Ndihmës ekonomike do ti shtohet dhe paketa ushqimore
Jonida Tashi
Skemën së ndihmës ekonomike, duke filluar që nga viti 2010 do t’i shtohet dhe paketa ushqimore. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço. Ky i fundit ka pohuar se nga paketa ushqimore do të përfitojë çdo familje në nevojë. “Paketa ushqimore do të jetë një paketë e cila do të jepet në formë të një kuponi për familjet ekstremisht në nevojë dhe do të jepet një herë në 3 muaj, 4 herë në vit, me 2500 lekë për familje”,- deklaroi Naço.
Kategoritë
Në vitin 2010 në skemën e ndihmës ekonomike do të shtohen edhe disa kategori të reja përfituese. Për këtë arsye, fondi për këtë skemë, për vitin e ardhshëm parashikohet të jetë më i lartë. Por ndërsa deklarojnë ndryshimet që do të pësojë skema e ndihmës ekonomike gjatë vitit 2010, zyrtarët e Ministrisë së Punës, që mbikëqyrin shpërndarjen e kësaj pagese bëjnë të ditur se do të shtohen monitorimet e rrepta nga institucionet përgjegjëse për të hequr nga skema familjet abuzuese “Në qoftë se për vitin 2007 janë alokuar për fondet ndihmën ekonomike 2.6 miliardë lekë, për vitin 2010 kjo shifër dyfishohet dhe arrin në 5.2 miliardë lekë. Gjithashtu parashikohet që në vitin 2011, fondi për ndihmën ekonomike të arrijë në 6.2 miliardë lekë dhe në vitin 2013 në 6.8 miliardë”,- pohoi drejtori i Shërbimit Social. Ndërsa përsa i përket abuzimeve të pranishme prej vitesh në skemën e ndihmës ekonomike, Naço argumenton se ndonjëherë janë interesat klienteliste të anëtarëve të këshillave komunale ose bashkiake, të cilat fusin në skemë përfitues të cilët nuk duhet të jenë në këtë skemë”. Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 94 mijë familje që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Deri në vitin 2013 parashikohet që ky numër të reduktohet në 70 mijë familje, me synimin që në këtë mënyrë do të ulet edhe niveli i varfërisë në vend.
Projektligji
Tashmë Ministria e Punës e ka gati projektligjin e ri “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, i cili duhet të miratohet nga qeveria për të nisur zbatimin e tij në praktikë. Sipas këtij projektligji, kushtëzimet e reja të shpërndarjes së ndihmës sociale do të krijojnë mundësinë për ta administruar më mirë skemën e ndihmës ekonomike, duke përcaktuar kështu edhe kohëzgjatjen e familjeve në skemë etj. Ministria e Punës ka ndërmarrë iniciativën për hartimin e një projektligji që parashikon ndryshime të rëndësishme në ligjin aktual “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të cilat kanë të bëjnë me zgjerimin e grupeve përfituese, që do të përfshihen për herë të parë në skemë, duke u bazuar jo vetëm në kritere ekonomike, por edhe sociale, si dhe në futjen e elementëve të rinj në mënyrën e shpërndarjes së pagesës kesh me qëllim uljen e abuzivizmit. Ndryshimet e propozuara në skemë parashikojnë zgjerimin e kategorive të përfituesve, kjo pasi në praktikë është vërejtur se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë. Nga ndryshimet që përcaktohen në projektligjin e ri parashikohet që të përfitojnë mbështetje për herë të parë edhe rreth 800 persona jetim, rreth 400 persona viktima të trafikut, 500 gra në rastet e praktikave të divorcit.
27 Nentor 2009