E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia sektoriale e furnizimit me ujë, në shtator në qeveri

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit pritet që brenda muajit shtator të dërgojë për miratim në Këshillin e Ministrave strategjinë sektoriale të furnizimit me ujë dhe shërbimit me kanalizime. Sipas burimeve zyrtare të këtij dikasteri, tashmë ka përfunduar konsultimi me grupet e interesit dhe grupet e donatorëve për strategjinë sektoriale të furnizimit me ujë dhe shërbimit me kanalizime.

Një ndër objektivat e kësaj strategjie, sipas ekspertëve, është edhe furnizimi me ujë të pijshëm për çdo familje, si dhe largimi e trajtimi i ujërave të zeza. Burimet zyrtare thanë se në këta shtatë muaj të vitit 2008 është bërë i mundur transferimi faktik i sistemeve të sektorit të ujësjellës kanalizimeve nga qeveria qendrore në pronësi dhe administrim të qeverive lokale. Por, sipas tyre, qeveria do të mbështesë plotësisht bashkitë dhe komunat që të rrisin cilësinë dhe sasinë e këtij shërbimi në mënyrë autonome. Njëkohësisht në sektorin e ujësjellësve do t'i hapet rrugë tërheqjes së kapitalit privat nëpërmjet kontratave koncesionare e të menaxhimit. Investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve për vitin 2008 janë 7.5 miliardë lekë ose 45 % më të larta se në vitin 2007.

Rriten investimet për sigurinë rrugore

Investimet për rritjen e sigurisë rrugore dhe sinjalistikën në rrjetin rrugor kombëtar të vendit gjatë vitit 2008 janë dyfishuar. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në vitin 2008 fondet për përmirësimin e sigurisë rrugore arritën në 174 milion lekë nga 95 milionë që ishin një vit më parë.

Ekspertë të infrastrukturës rrugore shpjeguan se në po të njëjtën masë është rritur edhe eficienca në përdorimin e këtyre fondeve. Në 7 muaj të këtij viti realizimi faktik vjetor i fondeve në këtë zë ka qenë 91 për qind, ndërkohë që, përgjatë gjithë vitit 2007 ky zë është realizuar vetëm 55 % e fondit vjetor për sigurinë. Investime janë kryer në sinjalistikë dhe barriera mbrojtëse, përmirësim sigurie rrugore etj., në akset Jergucat-Sarandë-Butrint, Rrogozhinë-Lushnjë, Durrës-Rrogozhinë, Korçë-Ersekë-Çarshovë Loti 1, Tiranë-Parku Kombëtar Dajt, Fushë Krujë-Lezhë. Po kështu, sipas specialistëve, është punuar edhe për përmirësimin e sinjalistikës vertikale dhe barrierave metalike në akset Mjedë-Pukë-Fushë Arrëz, Lushnjë-Berat, Fushë Krujë-Milot-Lezhë, Çermë-Divjakë etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›