Nëpunësit dhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës nënshkruajnë peticion
Të garantohet dinjiteti njerëzor e profesional, të ndalet agresioni verbal ndaj Bashkisë së Tiranës!
“Ne, nëpunësit dhe punëtorët e Bashkisë së Tiranës kërkojmë sot vëmendjen e opinionit publik shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë, mbi kulminacionin e një fushate akuzash e shpifjesh që prej vitesh të tëra lëshohen drejt Bashkisë së Tiranës, ndërmarrjeve të saj të varësisë, punonjësve dhe drejtuesve të saj, duke marrë përmasa poshtëruese për të gjithë ne, ditët e fundit.
Ne jemi ata që pastrojmë çdo natë Tiranën, që ndërtojmë e mirëmbajmë çerdhet, kopshtet e shkollat dhe mikpresim çdo vit në dyert e Bashkisë, individualisht 70 mijë qytetarë në vit.
Ne jemi ata që kujdesemi për fëmijët, të moshuarit e njerëzit në nevojë. Ne jemi ata që projektojmë, ndërtojmë e mirëmbajmë rrugë e trotuare, parqe e lulishte, kënde lojërash e kënde sportive.
Ne jemi ata që konceptojmë e hartojmë vendimmarrjen e këtij institucioni model, që duke ndryshuar rrënjësisht vetveten, ka ndryshuar tërësisht Tiranën.
Ne jemi ata që përmes punës shpeshherë pa orar dhe përkushtimit ndaj detyrës, ndërtojmë çdo ditë Tiranën që duan të gjithë, por fatkeqësisht jemi gjithashtu ne, që kur kthehemi në shtëpi, duhet të dëgjojmë nga ekranet e televizorëve akuza monstruoze që na prekin të gjithëve, të cilat prej vitesh na kanë trazuar shpirtërisht e madje familjarisht.
Ne sot jemi këtu, në emër të 2633 qytetarëve në detyrë, nga punëtorët e pastrimit e gjelbërimit, deri tek specialistët e drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, por edhe në emër të familjeve tona, të gjyshërve, prindërve, fëmijëve, të këtij komuniteti nëpunësish e punonjësish që nuk mund të heshtë më.
Dinjiteti ynë njerëzor, dinjiteti ynë profesional, dinjiteti ynë si nëpunës të shtetit shqiptar, në një institucion të këtij shteti, është cenuar thellësisht dhe durimi ynë ka sosur.
Duke punuar çdo ditë nën trysninë e përbaltjes së politikës, që për interesat e saj lëshohet ndaj Bashkisë së Tiranës dhe me ndjenjën e lartë të detyrimit tonë ligjor, moral e profesional, për të garantuar shërbime gjithnjë e më të mira për qytetarët e Tiranës, ne kërkojmë publikisht në emrin tonë, të familjeve tona e të rrethit tonë shoqëror:
Ndaljen e agresionit të patolerueshëm verbal, të akuzave ekstreme e të shpifjeve vulgare ndaj pushtetit vendor që ne përfaqësojmë, nga ana e qeverisë qendrore.
Sensibilizimin e opinionit publik mbi karakterin antikushtetues, antiligjor, antiqytetar, madje antinjerëzor të kësaj përbaltjeje që në fakt godet çdonjërin nga ne, 2633 të padukshmit që cenohemi në punën, në dinjitetin e në familjen tonë.
Informimin e të gjithë trupit diplomatik në Shqipëri dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, mbi shkeljet flagrante të përditshme të lirive e të të drejtave tona si njerëz që shohim e bëjmë punën tonë, e cila është sot e kushtëzuar edhe nga shkelje të pajustifikueshme të Kushtetutës e të Kartës së Autonomisë Vendore.
Viola Haxhiademi
Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse
27 Nentor 2009