Nëpunësit e Bashkisë, peticion organizmave ndërkombëtare kundër agresionit të qeverisë
Emanuela Sako
Punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë firmosur një peticion, drejtuar organizmave ndërkombëtare, për të ndalur fushatën e akuzave në drejtim të punës së bashkisë nga qeveria. Ata kanë kërkuar ndalimin e agresionit verbal dhe garantimin e dinjitetit njerëzor dhe profesional. Sipas tyre, institucioni i bashkisë po dhunohet nga një sërë akuzash dhe shpifjesh të shumta, të bëra nga kryeministri i vendit dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë. Si kundërpërgjigje të akuzave, punonjësit kanë vënë në dukje punën e kryer nga ky institucion që po përballet me akuza të njëpasnjëshme. Kohët e fundit, qeveria ka lëshuar një numër akuzash për punën e Bashkisë së Tiranës, ku në qendër të konfliktit është vendosur toka në qendër të Tiranës, pranë sheshit “Skënderbej” dhe një pjesë toke pranë ish-Parkut Rinia, në pronësi të “Taivan” sh.p.k.
Ankesat
Nëpërmjet një deklarate të bërë publike, punonjësit e bashkisë kanë kërkuar informimin e të gjithë trupit diplomatik në Shqipëri dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, mbi shkeljet flagrante të lirive dhe të të drejtave të njeriut. Punonjësit e bashkisë kanë kërkuar ruajtjen e autonomisë vendore, pasi sipas tyre, ajo sot është kushtëzuar nga shkelje të pajustifikueshme të Kushtetutës e të Kartës së Autonomisë Vendore. Ata, janë shprehur se aktualisht po punojnë me një durim të sosur nga akuzat dhe shpifjet që po bëhen çdo ditë në drejtim të këtij institucioni. “Ne sot jemi këtu, në emër të 2633 qytetarëve në detyrë, nga punëtorët e pastrimit e gjelbërimit, deri tek specialistët e drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, por edhe në emër të familjeve tona, të gjyshërve, prindërve, fëmijëve, të këtij komuniteti nëpunësish e punonjësish që nuk mund të heshtë më. Dinjiteti ynë njerëzor, dinjiteti ynë profesional, dinjiteti ynë si nëpunës të shtetit shqiptar, në një institucion të këtij shteti, është cenuar thellësisht dhe durimi ynë ka sosur”, - thuhet në deklaratë.
Akuzat
Konflikti mes pushtetit qendror dhe atij vendor ka arritur kulmin gjatë kohëve të fundit, ku në qendër të vëmendjes janë venë dy prona në qendër të Tiranës. Kryeministri Berisha, dy ditë më parë akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për shitjen e tokës pranë ish-Parkut Rinia, ku ndodhet qendra “Taivan”, se toka është shitur në kundërshtim me ligjet e vendit. Ndërkaq, toka është shitur në vitin 2005 dhe për shitjen e truallit ka votuar Këshilli Bashkiak ku pro këtij vendimi kanë votuar edhe këshilltarët e Partisë Demokratike. i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë deklaruar se toka është shitur brenda procedurave ligjore dhe për efekt legalizimi, ku është votuar nga ana e Këshillit Bashkiak, me Vendim Nr. 2, dt. 17 shkurt 2005. Çështje tjetër e bujshme e konfliktit mes qeverisë dhe bashkisë është dhe toka në qendër të qytetit, për të cilën janë pezulluar punimet. Sipas bashkisë toka në qendër, është pronë private dhe brenda rregullave ligjore, ndërsa qeveria i ka kundërshtuar duke deklaruar se është pronë e shtetit.
27 Nentor 2009