Masakra e Qafë-Gjashtës, nis procesi në gjykatë
TIRANË- Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u hap seanca e parë gjyqësore për masakrën e Qafë-Gjashtës, e ndodhur më 4 mars të vitit 1997 në Sarandë, ku vdiq i djegur polici Gjergj Mehmeti si dhe u plagosën dy të tjerë. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore u bë prezantimi i palëve në proces, ku të pandehur si autorë të kësaj ngjarjeje të rëndë janë shtetasit: Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Arben Këndezi, Agron Qurku, Mikel (Flamur ose Vladimir Këndezi), Aleksandër Bala, Riston Llapa e vëllezërit Nestor e Vladimir Sinani, ndaj të cilëve rëndon akuza e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, ndaj punonjësit të policisë, të kryer në bashkëpunim si dhe “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, të mbetur në tentativë, ndaj punonjësve të policisë gjatë detyrës. Në seancën e djeshme, pas prezantimit të palëve në këtë proces, togat e zeza ndërprenë vazhdimin e seancës për shkak se të pandehurit në mungesë nuk ishin përfaqësuar me avokat mbrojtës, që detyroi gjykatën të caktojë kryesisht dhe i dha kohë atyre që të njihen me dosjen. Ndërsa ishte i pandehuri Vladimir Sinani kërkoi nga gjykata të lirohet. “Po më mbani në burg kot. Më lironi se nuk kam lidhje fare me këtë ngjarje. Unë kam dhënë shpjegimet e mia dhe kam ndihmuar edhe prokurorinë, ku kam treguar ngjarjen. Më lironi se më kanë mbetur fëmijët rrugëve dhe duhet t’i ruajë dikush ata. Jam i pafajshëm.”-tha ai para gjykatës. Më pas, seanca u ndërpre për të filluar të mërkurën e ardhshme në ora 9:00 të paradites. Sipas kërkesës për gjykim, në këtë proces gjyqësor me kërkesë të prokurorisë do të thirren nga gjykata për të dëshmuar dhjetëra dëshmitarë, mes tyre disa ish- drejtues të strukturave të rendit të asaj kohe.