E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishepov: “Shqipëria të mos qëndrojë indiferente ndaj biznesit me Rusinë”

Intervistë me ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë tё Federatёs Ruse nё Republikёn e Shqipёrisё, z. Aleksandёr Prishepov

Ambasadori i Rusisё në Shqipёri, Aleksandër Prishepov, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Albania”, flet dhe komenton marrëdhëniet aktuale diplomatike dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Ai deklaron se Shqipëria dhe Rusia duhet të përpiqen më tepër për t’i forcuar marrëdhëniet, sidomos ato ekonomike dhe për të rritur informacionin e ndërsjellë dhe njohjen midis dy vendeve me qëllim që të shfrytëzohen potencialet e përbashkëta. Përfaqësuesi më i lartë i shtetit rus në Shqipëri e vë theksin e tij sidomos në bashkëpunimin ndërinstitucional për të cilin, sipas tij, deri tani shteti shqiptar nuk ka treguar vëmendjen e duhur. Sipas tij, për t’u dhënë peshën e duhur këtyre marrëdhënieve, i rëndësishëm është organizimi i takimit të radhës të Komisionit Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Tregtaro-Ekonomik, Kulturor dhe Shkencor që do të zhvillohet këtë vjeshtë në një nga rajonet më interesante për nga aspekti ekonomik në Rusi, rajoni i Kazanjit. Ambasadori Prishepov e vë theksin edhe në forcimin e përpjekjeve të përbashkëta për zhvillimin e sektorit të turizmit, ku sipas tij duhet bërë më tepër përsa u përket investimeve në infrastrukturë, me qëllim që edhe tregu turistik shqiptar të tërheqë sa më tepër turistë nga Rusia, e cila është një prej furnizueseve më të mëdha të tregut turistik botëror.

Sot është 12 qershori, që njihet ndryshe edhe si “Dita e Rusisë”. Çfarë rëndësie dhe domethënie ka për shtetin rus kjo festë?

Data 12 qershor njihet si “Dita Kombëtare e Rusisë”. Kjo është një nga festat më të reja të shtetit rus dhe është festuar për herë të parë më 12 qershor 1990. Kjo festë erdhi pas një vendimi të Parlamentit rus, atëherë kur Rusia ishte pjesë e pandarë e Bashkimit Sovjetik dhe në atë kohë Parlamenti ynë vendosi miratimin e Deklaratës së Sovranitetit të Rusisë. Por ndonjëherë gabimisht (ata që nuk e dinë), këtë festë e quajnë si “Dita e Pavarësisë”. Ky është një gabim, pasi duhet të dini që Rusia që prej 500 vjetësh është një shtet i pavarur dhe sovran. Që nga viti 1998, me një dekret të posaçëm të Presidentit të Rusisë, kjo ditë u quajt dhe njihet si “Dita e Rusisë”. Këtë ditë ne e vlerësojmë si një përzgjedhje nga ana e shtetit rus dhe e qytetarëve të tij të rrugës së zhvillimit, lirisë dhe demokracisë. Kjo festë erdhi në një periudhë vërtet të rëndësishme dhe të vrullshme, kur vendi ynë u vu përpara një përzgjedhjeje historike. Vendi ynë jo thjesht e bëri me vetëdije këtë përzgjedhje, por dhe e përjetoi me dinjitet periudhën e vështirë të ndryshimit të Rusisë së re. Pikërisht në këtë përzgjedhje të vetë popullit rus fshihen dhe rrënjët e kësaj feste. Ndërsa po të flasim për rrënjët dhe origjinën e kësaj feste, ato shkojnë edhe më thellë, në vetë dëshirën e popullit rus për liri dhe sovranitet. Këto ndjenja kanë lidhje me dëshirën për bashkim kombëtar dhe për zhvillim të qytetëruar të vendit. Kjo ditë ka për qëllim t’i bashkojë të gjithë shtetasit rusë, pasi Rusia është një shtet me shumë kombe dhe synimi i kësaj dite është që të bashkojë njerëzit e kombeve të ndryshme, të besimeve të ndryshme, me bindje politike të ndryshme, por dhe të moshave të ndryshme. Kjo pra është festa e lirisë, paqes qytetare, unitetit dhe përgjegjësisë së përgjithshme për të tashmen dhe për të ardhmen e shtetit rus.

2. Në çfarë niveli janë aktualisht marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Rusisë? Si e shikoni të ardhmen e bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos në aspektin ekonomik dhe kulturor?

