E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 Marsi; 122 vjet larg Korçës



Prej 7 marsit të vitit 1887 e deri më sot, kanë ndryshuar shumë elementë të sistemit tonë arsimor. Mësuesit më të mëdhenj të viteve të para ishin emrat më të njohur të kulturës kombëtare e sot, 122 vjet më pas, duket se miti i mësuesit ka humbur në kohë

Një ditë përpara festës “zyrtare”, shkollat e mesme dhe nëntëvjeçare zhvilluan aktivitete me rastin e 7 Marsit ose Ditës së Mësuesit. Mbi 36 mijë mësues të arsimit parauniversitar festuan për herë të 122-të ditën e tyre, festën e mësuesit, për të kujtuar çeljen e shkollës së parë shqipe më 7 mars 1887 në Korçë. Përvjetori i Mësonjëtores sonë të Parë, përvjetor i Ditës së Mësuesit, të një dite të tillë të shënuar simbolizon rilindjen e madhe të shqiptareve, luftën e tyre për identitet kombëtar, për liri dhe progres. Falë dashurisë dhe sakrificave të rilindasve tanë të shquar arsimi u rezistoi presioneve dhe i dha frytet e saj; një Shqipëri të pavarur, që iu bashkua rrjedhës së kombeve të tjera evropiane, në rrugën e pavarësisë dhe zhvillimit. Përpjekjet e përbashkëta nga atdhetarët shqiptarë të Korçës, Bukureshtit e Stambollit për çeljen e një shkolle të rregullt shqipe u intensifikuan në vitet e fundit të shekullit XIX. Ndër intelektualët tanë të njohur në atë kohë përmendim: Naum Veqilharxhi, Zef Jubani, Jeronim de Rada, Konstandin Kristoforidhi, Thimi Mitko, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Hasan Tahsini e të tjerë. Drejtuesit e Komitetit Shqiptar të Stambollit u kujdesën në këtë kohë edhe për hartimin dhe miratimin e një alfabeti të përbashkët për të gjithë bashkatdhetarët. Me këtë alfabet ata botuan librin e parë “Alfabetarja e Gjuhës Shqipe”. Ndërsa në Korçë, nën drejtimin e Komitetit Kombëtar, ishin marrë të gjitha masat nga atdhetarët vendas për çeljen e shkollës së parë shqipe. Kështu, më 7 mars 1887, u çel shkolla në gjuhën amtare e cila kishte fillimisht mbi 35 nxënës. Megjithëse edhe më parë ishin bërë përpjekje për çeljen e shkollave shqipe, shkolla e parë e Korçës dallohej për fizionominë e saj kombëtare, laike dhe demokratike. Në të mësimi zhvillohej vetëm shqip, nuk kishte përmbajtje fetare dhe në të mësonin djem e vajza pa asnjë dallim. Në fillim kjo shkollë kishte katër klasa, numri i nxënësve pas tre muajsh arriti në 60 dhe në vitin e dytë të saj në 300 nxënës. Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle përmendim atdhetarët e njohur: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, Kristaq Vaja etj. Falë punës së palodhur të armatës së madhe të mësuesve që shërbeu në vite, shpirtit arsimdashës të shqiptarëve, sot kemi një arsim të konsoliduar. Arsimi fillor, 9-vjeçar dhe i mesëm janë shtrirë në gjithë vendin. Arsimi i lartë, përveç Tiranës, po ecën dhe forcohet çdo ditë sot, edhe në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Vlorë e Durrës.

Hamit Bajraktari

Mësuesi që i kushtoi jetën dijes

Isa Halilaj

Mësues i Merituar

U mbush një vit pa mësuesin Hamit Bajraktari, po sa herë kujtohet emri i tij, arratiset ‘harrimi’, e të gjithë ata që e kanë njohur përulen me respekt para kujtimit e punës së këtij burri të ditur.

Mësues Hamiti në origjinë i përket një familjeje atdhetare. Trashëgon emrin dhe historinë e Bajraktarit të Rrafshit të Lumës, një nga udhëheqësit e dëgjuar popullor në luftërat kundër pushtimit osman e atij serb. Vërtet trashëgonte emrin, po jo bajraktarizmin, të cilin e zëvendësoi me misionin e mësuesit dhe edukatorit atdhetar.

Hamiti u lind ne Bicaj të Kukësit më 1928. Shkollën fillore plotore e kreu në vendlindje e në vitet 1941-1943, vijoi gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, bashkë me shokët lumjanë si: Osman Palushi, Nexhip Visha e Tahir Domi. Aty zuri shokë të ngushtë Xhavit Spahiun, Kolë Shirokën, Isni Hashanin e të tjerë personalitete të njohura në jetën patriotike shqiptare.

Më 1948, Hamiti me një grup shokësh nga Kukësi, si Shefqet Hoxha, Zija Shehu, Besim Spahiu, Safi Korbi, Qemal Mataj, Maxhun Peka etj. vazhdon e mbaron me sukses Shkollën Pedagogjike të Peshkopisë, një nga shkollat e mesme për mësuesi më me autoritet në verilindje. Më 1952 maturantët e Pedagogjikes emëroheshin në punë direkt nga Ministria e Arsimit. Hamitit i takoi të emërohej mësues në Kolgecaj, ku dha provat e një mësuesi edukator të përkushtuar. Nga kjo, me hapjen e shkollës 7-vjeçare në Shipshan, Hamitit do t’i besohej detyra e drejtorit të shkollës e për këtë do të mbahet mend me admirim për seriozitet e korrektësi nga ish-nxënës e prindër të Shipshanit të Tropojës.

