E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli me gratë në Fier, “Ne ia dalim”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, rinisi dje turin e saj “Gratë për gratë” në qytetin e Fierit, kësaj here me një mesazh të ri, “Ne ia dalim”. Një grup i madh grash të suksesshme të qytetit pritën kryeparlamentaren. “Ndihem mirë kur shoh përreth gra, nëna që janë shtyllat e familjes së tyre, nëna krenare për fëmijët e tyre, gra që përpiqen me kurajë e vështirësitë e jetës. Ndihem mirë për këto zonja që kanë punuar me vullnet në profesionet e tyre, të reja me ëndrra në karrierën e tyre”, - u shpreh Topalli. Duke shpjeguar filozofinë e ndryshimit, ecurinë e zbatimit të reformave kryetarja e Kuvendit tha se “kushdo që mund të ketë dyshimin më të vogël ndaj një realiteti të tillë, përgjigjen e gjen tek firmosja e kontratës me BE, në pranimin e përfitimit të sfidës së mijëvjeçarit”. Kryetarja e Kuvendit u shpreh se gratë kanë kontribut të jashtëzakonshëm në ndryshimin e mentalitetit të shoqërisë dhe në fitimin e sfidave të vështira gjatë këtyre viteve. Një surprizë u rezervua për kryetaren e Kuvendit në maternitetin e Fierit, ku ajo asistoi në lindjen e fëmijëve. Ajo pagëzoi emrat e tyre, si dhe vlerësoi shumë punën profesionale të mjekut përgjegjës të këtij spitali dr. Besnik Brahimaj, të cilin e cilësoi si model suksesi në punë. Pjesëmarrëset në takim e vlerësuan kryetaren e Kuvendit si promotore të lëvizjes në mbrojtje të të drejtave të grave, në tërë Shqipërinë. “Ne shohim te ju zonja kryetare modelin e gruas së arrirë, që ia del mbanë çdo pune, në sajë të zemrës dhe mendjes së saj”, - u shpreh zonja Arieta Cumani, një menaxhere e njohur biznesi në qytetin e Fierit. Model për të gjitha gratë në karrierë, por dhe në jetën familjare u cilësua kryetarja e Kuvendit dhe nga avokatja Vasilika Hysi. “Ne besojmë tha ajo se bota do të jetë më e drejtë dhe me të ardhme më të sigurt nëse gratë do të kishin më shumë hapësirë në jetën publike dhe politike”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›