E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falimentimi, ja ndryshimet me ligjin e ri

Bizneset me bilance negative të cilat fshihen pas debive, mund të mbijetojnë deri në 2 vjet, më pas administrata tatimore do të kërkojë të nisë procesi i falimentimit.

Bizneset me bilance negative të cilat fshihen pas debive, mund të mbijetojnë deri në 2 vjet, më pas administrata tatimore do të kërkojë të nisë procesi i falimentimit. Ndryshimet në ligjin e falimentit parashikojnë që shpallja e procesit të tij duhet të kryhet edhe nga ortakët e një kompanie, në rast se ata janë në dijeni të bilanceve me humbje. Në rast të kundërt, ligji i ri parashikon gjoba për ortakët, të cilat variojnë në vlerat nga 200.000 deri në 500.000 lekë. Po ashtu, pas shpalljes së procesit të falimentit, gjykatat kanë 30 ditë kohë për mbylljen e procedurave, kurse për biznesin e vogël procedurat janë të përshpejtuara. Tashmë qeveria do të kthejë me këto ndryshime themelore në fuqi ligjin për shpalljen e falimentit të bizneseve në vend. Ndryshimet në ligjin e falimentit të zbardhura nga gazeta “Korrieri” sjellin që, në rast se bizneset rezultojnë me humbje për 2 vjet, për to do të shpallet procesi i falimentit nga tatimet. Ligji i ri do të sjellë reduktime në kohëzgjatjen e vazhdimit të punës nga biznesi me bilance negative. Pra, sipas ligjit të mëparshëm, biznesi punonte me humbje deri në 3 vjet. Grupi i përbashkët i punës i ngritur nga ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave kanë përfunduar hartimin e ndryshimeve në ligjin aktual, të cilat do t’i kalohen për miratim qeverisë në mbledhjen e saj të ardhshme. Në ligjin e vjetër të hartuar në vitin 2002 për bizneset, hapej procesi i falimentit pas 3 vitesh, por nuk kishte detyrime nga institucionet shtetërore për shpalljen e tyre. Ndryshimet e ligjit sjellin forcimin e institucioneve financiare shtetërore për hapjen e procesit të falimentit. Sipas ligjit të ri, do të jetë administrate tatimore, ajo që do të hapë procesin e falimentit të biznesit, pas kontrollit të transaksioneve të tyre. Ndryshimet e ligjit parashikojnë edhe masa disiplinore që do të vendosen nga organet tatimore në rast se nga biznesi nuk pranohet të kontrollohen transaksionet. Por tashmë, puna në administratën tatimore për sa i përket zbatimit të ligjit të falimentit do të jetë më e mirëorganizuar. Tatimet do të klasifikojnë bizneset sipas statusit të transaksioneve të tyre, një procedurë kjo e cila do të ndihmojë në shpalljen e procesit të falimentit nga ky institucion. Gjykatat, 30 ditë kohë për mbyllje procedurash Për herë të parë, zbatimi i ligjit të falimentit përcakton afate konkrete të mbylljes së procedurave nga gjykatat. Sipas ligjit të mëparshëm, shqyrtimi i procedurave për mbylljen e një biznesi, i cili ishte me humbje, nuk kishte kufi. Ndërhyrjet që janë kryer nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, kanë sjellë që me ligjin e ri të falimentit jo vetëm të reduktohen afatet e mbylljes së procedurave por, ato të jenë të përcaktuara. Pra, nga ana e gjykatave mbyllja e procedurave për bizneset e falimentuara do të zgjasë vetëm 30 ditë. E thënë ndryshe, gjykatave iu është lënë 30 ditë afat për shqyrtimin e çështjes dhe marrjes së vendimit për shlyerjen e borxheve që ka administratori i biznesit. Problematika më e madhe e transaksioneve është tek biznesi i vogël, i cili konsiderohet me numrin më të madh të bilanceve negative. Pas shpalljes së falimentit nga tatimet, gjykatat do të punojnë në mënyrë të përshpejtuar për mbylljen e procedurave për këtë kategori biznesesh. Por nuk janë vetëm këto hallkat në të cilat janë kryer ndërhyrje nga grupi i punës. Për herë të parë në ligjin e falimentit është përcaktuar që procesi të shpallet dhe nga ortakët, pra bëhet fjalë për kompanitë që funksionojnë në mënyrë të tillë. Por në ndryshimet e ligjit përcaktohet specifikisht që shpallja e procesit duhet të kryhet në ato raste kur ortakët e një kompanie janë në dijeni të bilanceve negative. Në rast të kundërt, ortakët do të penalizohen me gjoba, të cilat variojnë nga 200.000 lekë deri në 500.000 