Fillon
Forca speciale serbe
Serbia nis planet për ndarjen e Kosovës dhe vënien nën kontroll të komunave me shumicë serbe
“Të krijojmë kaos, rrëmujë dhe të marrim kontrollin në komunat me shumicë serbe, për ta ndarë më pas Kosovën” - është ky “Plani i Veprimit” që qeveria serbe miratoi pak kohë më parë, lidhur me reagimin që do të kishte Beogradi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë, Serbia ka nisur tashmë përpjekjet për ndarjen e Kosovës. E mbetur pa alternativa, tashmë që Kosova u bë një shtet i pavarur, Beogradi kërkon të vërë nën kontroll me çdo kusht të paktën atë pjesë të Kosovës që është populluar nga shumica serbe. E përditshmja britanike “The Guardian”, raportoi dje se rreth 1 mijë burra, që dyshohen të jenë anëtarë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, kanë kaluar kufirin dje, duke rritur kështu kërcënimin për një ndërhyrje të Beogradit brenda në Kosovë. Dëshmitarë okularë thanë për gazetën, se rreth 200 makina dhe autobusë të mbushur plot me burra kaluan kufirin në jug të Serbisë dhe u futën në Kosovë. Ngjarjet ndodhën vetëm një ditë, pasi grupe serbësh të inatosur u vunë zjarrin pikave të kalimit kufitar që ndajnë Serbinë me Kosovën. Zjarri përfshiu doganat në Jarinjë dhe Banjë, 20 km larg Mitrovicës. Zyrtarët e UNMIK-ut dhe KFOR-it u gjetën të papërgatitur nga këto ngjarje dhe menjëherë dërguan trupat e tyre për të ndihmuar personelin që ishte bllokuar në kufi. Diku tjetër, në një fshat verior serb të dominuar nga serbët, dëshmitarët thonë se në stacionet e policisë të SHPK-së tashmë është vendosur flamuri serb. Frika se Serbia do të vendosë forcat e saj policore në veri të Kosovës, vjen pas zërave që po qarkullojnë në zyrat e Shërbimin Policor të Kosovës në Mitrovicë, se anëtarët serbë po planifikojnë të japin dorëheqjen në mënyrë masive. Një tjetër e përditshme britanike shkruan se autoritetet serbe në Kosovë i planifikuan me qëllim këto sulme, dhe më pas i bënë thirrje Beogradit “të marrë masa të menjëhershme për të mbrojtur integritetin territorial të Serbisë”. Me pak fjalë, të ndërmarrë një veprim ushtarak për të parandaluar shtrirjen e shtetit të ri të Kosovës në zonat me shumicë serbe. Këtë gjë e konfirmojnë më së miri edhe deklaratat e zyrtarëve serbë. Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, u shpreh dje se këto veprime janë në përputhje të plotë me politikat e përgjithshme të qeverisë. Në të njëjtën ditë, ministri serb i Ekonomisë, Mladan Dinkiç, kaloi kufirin dhe vizitoi Zveçanin në veri të Kosovës, duke lëshuar thirrje për shtrirjen e sovranitetit të Beogradit në komunat me shumicë serbe që ndodhen në Kosovë. Ai i tha agjencisë së lajmeve “Beta”, se asnjë pikë kufitare apo doganore nuk duhet të ndajë Serbinë nga komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe qytetin e Mitrovicës. “Mendoj se duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të vendosur sovranitetin ekonomik në të gjitha ato pjesë të Kosovës dhe Metohisë ku jetojnë serbët. Të gjithë ministrat tanë po bëjnë punën e tyre, duke implementuar Planin e Veprimit”, - tha Dinkiç, duke iu referuar pikërisht planit të qeverisë së Beogradit, për mënyrën e veprimit të serbëve pas shpalljes së pavarësisë. Pak kohë përpara se liderët shqiptarë të shpallnin pavarësinë e Kosovës, qeveria serbe miratoi një “plan veprimi”, të cilin ua dorëzoi të gjitha ministrive, me të cilin do të veprohej në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Dinkiç shtoi gjithashtu, se Beogradi do të investojë shuma të mëdha parash për të modernizuar prodhimin dhe të rrisë punësimin në këto komuna. Ai u takua me biznesmenë lokalë, të cilëve iu premtoi se të gjitha kompanitë në Kosovë që janë prona të serbëve, do të bëhen pjesë e një sistemi të rregullt të subvencionimit nga shteti serb. Vetë përfaqësuesit serbë të Kosovës u shprehën dje, se nuk e njohin misionin e BE-së. Kryesuesi i misionit të BE-së në Kosovë, Piter Faith, menjëherë pasi mori detyrën, deklaroi se synon ta shtrijë prezencën e misionit civil dhe policor në të gjithë territorin e Kosovës, pra edhe në veriun e saj. Por nisur nga situata e krijuar tashmë nga serbët, kjo gjë do të jetë tepër e vështirë.