E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, bota e prekur nga pandemia e virusit



Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur pandeminë globale si pasojë e përhapjes së virusit të gripit të derrit në nivel botëror. OBSH-ja e rriti nivelin e alarmit për gripin e derrave në nivelin maksimal 6, që nënkupton një pandemi globale të gripit. Ky është dhe niveli i fundit që specialistët synonin të mos arrihej në këtë masë. Por, virusi është përhapur me një shpejtësi të madhe në të gjithë botën, duke zgjeruar çdo ditë edhe më shumë hartën e prekjes dhe si rezultat dhe shtimin e numrit të të prekurve apo personave që kanë humbur jetën nga ky virus. Lajmi është konfirmuar nga qeveria suedeze përmes një komunikate për shtyp që është shpërndarë për mediat ndërkombëtare. Numri i rasteve të prekura nga ky grip vjen gjithnjë e në rritje, madje shumë prej tyre qëndrojnë në reanimacion, pasi janë në gjendje të rëndë. Situata kritike, gjithmonë në rritje në Hong-Kong dhe në Australi bëri shpalljen e pandemisë në nivel global. Specialistët japin alarmin se situata pritet të përkeqësohet në muajin shtator, kur virozat stinore dhe virusi i gripit kanë kohën e vet. Rritje e numrit të të prekurve pritet të ndodhë edhe gjatë sezonit të verës ku lëvizja e turistëve nga një vend në tjetrin nuk mund të shmanget dhe si rrjedhojë edhe prekja nga virusi i gripit, H1N1. Vaksina kundër virusit është prodhuar dhe do të shpërndahet në një pjesë të madhe të vendeve, por numri i vaksinës është i kufizuar. Pandemia e fundit e shpallur nga OBSH-ja është ajo e vitit 1968, që nisi nga Hong-Kongu e që shkaktoi vdekjen e 1 milionë personave.

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›