E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 muaj në Shqipëri, si 7 vjet në Spanjë

Hulian Rubio Sançez

Hulian Rubio Sançez ndihet mirë në Shqipëri, paçka se në harkun e 7 muajve ka mësuar edhe shumë gjëra, që sipas tij nuk kanë lidhje shumë me futbollin.
Gjithsesi në një intervistë për mediat spanjolle (http://noticias.lainformacion.com), trajneri i Tiranës ka pasqyruar “pa doreza” ashtu siç e shikon ai nga jashtë Superioren. “Jam shumë i lumtur me atë çka i kam dhënë futbollit këtë sezon në Shqipëri. Ndihem i realizuar jo vetëm në aspektin personal, por dhe duke parë ecurinë e skuadrës sime. Kam në dispozicion një skuadër me djem të mirë që dinë si të sillen jo vetëm në fushën e lojës por edhe jashtë, megjithëse nuk janë absolutisht të kalibrit të lojtarëve spanjollë. Mund të them se kam një raport vëllazëror dhe e shikoj se ata (lojtarët) kanë besuar te unë dhe kanë bërë gjithçka që unë u kam kërkuar si në stërvitje dhe në fushën e lojës”, pohon tekniku. I ardhur te Tirana në verën e vitit të shkuar, Rubio arriti menjëherë të fitonte zemrat bardheblu me fitoren në Superkuën e Shqipërisë ndaj Skënderbeut. Sakaq, tekniku arriti të rivalizojë me Tiranën edhe në kampionat, madje duke qenë edhe finaliste e Kupës, paçka se në fillim të sezonit askush nuk e shikonte ekipin bardheblu si rival të denjë për titull. Më tej, Rubio tregon momentin më të mirë të ditës së tij te Tirana, që sipas tij janë orët kur ai stërvit skuadrën. “Shtatë muaj këtu janë të barabartë me shtatë-tetë vjet në Spanjë, nëse llogarisim vështirësitë dhe modalitetet e kampionatit shqiptar. Unë ndiej se jam fituesi moral i Superiores, kjo edhe për faktin se drejtoj një skuadër e cila ka luajtur gjithë kohës ndershëm. Në media kam parë të flitet për rezultate si dhe për lidhje mjaft të dyshimta mes politikës dhe presidentëve të disa klubeve, të cilët përfaqësojnë edhe pjesën më të fuqishme të biznesmenëve”, vazhdon Rubio. Në fund, tekniku i Tiranës sheh si problemin më të madh në Shqipëri infrastrukturën e dobët. “Ndonëse kam stërvitur shpeshherë në mesditë, çka nuk e bëja në Spanjë, mund të them se e kam bërë me shumë zell. Vërej se problemi më i madh në Shqipëri janë fushat e futbollit, të cilat janë në kushte të mje-rueshme. Hiq dy-tri fusha, të tjerat janë totalisht jashtë standardeve. Gjithsesi unë jam munduar të ambientohem, duke i parë edhe si gjëra normale. Personalisht ndihem mirë dhe ndaj meje vërej afeksion e mbështetje të njerëzve. Hahet mirë, madje kuzhina është thuajse po aq ekologjike se edhe në Spanjë”, përfundon tekniku spanjoll i bardhebluve.

Kontrata
I pyetur lidhur me të ardhmen e tij, Rubio ka pohuar se ndonëse ndihet si një trajner veteran, dëshiron të punojë edhe për disa vite. “Në Shqipëri apo gjetkë? Nuk e di. Më është ofruar rinovimi i kontratës, por kam edhe oferta nga klube të tjera në Europë, ndaj më së pari do shikoj të gjitha mundësitë”, pohon Rubio.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›