E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja "Ahmeti", gjykata e prokuroria kundër Nishanit

Dokumenti i ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, i cili i kërkonte gjyqtares Majlinda Doga të mos merrte asnjë masë pezullimi ndaj shefit të qarkullimit, Krenar Ahmeti, është cilësuar nga gjykata e prokuroria si ndërhyrje e Ekzekutivit në punët e drejtësisë. "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm nga ministri", është cilësuar nga prokuroria veprimi i ministrit, ndërsa shoqata e gjyqtarëve e argumenton shkresën se ka si synim vendosjen nën presion të gjyqtarit apo trupës gjyqësore. "Shoqata shpreh shqetësimin e saj lidhur me këto ndërhyrje, të cilat bëhen në formën e ngritjes së një opinioni të njëanshëm që ka si synim vendosjen nën presion të gjyqtarit apo trupës gjyqësore, e cila është në proces shqyrtimi dhe vendimmarrje të një çështjeje të caktuar gjyqësore", thuhet në njoftimin e gjyqtarëve. Sipas tyre, presione të tilla cenojnë hapur pavarësinë e gjyqësorit, i cili shprehet nëpërmjet vendimmarrjes së tij dhe bëhen akoma më të rënda kur aplikohen nga titullarë institucionesh shtetërore, që u përkasin pushteteve të tjera. "Janë po këta titullarë të cilët ngrenë zërin dhe kërkojnë drejtësi dhe pavarësi në dhënien e vendimeve nga gjyqtarët, por nuk ngurrojnë të dërgojnë letra pranë gjyqtarëve nën autoritetin e tyre shtetëror, duke kërkuar të imponojnë mendimin e tyre në zgjidhjen e çështjeve nga gjyqtarët", thuhet në njoftim. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve shpreh qëndrimin e saj se tashmë ka ardhur koha që të krijohet një standard i përgjithshëm shoqëror i të gjitha niveleve lidhur me respektimin dhe mosndërhyrjen në punët e gjyqësorit dhe vendimmarrjen e tij, gjatë kohës që ai është në këtë proces dhe ushtron këtë pushtet. "Vendimi i gjyqtarëve, i dhënë në emër të Republikës, duhet të respektohet dhe të kuptohet si një autoritet shtetëror, i cili ushtrohet nga pushteti gjyqësor dhe nuk mund të diskutohet apo të kundërshtohet përveçse në shkallët më të larta të këtij sistemi", përfundon reagimi i gjyqtareve. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe prokurorët, por nën zë, duke mos dashur të hapin konflikt me Ministrinë e Brendshme.

Letra e Nishanit

Shkresa numër 4523 e ministrit Nishani, drejtuar Gjykatës së Tiranës, është administruar në dosjen e Prokurorisë së Tiranës. Burime pranë këtij institucioni deklarojnë se shkresa në fjalë do të verifikohet dhe më pas do të paraqitet në gjykatë si provë kundër Krenar Ahmetit. Organi i akuzës deklaron se shkresa është cilësuar si ndërhyrje, megjithatë do të jenë hetimet e mëvonshme që do të vërtetojnë këtë dyshim. Nishani shkruan në letër se është njohur nga media që më datë 9 qershor 2008 do të zhvillohej seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë për pezullimin e shefit të komisariatit të qarkullimit rrugor, Krenar Ahmeti. Ministri thotë se pas verifikimeve janë njohur me faktin se prokuroria kishte depozituar në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë ndaj të pandehurit Krenar Ahmeti. "Zonja gjyqtare, pa ndërhyrë në objektivitetin dhe paanësinë e gjykatës, e shikojmë në vëmendje t‘ju bëjmë me dije se dy rastet e pretenduara nga organi i akuzës për keqtrajtim të shtetasve, Elisabeta Imeraj dhe Hasan Nezaj, nuk është motivi ligjor që kërkon pezullimin nga detyra të punonjësit të policisë, Krenar Ahmeti", thuhet në shkresë. Sipas Nishanit, rastet në fjalë janë objekt hetimi dhe në çdo rast kanë qenë punonjësit e policisë në detyrë të dëmtuar, duke u ushtruar edhe dhunë fizike ndaj tyre. Më tej thuhet se veprime kundërshtimi dhe dhune, //////////////////////për të cilat janë depozituar kallëzimet dhe aktet e tjera hetimore pranë prokurorisë, për veprën penale të "kundërshtimit të punonjësit të policisë". "Duke mos ndërhyrë në pavarësinë e organeve gjyqësore, por nisur nga praktikat dokumentare dhe informacionet që ne administrojmë, jemi të bindur se nuk ekziston asnjë dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, për të caktuar masën e sigurimit personal të kërkuar nga prokuroria", i shkruan Nishani gjyqtares, duke bërë më poshtë një kronologji të punës së Ahmetit në krye të qarkullimit. Ai e konsideron punën e shefit të pezulluar nga Gjykata e Tiranës si të mirë. "Pezullimi i tij nga detyra do të dëmtonte rëndë efektivitetin dhe eficencën e punës së strukturës policore që ai drejton", përfundon letra e ministrit të Brendshëm, tashmë të administruar edhe në fashikullin hetimor të Prokurorisë së Tiranës.

Gjyqtarët

Janë po këta titullarë të cilët ngrenë zërin dhe kërkojnë drejtësi dhe pavarësi në dhënien e vendimeve nga gjyqtarët, por nuk ngurrojnë të dërgojnë letra pranë gjyqtarëve nën autoritetin e tyre shtetëror, duke kërkuar të imponojnë mendimin e tyre në zgjidhjen e çështjeve nga gjyqtarët



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›