E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuritë e Fazlliç, OPDAT në Gjykatën e Krimeve të Rënda

Avokatët e Fazlliç kërkojnë heqjen e sekuestros për pasuritë dhe llogaritë bankare

TIRANË- Avokatët e serbo-boshnjakut Damir Fazlliç kërkuan mesditën e djeshme nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet lirimin e menjëhershëm të pasurive të paluajtshme të klientit të tyre nga bllokimi i organit të akuzës. Sipas avokatëve që përfaqësonin me prokurë të posaçme Fazlliç, baza ligjore e sekuestrimit të pasurive të klientit të tyre nga prokuroria është e pabazuar në ligj, duke pretenduar se nëpërmjet këtij sekuestrimi, kërkohet domosdoshmërisht ekzistenca e një krimi. “Vepra penale për të cilën prokuroria e akuzon shtetasin Damir Fazlliç krijon produkt të një vepre tjetër penale, ku pa vërtetuar lidhjen e krimit nuk mund të bëhet fjalë për pastrimin e tij”,-thanë mbrojtësit ligjorë. Në kërkesën e drejtuar gjykatës, mbrojtja bënte me dije se Prokuroria e Tiranës kishte regjistruar procedimin penal me numër 3353 në ngarkim të shtetasit Fazlliç për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, ku menjëherë pas këtij regjistrimi të procedimit penal, është vendosur sekuestrimi i llogarive bankare si dhe të pasurisë që figuron në emër të personit nën hetim apo shoqërive që ai disponon. Nga ana tjetër, mbrojtja, hoqi dorë nga kërkesa për lirimin nga sekuestrimi edhe të 6 shoqërive të tjera, pasi nuk kishte marrë përfaqësimin e tyre në këtë gjykim, duke kërkuar që të përjashtohen nga kërkesa 6 kompanitë e tjera dhe të gjykohet heqja e sekuestrues vetëm në dy shoqëritë që figurojnë të regjistruara nën emrin e shtetasit Damir Fazlliç, siç janë shoqëria “Croën Acquisitions”sh.p.k dhe “Alfa” sh.p.k.. Pas leximit të kërkesës, dy prokurorët që po kryejnë edhe hetimet për serbo-boshnjakun Fazlliç kërkuan kohë nga gjykata të paktën 10 ditë për të përgatitur pretendimet e tyre si dhe për të paraqitur prova në seancën tjetër, të cilët janë të fotokopjuara por që do të ballafaqohen me origjinalin. Gjatë zhvillimit të seancës së djeshme gjyqësore, në sallën e gjyqit ishte e pranishme një përfaqësuese e OPDAT-it, e shoqëruar nga një punonjëse e Ministrisë së Drejtësisë. Pas pranimit të kërkesës së organit të akuzës për shtyrje, gjyqtari i vetëm, Artan Broci, vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore dhe të caktojë datën 17 dhjetor, ora 10:00 për vazhdimin e procesit gjyqësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›