E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ekzekutohet 53-vjeçari në derën e shtëpisë

24/05/2005  Gjakmarrja tjetër viktimë, arrestohet autori i dyshuar

LEZHE - Ekzekutimi i një 53-vjeçari, vetëm pak metra para shtëpisë së tij, shënon viktimën e tretë mes dy familjeve të futura në gjakmarrje, asaj Gjini dhe Zefi në Lezhë.

Ndue Zefi, nga Kallmeti i Lezhës, u vra dje në orët e para të mëngjesit, sapo kishte dalë nga oborri i shtëpisë së tij. Ai u ekzekutua me automotik, ndërkohë që policia dyshon se autor është një person i familjes Gjini, po në këtë fshat, Pjetër Gjini, 54 vjeç. Megjithatë, ende nuk është zyrtarizuar autorësia e krimit dhe pse policia ka bërë arrestimin e të dyshuarit Pjetër Gjini.

Ngjarja

Sipas njoftimit të policisë lokale, një 53-vjeçar gjeti vdekjen në orët e para të ditës së hënë, pasi është vrarë me armë zjarri, nga një shtetas për motive të dyshuara gjakmarrjeje. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në një rrugë në afërsi të banesës së viktimës Zefi. Një person i armatosur i ka ndalur rrugën dhe ka hapur zjarr ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend. Policia e Lezhës tha se autori i vrasjes është Pjetër Gjini. Ai akuzohet se për qëllime gjakmarrjeje ka ekzekutuar shtetasin Ndue Zefi.

Viktima e djeshme, kishte vrarë disa kohë më parë për motive gjakmarrjeje, vëllanë e të dyshuarit, pasi kishte humbur më parë të birin, nga pjesëtarë të këtij fisi. Sipas policisë, i dyshuari u arrestua dhe do të përballet me akuzën e vrasjes me paramendim të Ndue Zefit, për motive gjakmarrjeje, nëse i vërtetohet autorësia e krimit.

Nga sa mësohet, momentin e vrasjes në rrugë nuk ka patur asnjë dëshmitarë, por familjarët e viktimës kanë pohuar në polici marrëdhëniet që kishin me familjen Gjini.

Nga çasti që është kryer krimi, të dy familjet kanë vazhduar të qëndrojnë të mbyllur deri në momentin që do të sqarohet ngjarja.

Nga burimet e policisë thuhet se gjakmarrja mes palëve ka filluar prej kohësh. Duket se asnjera palë nuk ka pranuar të zgjidhë problemin vetëm me forcën e ligjit.

Në fillim, viktimës së djeshme i është vrarë i biri. Vrasja tjetër është pasuar me ekzekutimin e njerit prej burrave të fisit Marku që ishte dhe vëllai i të dyshuarit për krimin e djeshëm.

Gjakmarrja 5-vjeçare

Mes familjeve tre të vrarë

Para pesë vitesh mësohet nga policia se viktimës së djeshme Ndue Zefit i është vrarë i biri. Ai akuzoi atë kohë familjen Gjini dhe për këtë arsye të dy palët ranë në gjak. Ngjarjet kanë ndodhur për konflikte banale, nga grindja në shkrehje të armëve. Vetëm pas disa muajsh, Ndue Zefi qëllon mbi familjen kundërshatre dhe vret në vitin 2000 vëllanë e autorit të djeshëm. Nga ajo kohë mesohet se të dy palët nuk ishin pajtuar me njëra-tjetrën, sikurse nuk u ruajshin me pretendimin se familjet ishin një me një. Që do të thotë se të dy familjet kishin nga një të vrarë. Por pas kaq vitesh vëllai i viktimës së vitit 2000 ngrihet dhe qëllon për vdekje Ndue Zefin.

Precedenti/ 26 prill 2005

Vrau bashkëfshatarin për 1300 metër tokë

LEZHË – Vrasja e djeshme për gjakmarrje në Lezhë, është e dyta në harkun kohor të një muaji.

Pashk Coli, 56 vjeçar, mbeti i vdekur, pasi u qëllua me armë gjahu nga shtetasi Kolë Lala.

Ngjarja ndodhi më 26 prill të këtij viti, në lagjen “Gurra”, në periferi të qytetit të Lezhës.

Grupi i hetimit ka kryer shumë shpejt këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe ka bërë identifikimin e autorit, i cili ishte larguar në drejtim të paditur.

Vetëm 30 minuta pas vrasjes, uniformat blu të komisariatit të Lezhës kanë bërë të mundur vënien në pranga të autorit 60-vjeçar, i cili është kapur së bashku me armën e krimit. Kolë Lala pranoi autorësinë e vrasjes së kryer, si dhe zbardhi për policinë të gjithë historinë e konfliktit mes tij dhe viktimës Coli. Ai bëri të ditur se konflikti mes tyre kishte lindur prej disa kohësh për rreth 1300 metra tokë, të vendosura në pjesën jugore të fshatit Kodër Mulliri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›