E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i ndërtimeve, mashtrim me kreditë

Antikrimi ekonomik çon në pranga dy persona, të cilët merrnin kredi me dokumente false. Ja mekanizmi

Arrestohet Elvis Kosova, administrator i një firme ndërtimi. Falsifikoi dokumente për 4 kredi

TIRANË- Policia e Tiranës çon në qeli administratorin e një firme ndërtimi, pasi mashtronte me kreditë. Elvis Kosova, 22 vjeç, administrator i firmës “Elvis sh.p.k” dhe Agron Isiu, 25-vjeç, janë arrestuar ditën e djeshme pasi akuzohen për “mashtrim me kredi” dhe “falsifikim dokumentesh”. Burime nga policia thanë se Kosova ka shfrytëzuar njohjet që kishte në një bankë për të pajisur me kredi disa shtetas me anë të dokumenteve false. Menjëherë pasi punonjësit e bankës kanë diktuar mashtrimin e dy të rinjve, kanë vënë në dijeni policinë. Pas hetimeve, sektori i antikrimit ekonomik mundi të zbulonte skemën e mashtrimit të dy personave, duke i çuar në qeli ata në orët e pasdites së djeshme.

Mashtrimi

Klient i rregullt banke, madje i klasifikuar tek “VIP”-at,Elvis Kosova i kishte siguruar vetes privilegje në një bankë për shkak të firmës së ndërtimit që ai drejtonte. Megjithëse 22 vjeç, ai ka shfrytëzuar këtë status, duke inskenuar një skemë të tijën mashtrimi me kreditë. Me anë të dokumente false, 22-vjeçari pajiste me kredi shtetas të ndryshëm. Në bashkëpunim me 25-vjeçarin Agron Isiu, Kosova dyshohet të ketë pajisur me kredi katër persona. “Kosova siguronte dokumente false me anë të cilave bënte pronarë tokash, apartamentesh e lokalesh, persona të ndryshëm. Duke i dorëzuar këto në bankë ai mund të siguronte shuma të konsiderueshme këtyre personave të cilët nuk mund të shlyenin më pas kreditë në bankë”, -thanë për “Shekullin” burimet policore. Të njëjtat burime thanë se pajisja me dokumente false dhe puna në bankë ishte e Kosovës, ndërsa Isiu kishte për detyrë të gjente klientë.

Denoncimi

Punonjësit e bankës kanë diktuar mashtrimet e Kosovës, i cili është edhe administrator i firmës së ndërtimit “Elvis sh.p.k” duke vënë në dijeni policinë. Specialistët e antikrimit ekonomik-financiar pranë policisë së Tiranës nisën menjëherë hetimet për të zbardhur skemën e mashtrimit si dhe të faktonin se Kosova kishte “gisht” në këto kredi. Pas hetimeve disa ditore, antikrimi ekonomik-financiar mundi të zbulonte mënyrën dhe bashkëpunëtorin e 22-vjeçarit, i cili kishte pajisur katër persona me kredi falë dokumenteve false. Kështu policia organizoi ditën e djeshme një operacion i cili u finalizua me kapjen e dy të rinjve. Ata u shoqëruan në ambientet e policisë së kryeqytetit ku dhe u morën në pyetje. Burime nga policia thanë se në deklaratën e tij 22-vjeçari ka mohuar faktin se është i implikuar në këtë mashtrim. Por policia bëri të ditur se ka prova të cilët fajësojnë të riun se ka pajisur me kredi me anë të dokumenteve false të paktën katër persona duke përfituar një përqindje të lartë. Burime nga policia thanë se po punohet për të zbardhur me saktësi skemën e mashtrimit me kredi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›