Me pasaportë falso tentonte Maqedoninë
24/05/2005 Korçë- Pre e pasaportës së falsifikuar është bërë në Korçë një i ri nga qyteti i Fierit, i cili synonte të kalonte në Maqedoni. Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës, mësohet se, Klodian Muhaj, 21 vjeç, nga Fieri, ka tentuar të kalojë me një pasaportë falso në vendkalimin kufitar të Qafë-Thanës, në Pogradec, por ndërkohë është kapur nga policia kufitare e Qafë-Thanës. Të njëjtat burime saktësuan se, gjatë kontrollit të ushtruar mbi emigrantët, që do të hynin në shtetin fqinj të Maqedonisë, u konstatua se Muhaj kishte në përdorim një pasaportë të falsifikuar. Edhe pas verifikimeve të mëtejshme rezultoi se pasaporta e qytetarit nga Fieri ishte e pasaktë. Në këto rrethana, policia kufitare e Qafë-Thanës arrestoi 21-vjeçarin, ndërsa prokuroria e rrethit po heton rreth kësaj çështjeje. Me prangosjen e Klodian Muhaj, numri i të rinjve të arrestuar aktualisht shkon në 8 vetë.