E Diel, 1 Nëntor 2026

685 pronarët që përfitojnë kompensim për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për krijimin e fondit të kompensimit. Dëmshpërblimi për 685 pronarët kap shifrën e 2.3 miliardë lekëve

Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes kompensimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, të Elbasanit, të Gjirokastrës dhe të Kukësit. Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 88 468, 6 (tetëdhjetë e tetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e tetë presje gjashtë) m2, tokë truall, me vlerë të përgjithshme 2 305 676 757, 68 (dy miliardë e treqind e pesë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë presje gjashtëdhjetë e tetë) lekë.
Gjatë mbledhjes së djeshme qeveria miratoi dhe fondin e kompensimit të pronave. Administrimi i fondit të kompensimit të pronave do të bëhet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Burimet e krijimit të fondit të kompensimit të pronave janë: transfertat e buxhetit të shtetit për kompensimin e ish-pronarëve; të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave; të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore në bazë të ligjit të legalizimeve; si dhe të ardhura nga donatorë të ndryshëm.
Fondi i kompensimit të pronave do të përdoret për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve që kanë fituar të drejtën e kompensimit financiar, në kushtet kur kthimi fizik i pronës së tyre ka qenë i pamundur. Burimet, që përbëjnë fondin e kompensimit të pronave, sipas pikës 3 të këtij vendimi, të arkëtohen dhe administrohen, sipas natyrës së tyre, nëpërmjet sistemit të thesarit, në përputhje me udhëzimin e ministrit të Financave, të nxjerrë në zbatim të këtij vendimi. Për pronarët e shpronësuar nga procesi i legalizimit të ndërtimeve informale, shuma e pagesës për secilin përfitues përcaktohet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Dhënia e pagesës bëhet me këste të barabarta dhe të shtrira në kohë, në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga pronat e legalizuara. Për pronarët e tjerë, të cilët kanë fituar të drejtën e kompensimit monetar nga Komisioni i Kthimit të Pronave, shuma e pagesës dhe mënyra e dhënies së saj bëhet në përputhje me kriteret e përcaktuara me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›