E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: “Plan të ri veprimi ndaj Kosovës”



Presidenti i Serbisë Boris Tadiç deklaroi se në negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës nevojitet një plan i ri veprimi dhe se jo përshtatshmëria është një nga problemet themelore në Serbi. “Kjo është ajo që sot i duhet Serbisë, një plan i ri veprimi. Ky është njëri nga problemet themelore me të cilin po përballemi. Inovacioni është më se i nevojshëm në sjelljen e vendimeve politike”,- ka thënë Tadiç në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë. “Ai që e ka mësuar mësimin e thjeshtë se qasja e ngurtë dhe tradicionale, e cila nuk dha rezultate nuk mund të përsëritet as në të ardhmen, e humb të drejtën dhe legjitimitetin për ta bërë punën në të tashmen”,- ka thënë presidenti serb. Në fjalimin drejtuar akademikëve, Tadiç tha se në mesin e tyre ka njerëz, të cilët “janë të aftë të japin kontribut për interesat e shtetit dhe shoqërisë”, por ka edhe anëtarë të ASHAM “të cilët ndoshta nuk kontribuojnë si duhet për proceset pozitive”.

Serbi
Deputetja qëllon me këpucë drejtuesen e Parlamentit

Sesioni i parlamentit është ndërprerë pasi një deputete e Partisë Radikale të opozitës ka gjuajtur me këpucë drejtuesen e këtij sesioni. Lajmi është raportuar nga media beogradase. Deputetja nuk ka arritur të qëllojë në shenjë. Gordana Pop-Lazic e Partisë Radikale Ultranacionaliste ka qëlluar me këpucën e saj në drejtim të Gordana Comiç, e Partisë Demokratike në qeveri, pasi ajo ishte e pakënaqur nga vendimi për të mos lejuar një tjetër përfaqësues të Partisë Radikale të flasë në parlament.

Mali i Zi
Autoritetet të gatshme për demarkacionin me Kosovën

Mali i Zi është i gatshëm për bisedime rreth demarkacionit të kufirit me Kosovën, dhe ato do të fillojnë kur të vendosë Prishtina zyrtare. Kështu ka thënë ndihmës ministri i jashtëm malazez, Dragan Gjuroviç. Zyrtari i ka thënë shtypit në Podgoricë se dinamika dhe koha e bisedimeve varen nga Prishtina, dhe se fillimisht duhet marrë vendim politik. Gjuroviç ka thënë se Podgorica e ka bërë gati dokumentacionin për kufirin, dhe se kufiri administrativ ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës është i përcaktuar në bazë të kadastrës së vitit 1953.

Kina
Angazhohet me shifra konkrete për klimën

Kina që konsiderohet si ndotësja më e madhe në botë ka bërë të ditur plane se do të ulë rritjen e emetimeve të dioksidit të karbonit para samitit global në Danimarkë mbi ndryshimet klimatike. Ajo do të ulë intensitetin e karbonit me 40-45 për qind deri në vitin 2020 krahasuar me 2005. Fabrikat duhet të përdorin karburant dy herë më shumë me efiçencë, por në përgjithësi ndotja nuk do të bjerë ndërsa ekonomia rritet.
Vëzhguesit do ta konsiderojnë këtë një propozim shumë serioz që mund të ndihmojë zotin Obama të arrijë objektivat e veta.

Indi
Përkujtohen sulmet në Bombej

India shënoi përvjetorin e sulmeve në qytetin e Bombej, ku u vranë më shumë se 170 vetë, përfshirë të gjithë me përjashtim të një prej sulmuesve. Një paradë policore, inagurimi i një memoriali dhe shërbesa e lutje janë në mesin e aktiviteteve që shënojnë këtë përvjetor. I vetmi i mbijetuar nga sulmuesit, pakistanezi, Muhammed Ajmal Qasab, përballet me gjyqësorin në Indi. Sulmuesit erdhën në Bombej me barka dhe u shpërndanë duke vrarë njerëz në lokalitete të ndryshme të qytetit. Shumica e viktimave ishin në hotelin Taj Mahal.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›