E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al-Qadi, rrëzohet video-konferenca

Avokati mbrojtës i administratorit të Qadi: Shpenzimet i paguajmë ne. Gjykata: Do ta marrim në pyetje me letër-porosi

Gjykata e Krimeve të Rënda: S’kemi mundësi teknike për të marrë në pyetje të dyshuarin për terrorizëm

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda “rrëzon” video-konferencën me Arabinë Saudite, për të marrë në pyetje Jasin Qadi. Pas shumë debatesh gjyqësore mes avokatëve të administratorit të Jasin Qadi, Hamzeh Abu Rayan dhe trupit gjykues, Gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën e mbrojtjes, duke refuzuar video-konferencën e kërkuar. Gjykata e përfaqësuar nga Sandër Simoni e dha këtë vendim 32 seanca gjyqësore pas kërkesës së avokatit mbrojtës për marrjen në pyetje të sheikut arab Yasin al Qadi me anë të video konferencës nga Shqipëria. Në seancën e djeshme, mbrojtësit ligjorë të të pandehurit Abu Rayan, pas përfundimit të pyetjes së dëshmitarëve të mbrojtjes që ndodhen në Shqipëri, kërkuan nga gjykata që të marrin në pyetje për llogari të procesit sheikun Al-Qadi me anë të video -konferencës nga salla numër 1 e Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Sipas avokatit Sajmir Visha, të gjitha shpenzimet e lidhjes dhe komunikimit satelitor me anë të video-konferencës i mbulon vetë pala mbrojtëse, nëse institucioni i gjykatës nuk është në gjendje të përballojë shpenzimet e komunikimit me Arabinë Saudite. Marrja në pyetje e sheikut arab që ndërtoi dy kullat binjake në qendër të Tiranës, sipas mbrojtjes, do të ndihmojë procesin që po shqyrtohet pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, për qartësimin e bindjes në dhënien e vendimit se administratori i shoqërisë “Loxhall” sh.p.k jordanezi Abu Rayan, të gjitha të mirat materiale të ardhura nga kjo kompani që ka mbi 19 subjekte pune në Shqipëri i ka derdhur në llogaritë bankare të shefit të tij, sheikut Al-Qadi. Por togat e zeza të kësaj gjykate, edhe përkundër bujarisë së mbrojtjes për mbulimin e shpenzimeve teknike, vendosën të rrëzojnë kërkesën për marrjen në pyetje të sheikut Al-Qadi me anë të video konferencës, por pyetja e tij do të bëhet me anë të letër-porosisë dërguar në rrugë zyrtare, të cilën do ta ekzekutojë Gjykata e Riadit.

“Gjykata, pasi dëgjoi kërkesën e mbrojtjes dhe këshillimit mes trupës gjyqësore vendosi të rrëzojë kërkesën e avokatëve për marrjen në pyetje të shtetasit arab Yasin al-Qadi me anë të video konferencës pasi kjo gjë nuk është e mundur nga ana teknike. Vendosi që pyetjen e tij ta bëjë me anë të letër-porosisë që do t’i dërgohet Gjykatës së Riadit në rrugë zyrtare, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, ku do të parashtrohen pyetjet ndaj sheikut Al-Qadi për çështjen në gjykim, ku është i pandehuri vartësi i tij, administratori i kompanisë “Loxhall”sh.p.k. Hamza Abu Rayan. Pas këtij vendimi, togat e zeza u detyruan të ndërpresin seancën gjyqësore dhe të shtyjnë atë për një datë tjetër, që mbrojtja, prokuroria dhe vetë gjykata të përgatisin pyetjet që do t’i bëhen sheikut Al-Qadi në Arabinë Saudite. Sipas prokurorisë së Krimeve të Rënda, administratori jordanez Rayan akuzohet se ka kryer veprën penale të “fshehjes së fondeve dhe pasurive të tjera ndaj të cilëve zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›