E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 milionë lekë për shpronësimin e pronarëve në rrugën Bulqizë-Ura e Çerenecit



Banorët e zonës ku kalon rruga Bulqizë-Ura e Çerenecit brenda datës 15 shtator të këtij viti do të nisin të shpronësohen për tokën që iu merret për ndërtimin e këtij aksi. Kjo është vendosur dje nga Këshilli i Ministrave. Kjo zonë ku prej muajsh është kthyer në kantier ndërtimi, është pjesë e rëndësishme ku do të kalojë rruga e Arbërit, e cila do të shkurtojnë 100 kilometra rrugë nga Tirana në Dibër. Këshilli i Ministrave miratoi dje shpronësimin, për interes publik të pronarëve të pasurive së paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Bulqizë-Ura e Çerenecit, në rrethin e Bulqizës, me një vlerë të përgjithshme prej 7.115.188 lekësh. Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bëri të ditur se, sipas këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë për sipërfaqen 39.260 m2 tokë arë, të vlerësuar me 7.067.992 lekë dhe për sipërfaqen 108 m2 tokë truall, me një vlerë shpronësimi 47.196 lekë. Shpronësimi fillon më 15 shtator 2008 dhe do të përfundojë më 30 nëntor 2008.

Shpenzimet procedurale, në shumën 1.645.000 (një milion e gjashtëqind e dyzet e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 7.115.188 (shtatë milionë e njëqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga buxheti shtesë i vitit 2008, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënim “Plotësim dokumentacioni”, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të verifikojë përputhshmërinë e sipërfaqeve, të cilat preken, me numrat e pasurive, në pronësi të pronarëve që shpronësohen. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›