Marrëdhëniet aktuale midis dy vendeve tona mund t’ju them se zhvillohen jo keq. Ne mbajmë një dialog të vazhdueshëm politik. Shkëmbejmë midis dy vendeve mendime për problemet e politikës së gjithanshme, të brendshme dhe ndërkombëtare. Në forume të ndryshme ndërkombëtare ministrat tanë të Jashtëm (të Rusisë dhe Shqipërisë), takohen vazhdimisht dhe diskutojnë mbi problemet ndërkombëtare. Ata, në një farë mënyre, “verifikojnë orët”, domethënë sa ato përkojnë midis tyre se çfarë qëndrimi mbajnë dy vendet tona ndaj një problemi apo një tjetri. Ku mund të gjenden pika të përbashkëta për këto mendime dhe se si mund të gjenden mundësitë për t’i përafruar këto pikëpamje. Jo keq do të thosha se zhvillohen dhe marrëdhëniet në fushën e ekonomisë. Shkëmbimi i mallrave midis dy vendeve, gjatë tre viteve të fundit, është rritur dy herë, ku tani ai zë rreth 300 milionë dollarë në vit. Mirëpo mundësitë tona potenciale, të të dyja palëve, janë shumë më të mëdha. Një element mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve tona është dhe veprimtaria e Komisionit Ndërqeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, Kulturor dhe Shkencor. Ky komision mblidhet një herë në vit sipas një radhe, njëherë në Rusi dhe njëherë në Shqipëri. Këtë herë mbledhja Komisionit do të zhvillohet në Rusi. Kemi vendosur që të mos e zhvillojmë atë në Moskë, por në një prej rajoneve më të zhvilluara ekonomike të Rusisë Qendrore, në qytetin e Kazanjit, që është njëkohësisht edhe kryeqyteti i Republikës së Tatarstanit në brigjet e lumit Vollga. Komisioni është i përbërë nga grupe të ndryshme për drejtime të ndryshme të veprimtarive ekonomike si energjetika, transporti, ndërtimi, industria, bujqësia etj. Grupet e punës përpunojnë dhe përgatisin raporte, që i paraqesin në Komision për zhvillimin e marrëdhënieve tona në këto drejtime konkrete. Veprimtaria e Komisionit ka mjaft rëndësi, por ai ka më tepër karakterin organizues, sepse në të marrin pjesë përfaqësues të dikastereve shtetërore, në një kohë që ekonomia “e gjallë” zhvillohet përmes projekteve konkrete të biznesit. Por, për të forcuar marrëdhëniet midis bizneseve, krahas Komisionit, ne zhvillojmë edhe forume biznesi. Në Forumin e Biznesit që do të zhvillohet në qytetin e Kazanjit, kemi ftuar shumë kompani biznesi shqiptare që të marrin pjesë.
Mirë zhvillohen edhe marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve. Por edhe ato janë shumë më të ulëta sesa potencialet reale. Vetëm pak ditë më parë disa artistë rusë, muzikantë shumë të njohur, morën pjesë në Festivalin e Gjirokastrës. Të mira janë edhe marrëdhëniet tona në fushën e arsimit, ku Rusia çdo vit jep 25 bursa falas për studentë dhe aspirantë shqiptarë që kërkojnë të studiojnë atje.

3. Ka në Rusi kompani biznesi që janë të interesuara për tregun shqiptar, ashtu si ato janë për tregun e Ballkanit?

Kompanitë ruse punojnë shumë aktivisht me tregun e Ballkanit. Ato gjenden në Bullgari, Greqi, Maqedoni, Serbi etj., në një kohë që deri kohët e fundit Shqipëria ka qenë e lënë mënjanë në këtë fushë. Kjo është e lidhur edhe me faktin se në Rusi dinë shumë pak për vendin tuaj. Por, kohët e fundit kemi parë një interesim në rritje të biznesmenëve rusë ndaj tregut shqiptar. Konkretisht, një nga kompanitë më të fuqishme jo vetëm të tregut rus, por edhe të botës, ka vendosur që të investojë në sektorin e energjisë elektrike në Shqipëri. Ka shumë interes edhe nga kompanitë turistike ruse në drejtim të zhvillimit të tregut të turizmit. Për këtë mendojmë se interesi i biznesit rus do të vijë në rritje, krahas shkallës së njohjes dhe informacionit që do të kenë ata për Shqipërinë. Ju e dini që një investitor jep paratë e tij kur investon në një vend, për këtë ai do të dijë se ku po i investon paratë dhe se sa i sigurt është ky investim, si dhe çfarë fitimi do të ketë. Këtu ka shumë punë për të bërë nga institucionet e tregtisë së dy vendeve, me qëllim njohjen dhe informimin midis palëve. Shpresojmë që të krijohen lidhje shumë të ngushta midis dhomave të tregtisë dhe industrisë të të dyja vendeve.

