Mediu në Fier: “Gjatë mandatit të dytë do t’i japim zgjidhje çështjes së pronës”
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një takimi që zhvilloi në qytetin e Fierit, u shpreh se gjatë mandatit të dytë qeverisës PR-ja do t’i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronës private. Mediu gjithashtu theksoi se gjatë viteve të pluralizmit PR-ja ka dhënë një kontribut të veçantë që toka të shkojë tek i zoti. “Partia Republikane është partia që ka ngritur çështjen e pronës private jo vetëm për të korrigjuar një padrejtësi, por sepse ky shtet nuk mund të shkojë përpara pa respektuar të drejtat e njeriut, sepse ekonomia shqiptare nuk mund të ndërtohet pa respektuar pronën private. Partia Republikane do të vazhdojë të kërkojë me projektligje, me pjesëmarrjen e saj në qeveri, në mënyrë që kësaj çështjeje t’i jepet një zgjidhje përfundimtare. Zgjidhja e çështjes së pronës është me rëndësi, pasi ajo shihet nga republikanët si një pikë kyçe e zhvillimit ekonomik të vendit dhe zgjidhja e saj do t’i jepte rrugë Shqipërisë në Europë”, - është shprehur kryerepublikani Mediu.
Oketa në Durrës: “Qeveria do të hartojë politika stimuluese për sektorin e peshkimit”
Kandidatët e Partisë Demokratike në Durrës, Gazmend Oketa, Igli Cara dhe Osman Metalla, u takuan me një përfaqësi të peshkatarëve, ku premtuan politika mbështetëse për këtë sektor. Oketa tha se qeveria ka investuar në ngritjen e një kantieri për riparimin e anijeve të peshkimit. Gjithashtu Oketa u ndal edhe te shqetësimi i peshkatarëve për peshkimin e anijeve të huaja. Oketa tha se roja bregdetare ka shtuar vigjilencën për të mos lejuar që asnjë peshkarexhë të peshkojë ilegalisht në ujërat shqiptare. Duke vlerësuar sektorin e peshkimit në Durrës, kandidatët e PD-së në Durrës siguruan se peshkimi është një ndër sektorët prioritarë, në vëmendje të vazhdueshme të qeverisë.
12 Qershor 2009