Sigurimi shëndetësor, Vasili: Qytetarët të kontribuojnë
Qytetarët duhet të kontribuojnë për sistemin shëndetësor duke paguar sigurime, pasi vetëm kështu do të ketë një shkëputje nga sistemi i vjetër dhe pacientët do të përfitojnë më shumë shërbime. Kjo ka qenë deklarata e Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili u shpreh se qytetarët nuk duhet ta kërkojnë zgjidhjen tek spitalet jashtë vendit, por në rast se shpenzojnë dhe paguajnë detyrime ndaj sistemit shëndetësor do t’u ofrohen shërbime të reja dhe cilësore. ”Duhet të shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga mitizimi i shërbimeve që ne shohim jashtë Shqipërisë. Sisteme shëndetësore që mbahen nga hiçi dhe që ofrojnë shërbime pa fund duke mos krijuar asnjë lloj burimi financiar, që nuk është përfitues, por është për të mbajtur në këmbë sistemin, nuk ka dhe nuk mund të ketë në botë”,- u shpreh Vasili. Reformimi në sistemin shëndetësor po arrihet edhe me ndihmën e donatorëve të huaj. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, shumë shpejt vendi ynë do të ketë rrjetin e vetë të urgjencave. “Qeveria dje ka miratuar marrëveshjen në princip të grantit japonez, i cili mundëson ngritjen e departamenteve të urgjencës në gjithë rrethet që janë qendër qarku dhe në dy rrethe të tjera si Lushnja dhe Saranda, duke krijuar në këtë mënyrë rrjetin e urgjencës kombëtare”, u shpreh Vasili. Ministri deklaroi se reforma do të shtrihet dhe në rrjetin e farmacive. Cilësia e medikamenteve që ofrohen në vend, kontrollet, ndaj falsifikimeve të mundshme, do të jenë disa nga politikat e shëndetësisë gjatë vitit 2010.
Kryetarja e Kuvendit: “Dhuna është kancer i shoqërisë”
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli është shprehur kundër rasteve të dhunës dhe shifrave alarmante që janë bërë publike. Në Kuvendin e Shqipërisë, u organizua një senacë e posaçme për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare kundër dhunës ndaj grave. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi dhunën ndaj grave si një kancer për të gjithë shoqërinë dhe tha se kjo luftë dhe ajo kundër tumoreve janë beteja të pandalshme. Sipas saj, dhuna ka prekur shoqërinë shqiptare, e cila po vuan çdo ditë pasojat e saj. Kryetarja e Kuvendit tha se dhuna është një fenomen që cenon integritetin e nënave, grave, dhunon dinjitetin njerëzor. Ajo bëri thirrje për më shumë bashkëpunim mes politikës, shoqërisë civile, policisë, gjykatave dhe pushtetit vendor për të mbrojtur viktimat e dhunës. “Ai që dhunon familjen është rrezik tashmë jo vetëm për njerëzit e tij, por është rrezik për popullin e tij. Ai që dhunon nënën e tij, dhunon edhe institucionet. Ai që dhunon këdo që ka rreth tij, ëndërron të dhunojë edhe shtetin. Për viktimën nuk ka qenë e lehtë ardhja deri në polici. Trajtojini me zemër. Gjykatat, duhet të kenë parasysh se nëse viktimat e dhunës humbin besimin te drejtësia, atëherë e kemi humbur betejën.
Aplikoni dënimet e duhura për dhunuesit. Dhuna në familje është një krim dhe duhet trajtuar si i tillë“, - theksoi Kryetarja e Kuvendit.
27 Nentor 2009