7 të vdekur nga virusi A/H1N1 në Kosovë
Në Kosovë shkon në 7 numri i vdekjeve nga gripi i derrit. Lajmi është konfirmuar për mediet kosovare nga Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Tri viktimat e fundit të konfirmuara janë dy femra dhe një mashkull të moshës nga 24 deri në 40 vjeç. Ndërkohë, ka vdekur edhe një 37-vjeçar nga rrethi i Gjilanit. Sipas ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, fillimisht kanë ekzistuar vetëm dyshimet se vdekja e pacientëve ka ardhur nga virusi pandemik AH1N1 por më pas u janë marrë mostrat për testim. Mostrat janë përpunuar gjatë ditës së martë dhe me rezultatet janë konfirmuar në mbrëmjen e asaj dite. Grupi punues për menaxhimin e pandemisë u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shtojnë kujdesin dhe t’i zbatojnë masat preventive, duke respektuar rekomandimet dhe këshillat e institucioneve, në veçanti lajmërimin me kohë te mjeku. “Përkundër faktit që Komiteti Nacional i Kosovës për Sëmundje Ngjitëse ka rekomanduar marrjen e vaksinës kundër gripit A H1N1, asnjë nga qytetarët e as nga punëtorët shëndetësorë të QKUK-së nuk janë vaksinuar”- shkruan gazeta kosovare “Express”.
27 Nentor 2009