Imami takon banorët e Fushës së Aviacionit: “Procesi i legalizimit është i pakthyeshëm”
Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Arben Imami, zhvilloi një tur takimesh me banorë të Fushës së Aviacionit, e cila është një zonë në legalizim e sipër. Deputeti Arben Imami i siguroi qytetarët se procesi i legalizimit është i pakthyeshëm dhe të gjithë banorët do ta kenë banesën e tyre të legalizuar. Nga ana tjetër, banorët falënderuan qeverinë “Berisha” për premtimin e mbajtur lidhur me procesin e legalizimeve, i cili, sipas tyre, po ecën mirë dhe me ritme të shpejta. Pronari i një vile katërkatëshe në këtë zonë tha se hipotekimi i banesës së tij do t’i krijojë mundësi të kreditojë biznesin e tij. Rritja e pensioneve u vlerësua nga banorët e zonës si një tjetër premtim i mbajtur nga qeveria Berisha dhe që sipas tyre, u jep garancinë se qeveria aktuale do të vijojë të punojë më këto ritme edhe në mandatin e saj të ardhshëm.
Bumçi: “Do të fillojë shumë shpejt rikonstruksioni i plotë i rrugës së Selitës”
Kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për Tiranën, Aldo Bumçi, Taulant Bime, Edit Harxhi dhe Viktor Gumi, zhvilluan një takim me banorë të zonës së Selitës, nga ku u njohën më nga afër me problematikën kryesore të kësaj zone. Duke përshkuar në këmbë të gjithë gjatësinë e rrugës dhe të rrugicave të brendësi, kandidatët e PD-së evidentuan problemet në infrastrukturën e zonës si tërësisht jonormale për standardet e Shqipërisë në 2009-n. Kreu i PD-së së Tiranës, njëkohësisht kandidati për Tiranën, Aldo Bumçi, deklaroi se Edi Rama ka zgjedhur abuzimin me fondet dhe moshartimin e politikave efektive në dobi të komunitetit. Duke marrë shkas nga rrugët e shkatërruara të Selitës, Bumçi u shpreh se Partia Demokratike në vetëm katër vite ndërtoi mbi 2000 km rrugë në zonat rurale të Shqipërisë, ndërsa Edi Rama nuk ka ndërtuar as edhe një të tillë në zonat periferike të Tiranës. “Prioriteti im dhe i kandidatëve të tjerë të PD-së për këtë zonë, është që të fillojë shumë shpejt rikonstruksioni i plotë i rrugës së Selitës. Duhet t’u themi stop politikave zhvatëse të Edi Ramës”, - tha deputeti aktual Aldo Bumçi.
12 Qershor 2009