4. A mendoni se Shqipëria dhe tregu i saj i vogël i kanë realisht potencialet e duhura për t’i ofruar shtetit të madh rus mundësi bashkëpunimi?

Pa dyshim që tregu shqiptar paraqet një interes të madh për biznesin rus. Të parën unë do të rendisja sektorin elektroenergjetik, transportin, ndërtimin e objekteve të infrastrukturës, bujqësinë etj. Shqipëria importon nga Rusia shumë grurë dhe këtu mendoj që ka një fushë mjaft të madhe për bashkëpunim. Nga ana tjetër, edhe tregu rus paraqet mjaft interes për biznesin shqiptar. P.sh., në Rusi pëlqehet shumë vaji juaj i ullirit, agrumet, prodhimet bujqësore sidomos BIO. Po ashtu, ne kemi nevojë për prodhimet e lëkurës, ato të industrisë së lehtë etj., ku me të gjitha këto mund të bëhet tregti në mënyrë mjaft aktive.

5. Shqipëria ka një dalje të gjerë në Mesdhe. Mendoni se vendi ynë në një të ardhme të afërt mund të ofrojë resurse të mjaftueshme turistike dhe të jetë tërheqës për bashkëpunime investimi nga biznesi rus i turizmit?

Rusia është sot një nga furnizueset më të mëdha me turistë të tregut botëror të turizmit. Vetëm në Turqi çdo vit shkojnë për pushime rreth 3 milionë turistë rusë. Edhe Shqipëria është një vend mjaft tërheqës në këtë drejtim. Por duhet ditur se turisti shkon aty ku ai të mund të pushojë në mënyrë interesante dhe komode, ku të shkojë shpejt dhe pa probleme. Prandaj, në radhë të parë, është i domosdoshëm zhvillimi i një infrastrukture të mirë turistike. Të parat ku duhet investuar duhet të jenë hotelet, rrugët, shërbimet, vendet më interesante, të cilat Shqipëria i ka dhe mund ti përmirësojë. Në këtë drejtim nuk mjafton vetëm informacioni dhe publiciteti në Rusi. Ju theksoj, në Rusi për fat të keq dinë shumë pak për Shqipërinë. Madje, ndodh që shumë shpesh të dhënat dhe informacionet vijnë edhe në shtrembëruara. Prandaj, është shumë i rëndësishëm roli i personaliteteve shqiptare, jo vetëm politike e shtetërore, por dhe të biznesit, që të bëjnë shumë më shumë në këtë drejtim, duke tërhequr investitorë dhe turistë nga Rusia. Si shembull për këtë mund t’ju përmend faktin që, në muajin mars çdo vit në Rusi zhvillohet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, ku prezantohen mbi 60 vende të botës. Vetëm nga Turqia çdo vit prezantojnë shërbimet e tyre në këtë panair mbi 300 kompani turistike. Çdo vit ne njoftojmë përfaqësuesit shqiptar dhe i ftojmë në këtë aktivitet, por deri më sot nga ana juaj ka pasur vetëm indiferencë, pasi asnjë përfaqësues shqiptar i turizmit nuk ka marrë pjesë në këtë panair. Ky sektor mendoj se mund të zhvillohet vetëm pas një shpërndarje të mirë të informacionit të ndërsjellë.

6. Sa punë duhet të bëhet akoma për të rritur informacionin dhe për të forcuar marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve tona?

Mundësia më e madhe për ta njohur më mirë të gjithë këtë është të shkosh në Rusi dhe të vish në Shqipëri. Në Rusi ne përdorim një proverb: “Më mirë të shohësh një herë, se të dëgjosh njëqind herë”. Mendoj që biznesmenët dhe kompanitë turistike të të dyja vendeve duhet të risin marrëdhëniet dhe vizitat në të dyja vendet, si dhe të vendosin marrëdhënie të drejtë për drejta mes tyre. Institucionet shtetërore mund të krijojnë vetëm bazën për një mbështetje të tillë, por në ekonominë e tregut raportet konkrete mund të vendosen vetëm midis biznesmenëve. Strukturat tona shtetërore nuk mund të detyrojnë ose ti thonë biznesmenëve rus që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Ato mund ta bëjnë këtë vetëm kur kanë informacionin e bollshëm. Përsa i takon shtetit rus, ne jemi të gatshëm gjithmonë për një bashkëpunim në të gjithë sektorët me Shqipërinë.

Bisedoi për “Albania”-n

Ervin KOÇI

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›