E Diel, 1 Nëntor 2026

70 për qind nga xhepi

ISKSH sugjeron listë alternative barnash. Do të jetë me bashkëpagesë me pacientin

Dritan Laci Instituti i Sigurimeve dhe i Kujdesit Shëndetësor i ka propozuar Ministrisë së Shëndetësisë hartimin e një liste alternative barnash të rimbursueshme krahas listës bazë. Kjo listë, sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, do të përmbajë në vetvete barna të shtrenjta, të cilat shtresat në nevojë nuk kanë mundësi t’i blejnë. Burime zyrtare nga ISKSH-ja shpjegojnë se, ndryshe nga lista bazë, e cila subvencionohet në masën 100 për qind nga instituti, lista alternative do të jetë më bashkëpagesë me pacientin. Kështu, nëse lista e re alternative do të marrë miratimin nga Ministria e Shëndetësisë, atëherë pacienti i siguruar do të paguajë 70 për qind të kostos së barnave, ndërsa ISKSH-ja 30 për qind. Barnat që mendohen të vendosen në listën alternative, thuhet se do të jenë ato më të shtrenjtat, kjo për t’u dhënë mundësi të gjitha shtresave në nevojë për të përfituar medikamente sa më të mira. Gjithsesi, kjo listë mbetet ende në fazën e propozimit, ndërkohë që do t’i takojë dikasterit të shëndetësisë të miratojë ose jo krijimin e një liste të re barnash të rimbursueshme. Në analizën vjetore të institucionit, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, është shprehur midis të tjerash, se propozimi për një listë të dytë barnash ka ardhur nga Banka Botërore. “Ideja është që të jetë një listë barnash bazë, e cila do të mbulohet 100 për qind nga ISKSH-ja për shtresat në nevojë, por dhe të ketë një listë alternativë, e cila të jetë me bashkëpagesë mes institutit dhe pacientit. Kjo do të mundësojë një kontroll shumë të mirë të skemës dhe do të ulë ndjeshëm abuzimet, kjo pasi dihet që bashkëpagesa ndihmon jashtëzakonisht në këtë drejtim, por edhe do të krijojë mundësi për futjen e më shumë barnave të reja dhe cilësore në listë, të cilat do të bashkëpaguhen”, është shprehur Hana, ndërsa ka theksuar se vendimmarrja tashmë i takon MSH-së. E pyetur lidhur me ndryshimet në listën aktuale, drejtoresha e ISKSH-së u shpreh se aktualisht lista që disponon ISKSH-ja është mjaft e gjerë. “Kjo listë mbulon 94 për qind të sëmundshmërisë kronike dhe me fondet që kemi në dispozicion, ne si institut arrijmë të mbulojmë këtë listë. Por, sidoqoftë, unë e shoh të vështirë mbulimin e barnave të reja me këto fonde”, është shprehur drejtoresha Hana në përfundim të prononcimit për median.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›