E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi A/H1N1, rëndohet situata me 60 raste në ditë



Emanuela Sako
Rëndohet situata e gjendjes virusale e AH1N1 në vendin tonë. Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se vetëm në QSUT shënohen rreth 50-60 raste në ditë me gripin e derrit, të cilët kurohen në Spitalin Infektiv. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi bën të ditur se janë 110 raste çdo ditë me virusin gripal, nga të cilët 50-60 raste janë me gripin e derrit, ndërsa të tjerët janë me gripin sezonal. Ai ka kërkuar që qytetarët që vënë re simptomat të drejtohen menjëherë në spitale për të mos rënduar gjendjen shëndetësore. Prej disa ditësh, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se vendi ynë është pjesë e vendeve që vuajnë nga epidemia gripale.
Situata
Shefi i Infektivit në QSUT, Dhimitër Kraja deklaroi se vendi nuk ka hyrë në fazën e pandemisë, ndërkohë që rreth 15 për qind e rasteve me A/H1N1 në ditë shtrohen në spital. Nga 5 rastet e fundit të konfirmuara dhe të kuruara në Spitalin Infektiv, dy prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Kështu, në vend shënohen 3 raste që paraqiten në gjendje të rëndë shëndetësore të shkaktuara nga gripi i derrit. Në të gjithë vendin janë konfirmuar 12 mijë raste në javë nga gripi sezonal. Me uljen e temperaturave stinore, pritet që rastet me viruse stinore dhe ato me AH1N1 të pësojnë një rritje të ndjeshme. Specialistët kanë bërë të ditur se gripi sezonal po shfaqet me simptoma më të rënda se gripi i derrit. Prandaj qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj dy gripeve.
Dozat
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur numrin e dozave të vaksinës që do të sigurohen për vaksinimin e popullatës. Pritet ardhja e 250 mijë dozash të vaksinës kundër virusit dhe do të vijnë në filli të muajit dhjetor. Të parët që do të vaksinohen janë kategoritë më emergjente. Sipas përcaktimit të Ministrisë së Shëndetësisë, faza e vaksinimit do të fillojë me mjekët dhe infermierët dhe më pas do të vazhdojë me gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit, invalidët etj. Ministria ka këshilluar që qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj udhëzimeve të dhëna më parë, si dhe kërkoi që pacientët të kryejnë vizita të shpeshta mjekësore edhe për virozat e thjeshta. Sipas specialistëve, shtimi i rasteve ka ardhur si pasojë e ndryshimit të temperaturave dhe ftohjes së motit. Ndryshimet klimaterike kanë bërë që të shtohet numri i personave të prekur nga gripi i zakonshëm dhe kombinimi i dy viruseve e bën më të vështirë situatën dhe evidentimin e virusit.

OBSH: Vaksinimi kundër gripit të derrit do të vazhdojë

Përfaqësuesi i OBSH-së në vendin tonë, Anshu Banerje deklaroi se vaksina ndaj virusit A/H1N1 do të vazhdojë të injektohet tek të gjitha grupet e riskut në të gjithë botën. Kjo deklaratë vjen në kundërshtim me deklaratat e disa vende të botës, të cilat janë ankuar për krijimin e reaksioneve të ndryshme tek disa pacientë. Ai është shprehur se pavarësisht se ajo ka sjellë disa komplikacione tek pacientët duke shkaktuar reaksione alergjike. Kjo deklaratë e tij ka ardhur pasi Kanadaja ka nxjerrë jashtë përdorimit një kontingjent të vaksinave ndaj A/H1H1, të cilat gjatë injektimit të tyre kanë shkaktuar probleme në organizëm. Përfaqësuesi i OBSH-së në vendin tone, Anshu Banerje, u shpreh se vaksina do të përdoret për të gjithë fëmijët dhe ajo nuk shkakton asnjë risk në organizmin e tyre. Tashmë në vendin tonë, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, vaksina ndaj A/H1N1 pritet të vijë në fillim të muajit dhjetor. Aktualisht, gripi i derrit në vend nuk ka shkaktuar asnjë viktimë, madje dhe komplikacionet që ka sjellë tek pacientët e prekur nuk kanë qenë të një grade të lartë. Megjithatë edhe Shqipëria ka hyrë në hartën e shteteve që janë në një situatë epidemike.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›