E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton strategjinë sektoriale të transportit

Me propozim të ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, Këshilli i Ministrave, miratoi në mbledhjen e djeshme “Strategjinë sektoriale të transportit”. Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, që brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të përgatisë planin e veprimit për zbatimin e kësaj strategjie. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”

Zhdoganimi i mallrave të akcizës u rrit në muajin korrik

Importimi i karburanteve gjatë muajit korrik dha ndikimin kryesor në rritjen e mallrave të akcizës, të cilat në total kapën vlerën e 5 miliardë e 218 milionë lekëve. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në muajin korrik 2008, importi i mallrave me akcizë zuri 13.9% ndaj totalit të importit, ku peshën kryesore e zunë nënproduktet e naftës me 69.4%. Në korrik 2008 u importuan gjithsej 37 miliardë e 575 milionë lekë mallra, vlerë kjo që rezulton me një rritje prej 22.4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007, dhe 3.3% më shumë, krahasuar me muajin qershor 2008. Akcizat përfaqësojnë tatime me nivele të larta tarifore mbi konsumin e një kategorie të caktuar mallrash dhe aplikohen kryesisht, mbi produktet e dëmshme për shëndetin, mallrat që ndotin ambientin, si dhe mallrat e luksit. Në grup-artikujt kryesorë të taksueshëm me akcizë në Shqipëri, përfshihen nënproduktet e naftës, pijet alkoolike, birra, vera etj., duhani dhe nënproduktet e tij, kafeja, lëngjet e frutave dhe pijet freskuese, si dhe artikujt e kozmetikës, parfumerisë e tualetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›