E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpërdorimi 2 mijë metër kub në ditë, Durrësi vuan pasojat e thatësirës

24/05/2005  Vetëm 62 për qind e ujit të konsumuar paguhet

DURRES - Shpërdorimi i ujit të pijshëm si dhe nivelet e ulëta të arkëtimit të faturës së ujit kanë vënë në pikëpyetje grafikun e furnizimit të popullatës së Durrësit në stinën e verës. Ndonëse menaxhimi i ujit i është besuar që prej vitit 2003 kompanisë gjermane “Berlinuasser”, me të cilët është lidhur kontratë, drejtuesit e bashkisë, nisur nga ankesat e qytetarëve, janë shprehur se familjet në Durrës po ndiejnë vështirësi në furnzimin me ujë. Janë kryesisht zonat periferike, ato që me fillimin e stinës së ngrohtë kanë ndier mungesën e ujit të pijshëm, ndërkohë që askush deri më tani nuk është penalizuar nga kompania e menaxhimit të ujit.

Sipas statistikave që disponon Bashkia e Durrësit, vetëm 62 për qind e faturës arkëtohet, ndërsa numri i debitorëve është i lartë. Bashkia është treguar e gatshme që, përmes policisë së saj bashkiake të ndërmarrë veprime për të ndëshkuar ligjërisht personat dhe familjet që keqpërdorin ujin, por kompania e huaj nuk ka dërguar pranë saj asnjë emër dhe asnjë lloj realicioni, lidhur me ndihmën që “Berlinuasser” kërkon për të normalizuar situatën. Për pasojë, uji vazhdon të shpërdorohet gjatë gjithë rrugës në 45 km nga Fushë Kuqe deri në Durrës, si dhe brenda në qytet.

Shpërdorimi

Mes Bashkisë së Durrësit dhe kompanisë gjermane, vitin e kaluar, pati një “ftohje”, pasi bashkia paralajmëroi “Berlinuasser” për prishje të kontratës. Por, ndërsa operatori gjerman kërkoi afat për të reaguar, furnizmi i popullatës së qytetit të Durrësit me ujë ka filluar të ndiejë të njëjtat probleme si dhe vitin e kaluar.

Në mënyrë të drejtprdrejtë, Bashkia e Durrësit ka vërejtur se kompania gjermane “Berlinuasser” ka shfaqur vonesa në arritjen e treguesve për përmirësimin e gjendjes dhe nuk mirëmenaxhon Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve. Ajo që ka afruar bashkia nuk është vetëm bashkëpunimi për të ndëshkuar shpërdoruesit, por edhe për ta institucionalizuar bashkëpunimin.

“Krahas ndërgjegjësimit të popullatës për pagesën e faturës si dhe përdorimin me kursim të ujit të pishëm, duhet ndërmarrë edhe masa ndëshkuese”, janë shprehur krerë të pushtetit vendor.

Në zonat periferike ka dy javë që uji shkon një herë në dy ditë, kurse në qytet, pikërisht për shkak të shpërdorimit të ujit gjatë rrugës, por edhe në qytet, është reduktuar orari. Duke pasur parasysh prurjet e ujit nga burimi prej 900 l/sek., çdo konsumatori i takon mestarisht 200 litra në ditë.

Por, në departamentin e shërbimeve mësohet se shpërndarja nuk është e njëjtë, pasi në zonën rurale kemi një mesatare për çdo konsumator prej 400 l/ditë, ndërsa në qytet 100 l/ditë për konsumator. Kjo statistikë tregon se shpërdorimet më të mëdha me ujin e pijshëm, që përdorët në këtë stinë edhe për vaditje, vjen pikërisht gjatë rrugës ku janë vendosur familjet fshatare.

Banka Botërore projekt pilot

Humbjet më të mëdha nga galexhantët

Në qytetin e Durrësit çdo ditë shpërdorohet 2 mijë metër kub në ditë ujë si pasojë e dëmtimit të galexhantëve të depozitave vetjake të vendosura në katet e larta të çdo pallati. Megjithëse kompania e menaxhimit të ujit, por edhe Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve sh.a në Durrës, kanë ndërmarrë disa përpjekje për të ndërgjegjësuar opinionin në riparim e galexhantëve, fenomeni është cilësuar kritik dhe ndikues i drejtpërdrejtë në keqshpërndarjen e ujit.

Investigimi i bërë nga kompania dhe ujësjellësi në lagjet kryesore të Durrësit ka konstatuar se shumë depozita uji të ngujuara në katet e sipërme të pallateve, pasi mbushen rrjedhin, duke çaur dëm sasi të madhe të ujit të pijshëm.

Banka Botërore, e cila ka përfshirë Durrësin në projektin pilot, ka investuar mijëra dollarë në përmirësimin e furnizimit me ujë, por rezultatet, krahasuar me investimet, janë në nivele ende të ulëta. Gjatë këtij viti do të investohen 1.9 milionë dollarë për ndërtimin e rrjetit shpërnadrës dhe rehabilitimin e linjave. Sipas projektit, që ka nisur të zbatohet gjatë verës, do të rritet sasia e ujit deri në 4000 metër kub në ditë, kurse deri në shtator rreth 7000 metër kub ujë në ditë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›