E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, priten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale



Blerina Olldashi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Publikimi i rezultateve është vonuar më shumë nga ç’ishte parashikuar për shkak të një numri ankesash të paraqitura nga subjektet e ndryshme politike për parregullsi dhe për procesin e rinumërimit të disa kutive të votimit. Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar rezultatet e zgjedhjeve në 15 vendvotime pas konstatimit se ka pasur “shkelje ligjore gjatë procesit të votimit”. Tetë nga këto vendvotime janë në Gjakovë, tri në Lipjan, dy në Shtime, një në Malishevë dhe një në Shtërpcë.
Vendimin për anulimin e rezultateve në disa vendvotime të Gjakovës e ka përshëndetur Aleanca Kosova e Re, e cila kishte paraqitur ankesat më të mëdha për keqpërdorim të mundshëm të votave. Anulimi në 15 vendvotime, sipas KZAP-it, është bërë pasi rezultatet e rinumërimit të votave kanë ofruar dëshmi të bazuara për parregullsi serioze, ose mashtrim zgjedhor të qëllimshëm.
Kryetari i KZAP-it, Tahir Rreçi, nuk dha detaje se për çfarë lloj mashtrimesh zgjedhore bëhet fjalë. “Ne kemi pretenduar se ekzistojnë shkeljet ligjore, mbi bazën e të cilave duhet të anulohen. Detaje nuk mund t’ju komunikoj për momentin”,- tha Rreçi. Ndërsa, Osman Tmava, njëri nga anëtarët e panelit të KZAP-it, që ka marrë vendimin për anulim, tha se “komente të vendimeve nuk jepen”. Në anën tjetër, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, bëri të ditur se parregullsitë kanë të bëjnë me falsifikim nënshkrimesh. Parregullsi janë vërejtur edhe nga vëzhguesit e “Demokracisë në Veprim”. Ky koalicion i organizatave joqeveritare ka konstatuar në një raport se, dita e zgjedhjeve në Kosovë u karakterizua me një varg shkeljesh, ku sipas të dhënave që posedohen, kryesisht kanë qenë të natyrës së njëjtë në shumicën e vendvotimeve, përveç disa qendrave ku shkeljet ishin më të rënda. Sipas të dhënave të mbledhura nga “Demokracia në Veprim” parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve ka pasur në 126 vendvotime ose në 5.6 për qind të totalit të vendvotimeve. Në disa vendvotime, siç thuhet në raportin e Demokracisë në Veprim, që është prezantuar të enjten, nuk janë kontrolluar dokumentet identifikuese, pastaj ka pasur mungesë të materialit në vendvotime duke krijuar mundësi për manipulime. Mjaft i pranishëm, sipas raportit, ka qenë edhe votimi familjar, kur dy e më shumë persona futen në kabinën e votimit duke ndikuar njëri tjetrin, pastaj edhe asistenca e shumëfishtë që ofronin personat e njëjtë brenda pikave të votimit. Ndër shkeljet më të mëdha sipas Demokracisë në Veprim ishin edhe parregullsitë nga ana e komisionarëve të cilët ndërhynë në votat me kusht, pastaj votuan më shumë se një herë, nënshkruanin në emër të personave në mënyrë që të barazoheshin fletëvotimet me nënshkrimet në lista si dhe shpesh zëvendësoheshin nga vëzhguesit partiak në punët teknike.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›