Procedurat e marrjes në pronësi të pasurive të lëna si garanci nga debitorët
Këtij vendimi u nënshtrohen të gjitha pasuritë e lëna garanci ose jo nga debitorët e ATK-së, të cilat kalojnë në pronësi të saj, pasi nuk janë shitur në ankandet e zhvilluara nga përmbaruesi gjyqësor, në zbatim të procedurave ligjore për ekzekutim të detyrueshëm. Marrja në pronësi e pasurive të lëna garanci ose jo nga debitorët bëhet me pëlqimin e ATK-së, si palë kreditore, kundrejt vlerës së ankandit të fundit, të zhvilluar nga përmbaruesi gjyqësor. Administrimi i pasurive, që kalojnë në pronësi të ATK-së, bëhet sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr.6942, datë 25.12.1984, “Për administrimin, ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale e monetare”, të ndryshuar, dhe të vendimeve nr.70, datë 11.3.1985, e nr.445, datë 25.12.1990, të Këshillit të Ministrave. AKT-ja e kontabilizon pronën me vlerën e përcaktuar nga përmbaruesi gjyqësor në vendimin për kalimin e pronësisë. ATK-ja, pas kontabilizimit të pronës, kundrejt shlyerjes së menjëhershme të detyrimit të ristrukturuar, sipas përcaktimeve të bëra në kreun I, të këtij vendimi, i propozon debitorit kthimin e sendit të marrë në pronësi. Debitori duhet të kthejë përgjigje, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit. Pas kalimit të këtij afati, ATK-ja përgatit dosjen për shitjen me ankand. Procedurat e ankandit organizohen nga ATK-ja, duke respektuar procedurat e shitjes së pronës shtetërore, të parashikuara në kreun III, të vendimit nr.1638, datë 17.12.2008, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe për procedurën e shitjes”, për aq sa është i zbatueshëm në kushtet specifike të funksionimit të ATK-së. Si vlerë fillestare e pronës, që do të shitet me ankand, do të jetë vlera e kontabilizuar nga kjo agjenci. ATK-ja ka të drejtën e rivlerësimit të pronës, para fillimit të procedurave të shitjes me ankand, me kusht rritjen e vlerës fillestare, kur e gjykon të arsyeshme se kanë ndryshuar pozitivisht kushtet e tregut, në zonën ku kjo pronë ndodhet. Pronat e kaluara në pronësi të ATK-së, me propozimin e ministrit te Financave, mund t’i transferohen shtetit dhe t’u kalojnë në përgjegjësi administrimi institucioneve shtetërore. Në këtë rast, vlera e pronës, e parashikuar në pikën 4, të këtij kreu, pasqyrohet nga ATK-ja, për efekt të deklarimit të realizimit të të ardhurave, dhe kontabilizohet, duke zbritur detyrimin e debitorit.
Kriteret për ndryshimin e debitorit dhe kolateralit të një kredie
Debitori ka të drejtë të kërkojë ristrukturimin e detyrimit, sipas lehtësive të parashikuara në këtë vendim, vetëm një herë. Në rast se debitori nuk u përmbahet kushteve të marrëveshjes së lidhur, kërkohet likuidimi i detyrimit të kontabilizuar në ATK. Për debitorët, që parapëlqejnë shlyerjen me këste, nënshkrimi i kontratës së ristrukturimit shoqërohet me pagesën e menjëhershme, në masën 20% të principalit të transferuar apo shumës së mbetur prej tij. Për debitorët, që kanë marrë kredi për banesa ose përmirësimin e kushteve të banimit, nënshkrimi i kontratës së ristrukturimit shoqërohet me pagesën e menjëhershe, në masën 40 për qind, të principalit të transferuar apo të shumës së mbetur prej tij, si dhe duke vendosur kushtet për shlyerjen e pjesës tjetër. Kriteret, kushtet dhe afatet e përcaktuara në këtë vendim, për ristrukturimin e detyrimit, nuk e pengojnë agjencinë të kërkojë vjeljen e detyrimit të debitorëve në çdo kohë. Zëvendësimi i debitorit apo i kolateralit me një person a pasuri tjetër realizohet në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil dhe të ligjit nr.8894, datë 14.5.2005, “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, të ndryshuar, si më poshtë vijon: a) Zëvendësimi i debitorit realizohet kur vlera e pasurisë së re, që do të ngarkohet me barrë hipotekore, dhe e kolateralit ekzistues mbulojnë të paktën 150% të detyrimit të mbetur për t’u likuiduar. b) Nënshkrimi i marrëveshjes për zëvendësimin e debitorit shoqërohet me likuidimin e menjëhershëm të 50% të principalit të transferuar apo atij të mbetur. Debitori i ri gëzon të drejtën e ristrukturimit të detyrimit sipas kërkesave të kreut I, të këtij vendimi. c) Zëvendësimi i kolateralit realizohet, kur vlera e pasurisë së re, që do të ngarkohet me barrë hipotekore, mbulon të paktën 150% të detyrimit të mbetur për t’u likuiduar. ç) Procedura e zëvendësimit të kolateralit shoqërohet me pagesën, nga debitori, të 20 për qind të principalit të transferuar apo atij të mbetur.
12 Qershor 2009