Nga viti 1954, për 12 vjet me radhë ai dha mësim lëndën e kimisë, biologjisë e praktika mësimore në shkollën 11-vjeçare të Kukësit, duke u shquar si mësimdhënës profesionist me rezultate të mira, aq sa nxënësit e tij, në arsimin e lartë nuk do të hasnin vështirësi deri në diplomim. Qe mësues kurajoz, studiues i zellshëm dhe komunikues me kolegët në shkëmbimin e përvojës. Gjatë kësaj kohe me përshpejtim kreu dhe studimet e larta për bio-kimi në Tiranë.

Më 1966 u dërgua mësues në zonën e Bushtricës, ku shërbeu disa vite e me përvojën e mirë të tij la gjurmët e një pune të mirë jo vetëm si mësimdhënës, por dhe si edukator i palodhur në vënien në jetë të njohurive shkencore në terrenin praktik të Bushtricës, gjë të cilën nuk kishin arritur ta bënin të tjerët. Edhe sot, pas gjithë atyre viteve, të shkolla e mesme e Bushtricës, veç inventarit të pasur të kabinetit mësimor të biologjisë, do të gjesh kopshtin eksperimental me toponimin “Bahçja e mësues Hamitit” me një sipërfaqe prej afro 1 hektar tokë ku ai bashkë me nxënësit punëtorë e të zellshëm arriti të realizonte një parcelë natyrore të mësimeve praktike të botanikës, me kultivimin e mbi 500 rrënjëve pemë frutore si mollë, dardhë, ftonj, qershi etj. dhe lehëza prodhuese e eksperimentale të perimeve, farishteve, luleve dhe llojeve të drithërave deri te kultivimi i kërpudhave. E gjithë kjo punë i dha emër e vlerësim Hamitit jo vetëm tek nxënësit, por dhe tek fshatarët e zonës së Bushtricës, të cilët kur zihet në gojë Hamit Bajraktari, shprehen: “Mësues Hamiti ha bukë veç, ai i ka të rrallë shokët si mësues dhe edukator”.

Me moton e punës së tij, Hamiti udhëhiqej nga parimi se “mësuesi kudo që të punojë, duhet të lërë gjurmë të mira e të lërë diçka të mirë për të tjerët. Unë, - vinte në dukje ai, - kam pasur gjithnjë besim tek nxënësit, i kam dashur dhe respektuar ata dhe prindërit të tyre, e kam marrë prej tyre të njëjtin vlerësim”. Me këtë sens pune, duke vlerësuar punën e kolegëve të shumtë të tij që nga Burhan Hoti, Shefqet Hoxha, Mustafë Cena, Myftar Halilaj, Naim Manaj, Fejzullah Gjabri etj. i mbylli vitet e fundit para pensionit në shkollën e mesme të Gostilit ku dhe aty la gjurmë të pashlyeshme pune, edukimi e përkushtimi në punën e mësuesit. Ai, duke qenë njeri i punës, fjalëpak e punëshumë, komunikues i ëmbël, shpirtmirë dhe shakatar e i shkathtë fiksoi në mendjen e nxënësve dhe të prindërve të Gostilit se vetëm puna e dituria janë burim jete e diturie.

Proceset demokratike e gjetën mësues Hamitin në aktivitetin familjar, si pensionist i apasionuar në punët e bujqësisë, por dhe në jetën shoqërore. Ai si figurë e njohur e me personalitet, përkrahu dhe iu përkushtua jetës demokratike të re si person dhe familje. Fjala e tij me peshë dhe respekt në komunitetin e Bicajt, ishte dominuese jo vetëm te të moshuarit, por dhe te brezi i ri.

Një vit më parë, në kulmin e dëshirave e ambicieve për një jetë e punë produktive në afirmimin e normave demokratike, mësues Hamiti krejt papritur dha jetë, duke lënë një boshllëk të pariparueshëm jo vetëm në familje, por dhe në rrethin shoqëror që e ka respektuar pa ngjyrime politike. Me kujdes të veçantë i organizuan një komemoracion varrimi me një respekt të veçantë. Të gjithë bashkëfshatarët, kolegët e ish-nxënësit e tij të shumtë, edhe sot pas një viti, e sa herë që do ta kujtojnë, përulen me respekt të thellë për këtë burrë të ditur, për mësuesin e tyre që nga viti 1994 mban denjësisht titullin “Mësues i Merituar”.

Obituare

Besim Erindi, “mësuesi i sakrificës”

Ka lindur në një familje të thjeshtë, arsimdashëse, më datë 17 shkurt 1938 në Gjirokastër. U diplomua në vitin 1960 në Universitetin Shqiptar në Tiranë, në degën matematikë-fizikë. Punoi pa u lodhur gjatë gjithë jetës së tij, edhe pse i aksidentuar. Besimi ishte njeri i sakrificës, i përkushtuar për të përcjellë njohuritë shkencore tek brezat e rinj gjatë gjithë kohës. Me punën e tij të palodhur dhe metodist i shkëlqyer, kishte rezultate të larta që shiheshin tek përfundimet e nxënësve ë tij. Nxënësit e tij ruajnë kujtime shumë të mira, shumica prej tyre sot janë specialistë në fusha të ndryshme të jetës, të tillë mund të përmendim A. Santo, A. Koxhaj, pedagogë në Fakultetin Ekonomik si dhe në banka të ndryshme të Shqipërisë. Studentët e tij sot mund t’i gjesh edhe jashtë trojeve të Shqipërisë, si SHBA, Itali, Greqi, Çeki, Rumani etj. Gjatë viteve u dallua për punën e tij duke u kualifikuar me dëshmi nga USH në Tiranë për përgatitje të lartë shkencore dhe nga Ministria e Arsimit në kohë të ndryshme me Fletë Nderi dhe Fletë Lavdërimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›