68-vjeçarja: Zotit i vjen keq për ne, por jo shtetit
ELBASAN- Reshjet e ditëve të fundit e kanë sjellë Behije Nasufin sërish përballë institucioneve për të kërkuar ndihmë, pasi prej disa muajsh, si pasojë e rrebeshit të 6 qershorit, shtëpia e saj është pa çati. Kjo gjë ka bërë që ajo të kërkojë kompensimin e premtuar nga shteti, si dhe të shpresojë në ndihmën e tyre. Familja e Behijes u rendit ndër 4 familjet e dëmtuara si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe një komision i verifikimit të dëmeve përcaktoi një ekspert, i cili vlerësoi dëmin e shkaktuar. Shuma totale për këtë familje është 87 mijë lekë të reja, por gjithçka ka mbetur në këtë faze, pasi deri më tani, ata nuk kanë marrë asgjë.
Me lotë në sy Behije Nasufi kërkon nga strukturat e shtetit ndihmë pas asaj që i ndodhi 5 muaj më parë. “I gjithë shiu që bie jashtë, hyn brenda në shtëpi, - tregon ajo për gazetën “Shekulli”. - Lagështira më ka pushtuar të gjithë shtëpinë, - vazhdon ajo teksa rrëfen për tragjedinë që ka mbërthyer familjen. - Ne jemi dy të moshuar me një djalë të paralizuar në moshën 45-vjeçare. Paratë që merr burri me pensionin nuk na dalin as për ushqime. Të gjithë e kanë parë shtëpinë time si është shkatërruar. Kam takuar edhe kryetarin e bashkisë për të kërkuar ndihmë. Por askush nuk është interesuar që të dijë se si po jetojmë kur shiu vazhdon dhe dimri sapo ka ardhur. Jemi në një gjendje që i vjen keq edhe Zotit kur na shikon, por askush nuk shqetësohet për këtë dhe mua më duhet të pres këtu në prefekturë apo bashki për të takuar kryetarin e bashkisë apo prefektin që të më ndihmojnë”,- përmbyll historinë e saj mes dhimbjes 68-vjeçarja Behije Nasufi.
Komisioni i Verifikimit të Dëmeve ka verifikuar në terren dëmin e shkaktuar nga shirat e 6 qershorit, ndërkohë që një specialist ka realizuar preventivin për çdo familje. Familja Nasufi ka pësuar dëmtime në çati dhe nga përllogaritja, shuma e vendosur është rreth 870 mijë lekë të vjetra. Lista iu përcoll Këshillit Bashkiak për miratimin e një fondi nga pushteti vendor në ndihmë të tyre, por këshilltarët e hodhën poshtë duke e përcjellë sërish në prefekturë. Prefektura Elbasan nëbazë të vendimit të Këshillit të Ministrave e ka nisur listën pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, ku pritet të shqyrtohen dhe miratimi i një fondi emergjent. Por procedurat burokratike vonojnë dhe familja Nasufi që po vuan lagështirën dhe të ftohtët, nuk mund të presë edhe shumë kohë në këtë gjendje.