lekë. Gjykatat, vetëm 1 rast të shqyrtuar Shqipëria është i vetmi vend në rajon në të cilin nuk zbatohet ligji i falimentit. Kjo situatë dëshmohet edhe nga shqyrtimi i procedurave nga gjykatat. Mësohet se që nga viti 2002 kur ka hyrë në fuqi ligji i falimentit, nga gjykatat është marrë në shqyrtim vetëm një çështje. Ndërkohë që gjatë gjithë kësaj periudhe, nga organet tatimore nuk janë shpallur raste të tjera për falimentim. Shmangia në mënyrë të sforcuar të fenomenit të falimentimit të operatorëve të ndryshëm të biznesit, si mjet i rëndësishëm i vetërregullimit të ekonomisë së tregut dhe krijimit kështu të fenomenit shkatërrues të nxitjes së konkurrencës së pandershme ndërmjet bizneseve, është kritikuar edhe nga institucionet e huaja ndërkombëtare. Raporti i Bankës Botërore, “Të bësh biznes 2008”, e renditi vendin tonë të 178-in respektivisht për mbrojtjen e investitorëve dhe mbylljen e biznesit, e kjo si rezultat i mungesës së ligjit të falimentit. Ruli, kërkesë emergjente për ligjin Ministri Ruli ka sqaruar gjatë një interviste të dhënë në media pak ditë më parë, se zbatimi i ligjit të falimentit është i rëndësishëm për ekonominë. “Shkëmbimi mall me mall i një sërë biznesesh, fsheh në realitet disa kompani brenda këtyre transaksioneve, që në të vërtetë kanë falimentuar. Duhet që të jenë palët e treta, bankat dhe organet tatimore që të kërkojnë të parët, që për këto kompani të nisë një proces falimentimi. Një kërkesë e tillë duhet që të jetë mëse ligjore, pasi në këtë mënyrë një pjesë e borxheve të këtyre bizneseve do të mund që të kthehet”, është shprehur Ruli pak ditë më parë. Kreu i Ministrisë së Ekonomisë ka sqaruar se, nga ana tjetër, edhe ligji, edhe gjykatat shqiptare mbeten të papërgatitura për këtë proces, që duhet të kishte filluar që në kohën që një pjesë e bizneseve vazhdojnë që në bilanc të dalin për 2-3 vjet me humbje. Ndryshimet - Shpallja e falimentit për bizneset që dalin 2 vjet me humbje - Organet tatimore do të jenë të parët që do kërkojnë nisjen e procesit të falimentit- Tatimorët do të marrin masa disiplinore ndaj biznesit që nuk pranon kontrolle të transaksioneve- Gjykatat do të kenë 30 ditë afat kohor për mbylljen e procedurave- Gjykatat do të zbatojnë procedura të përshpejtuara për biznesin e vogël- Në shoqëritë me ortakë nga këta të fundit kërkohet shpallja e procesit të falimentit, për ato raste kur ata janë në dijeni- Ortakët që nuk shpallin falimentin do t gjobiten 200-500 mijë lekë 5 biznese përfitues nga skema e eksporteve Edhe këtë vit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe e Energjetikës po punon për të rritur ndihmën ndaj bizneseve private, duke nxitur krijimin e skemave të reja mbështetëse. Komisioni i Vlerësimit dhe Miratimit të Fondit të Garancive pritet të miratojë fondin përkatës si kolateral për 5 kompanitë e para për vitin 2008, bëjnë të ditur burimet zyrtare të METE-s. Firmat prodhuese që do të përfitojnë nga ky fond, punojnë në përpunimin e metaleve, të drurit, prodhimit të mobilieve, të këpucëve; sektorët kryesorë të cilët dhe eksportojnë prodhimet “Made in Albania” në tregjet e huaja. Agjencia “Albinvest” gjatë këtij viti do të vijojë me punën përgatitore të të gjithë dokumentacionit, deri në përfundim të tij, për kompanitë kërkuese dhe përfituese nga Fondi i Garantimit të Kredive për firmat prodhuese shqiptare, që punojnë për eksport. Nga ky fond mund të përfitojë çdo ndërmarrje e regjistruar në Shqipëri që punon për eksport dhe jo vetëm në prodhim. Në skemën e mbulimit të garancisë mund të jenë përfituese edhe kompanitë shqiptare që furnizojnë me shërbime apo mallra sektorin e turizmit, pasi aktiviteti i tyre kontribuon në rritjen e rezervave valutore të vendit. Garancia lëshohet për një periudhë jo më të vogël se 12 muaj dhe jo më shumë se 80 për qind e shumës së kredisë që kërkohet të garantohet. Një ndërmarrje eksportuese mund të përfitojë mbulim të nevojave për kolateral për marrje kredie bankare për një shumë deri në 10 milionë lekë, ose ekuivalentin e saj në monedha të huaja të konvertueshme nga bankat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›