixhanit kishin dalë të gjithë në shesh – afro 10 mijë, sipas raportimeve të ndryshëm. Por, kur turmat nisën të pushtojnë ndërtesat qeveritare, forcat e sigurisë nisën të qëllojnë kundër tyre me mitralozë të rëndë të vendosur mbi makina ushtarake. Snajperët nisën të godasin nga majat e çative, ndërkohë që një helikopter vinte vërdallë mbi kryet e protestuesve. Karimov mohoi me zemërim që të ketë urdhëruar masakrën, duke pretenduar se vetëm 169 vetë kishin vdekur gjatë incidentit, prej të cilëve 32 ishin policë. Por, ndërkohë, grupet ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut nisën të flasin për një numër nga 450 në 700 e madje deri në 1000, mes të cilëve edhe shumë gra e fëmijë. Dëshimtarët u thanë vëzhguesve të Institutit për Gazetarinë në Luftë & Paqe, një OJQ me qendër në Londër, se si ushtarët më pas kishin lëvizur nga trupi në trup në sheshin qendror, duke ekzekutuar të plagosurit. Edhe shumë orë më vonë, vizitorët në skenën e ngjarjes përshkruanin një tablo të tmerrshme gjaku dhe pjesë trupash të shpërndarë nëpër shesh dhe rrugët që çojnë drejt tij. Një mjek patolog i qytetit kishte numëruar afro 500 trupa në shkollën numër 1 në qytetin e vjetër, të ruajtur nga ushtarë të armatosur.

Ciladoqoftë e vërteta, të shtënat e Andixhanit janë duke jehuar nëpër të gjithë Azinë Qendrore dhe më tej. Nga Uashingtoni, në Bruksel, në Moskë – për të mos përmendur Kirgistanin, Taxhikistanin dhe Kazakistanin fqinjë – qeveritë janë në pritje për të parë nëse kryengritja do të zgjerohet. “Nëse është ashtu si thuhet, pra që ka ndodhur një masakër, atëherë ky është fillimi i fundit për Karimovin”, thotë Zeino Baran, drejtor i programeve të sigurisë në Qendrën “Nikson” në Uashington. Ai mendon se do të ketë rritje të dhunës në javët e ardhshme. Kështu mendon edhe Leonid Ivashov, një gjeneral rus në pension dhe zëvendëspresident i Akademisë Ushtarake Ruse për Problemet Gjeopolitike në Moskë. “Ky ishte një rebelim i armatosur i mirëfilltë”, thotë ai. Ata që e planifikuan kërkonin pikërisht një përgjigje me grusht të hekurt nga qeveria, shton ai, duke lënë të kuptohet se mungesa e popullaritetit të Presidentit Karimov, sidomos mes të rinjve, do ta bëjë që ai ta ketë shumë të vështirë që ai të vazhdojë normalisht, siç ndodhi me qeverinë kineze, pas masakrës së Tienanmenit, në 1989. “Karimov nuk ka asnjë zgjedhje tjetër, përveçse të përpiqet të ndreqë gabimet sociale”, thotë Ivashov. “Eshtë e pamundur të ndreqet situata me përdorimin e ushtarëve dhe policëve”.

A do t’i shohë gjërat në këtë mënyrë presidenti? Ekspertët thonë se ai do të priret nga brutaliteti. Njeriu i fortë i Uzbekistanit qëndron në majë të një piramide të mbështetur në një prej makinave represive më të fuqishme të sigurisë në rajon. Ndryshe nga Gjeorgjia, Ukraina apo Kirgistani, nuk ka opozitë të organizuar në Uzbekistan. Zgjedhjet janë gjithnjë të manipuluara dhe nuk ka shtyp të lirë. Radiot e huaja nuk lejohen, telefonat përgjohen rregullisht, disidentët ndiqen dhe truket e pisët që përdorte dikur KGB, si përndjekja politike, gjyqet e trilluar dhe torturat, përdoren vazhdimisht, sipas Craig Murray, ish-ambasador i Britanisë së Madhe në Tashkent, i cili pretendon që në Uzbekistan të ketë 10 mijë të burgosur politikë dhe fetarë. Ai vetë u lirua nga detyra prej shefave të tij në Londër, pasi deklaroi publikisht se dy të burgosur të tillë ishin rrahur për vdekje nga policia uzbeke në tetor 2002.

Kuptohet, Uzbekistani është një aleat i pakëndshëm – megjithatë ai renditet mes vendeve miq si të SHBA, ashtu edhe të Rusisë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, tha se Uashingtoni ishte “thellësisht i shqetësuar për lajmet lidhur me zjarrin kundër turmës”. Megjithatë, Uashingtoni nuk preferoi të marë asnjërën anë. Pas 11 shtatorit 2001, administrata e Bushit vendosi një partneritet strategjik me Karimovin, duke hedhur 500 milionë dollarë amerikanë për një bazë ushtarake në Uzbekistanin e jugut, në përgatitje për operacionet në Afganistan si dhe duke paguar afro 60 milionë dollarë në ndihmë ushtarake dhe trajnime.

Mbi të gjitha, Uashingtoni shqetësohet për atë se cili mund të zëvendësojë Karimovin. Skenari i makthit: përmbysje nga ana e militantëve islamikë antiamerikanë, shumë prej të cilëve janë aktivë në të famshmen Luginë Fergana. Pati pak prova për të mbështetur pretendimet e regjimit të Karimov, që rebelimi në Andixhan ishte vepër e ekstremistëve islamikë; dëshmitarët thonë se pati pjesëmarrje të lartë qytetare. E, megjithatë, kjo nuk i zbehu frikërat e një revolucioni tip islamik, as në Tashkent, as në kryeqytetet e huaj. “Këto nuk janë demonstrime si ato që pamë në Gjeorgji apo në Liban. Këta ishin njerëz të armatosur që pushtonin burgje. Ne njohim të drejtën e Uzbekistanit për t’u përballur me kërcënimin terrorist”, thotë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, që shton: “Nuk duam që të largohemi dhe ta lëmë Uzbekistanin të kthehet në një Afganistan të dytë”.

Ky është njëkohësisht edhe shqetësimi i Moskës. Ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, deklaroi javën e kaluar se radikalët myslimanë të lidhur me talebanët, qëndronin pas kryengritjes në Andixhan, dhe bëri të qartë se Rusia mbështet përdorimin e forcës nga ana e forcave uzbeke të sigurisë. Udhëheqës të tjerë rusë shkuan edhe më tej, duke thënë se ngjarjet në Andixhan mbështeteshin jo vetëm nga rrjetet ndërkombëtarë të terrorizmit, por edhe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kërkojnë të destabilizojnë Rusinë dhe kufizojnë ndikimin e saj në rajon. Në fund të javës së kaluar, kreu i Shërbimit Federal të Sigurimit në Rusi, Nikolai Patrushev, shpalli luftë kundër “spiunëve të huaj”, që operojnë nën mbulesën e OJQ-ve perëndimore. Kryengritja në Andixhan ishte e fundit e një serie përpjekjesh që kanë për qëllim të dëmtojnë Rusinë dhe aleatët e saj, tha Patrushev. Ata duhen ndalur – “në interes të sigurisë sonë shtetërore”.

Një tjetër Luftë e Ftohtë? Ende jo, por kjo mund të fillojë të ndihet e tillë, sidomos nëse udhëheqësit e tjerë autoritarë të rajonit marrin shembull nga Andixhani, kur të kërkojnë të përballen me opozitat e trye.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›