Të ftohtët, dy të vdekur nga ataku kardiak
KORÇË - Një endacak dhe një shofer janë gjetur të vdekur në Korçë në 24 orët e fundit. Sipas policisë së këtij rrethi, rezulton se të dy të vdekurit janë viktima të zemrës, e cila ka pushuar së rrahuri në mënyrë të beftë nga ataku. Kështu, gjatë mëngjesit të kaluar, është gjetur në afërsi të fshatit Pojan, në mes të rrugës, trupi i një endacaku. Edison Sala, 39 vjeç, u gjet i vdekur nga disa kalimtarë të rastit, ndërkohë që u identifikua me vështirësi nga policia lokale. Vetëm pas autopsisë u arrit të mësohej se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrore, që në këtë rast ka qenë një atak në zemër. Por duket se në të njëjtën mënyrë ka mbetur i vdekur dhe një 52-vjeçar nga qyteti i Ersekës. Viktima e radhës punonte si shofer kamioni në firmën “Gërmenji” teksa transportonte lëndë drusore drejt kryeqytetit. Drejtuesii mjetit kamion me targë ER 1077, u gjet i vdekur brenda mjetit të tij. Agim Najkolli ishte në udhëtim ndërsa ka hapur krahun në dalje të qytetit të Korçës. Mendohet që viktima të jetë ndier keq dhe të jetë përpjekur të qetësohet, ndërsa ka mbetur i vdekur duke mos pasur mundësi as të merrte ndihmë mjekësore. Edhe në këtë rast ekspertët ligjorë pas autopsisë kanë dalë në konkluzionin se shtetasi Agim Najkolli ka vdekur si pasojë e një ataku në zemër. Policia lokale thotë se, ndonëse ka pasur dy kufoma, në asnjë rast nuk ka pasur ndonjë akt kriminal ndaj tyre, ndërsa jeta stresante dhe e ngarkuar i ka çuar të dyja viktimat drejt vdekjes.