Shoku i Lul Cakës në 2010 në Shqipëri
Pasi u arrestua në Spanjë dhe u ekstradua në Itali, ish-i tmerrshmi i Beratit do të sillet në atdhe për të vuajtur burgim të përjetshëm
Elona Elezi TIRANË - I akuzuari për vrasje të trefishtë, 33-vjeçari beratas Kastriot Jaupi, do të ekstradohet në Shqipëri në vitin 2010, pasi të ketë vuajtur dënimin në shtetin italian. Lajmi konfirmohet për “Korrierin” nga burime tepër të rezervuara policore, sipas të cilave mësohet se vëllai i Ilir Jaupit, ish-kapobanda dhe miku i ngushtë i Lul Cakës, duhet të vuajë dënimin në burgun e Milanos deri në 13 tetor të vitit 2010. I kërkuar dhe i akuzuar nga tre shtete: Spanjë, Itali e Shqipëri, për veprat më të rënda penale, Jaupi, është i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Vlorës për vrasjen me dashje për shkak të cilësive të veçanta të ish-shefit të Komisariatit të Policisë së Beratit, Ilir Ngresi, në qafën e Kushovicës në Fier. Pasi u arrestua për herë të parë në shtetin spanjoll më 28 nëntor të vitit 2001, për gjobëvënie ndaj dy vëllezërve nga Skrapari, tre vjet më vonë Jaupi do të ekstradohej drejt Italisë, më 27 prill të vitit 2004, si autor i trafikimit e më pas vrasjes makabre të një prostitute me inicialet M. B. Kërkesën për ekstradimin në shtetin italian e bëri Seksioni i Shkallës Penale të Gjykatës Nacionale të Spanjës më 5 mars të vitit 2003. E ndërsa në Itali do të qëndrojë 6 vjet në burgun e Milanos, procedurat e plota për ekstradimin e tij në vendlindje do të mund ta kthejnë super të kërkuarin vetëm në vitin 2010. Përveç vrasjes me paramendim për shkak të cilësive të veçanta, ai gjithashtu mban mbi supe vrasjen e vëllait të ish-kapobandës së Vakëfit, Bujar Tomorrit. Fillimisht, një ndër anëtarët e bandës famëkeqe të Altin Dardhës, 33-vjeçari u shkëput së bashku me të vëllanë, Ilirin, tashmë i vdekur, për të krijuar një ndër bandat më kryesore të Beratit në vitin 1997. Në atë kohë, kapot ndanin “zonat e influencës” dhe vëllezërit Jaupi morën zonën e Urës Vajgurore, dhe fillimisht aktiviteti i tyre nisi me gjobëvëniet ndaj biznesmenëve beratas. Në kulmin e fuqizimit të tyre, ata shtrinë rrjetin kriminal deri në trafikimin e pesë-gjashtë vajzave, që i përdornin për përdhunime në grup, ndërsa më pas i çonin drejt Italisë për trafikim. Kastriot Jaupi ka lindur në qytetin e Beratit në 1 qershor të vitit 1975. Aktivitetin kriminal të tij e nisi së bashku me të vëllanë në bandën e Altin Dardhës, e më pas u veçuan, për fitime më të mëdha në trafiqet e ndryshme që kryenin. Vëllai, Iliri, miku i ngushtë i Lul Cakës, gjithashtu kundërshtar i Dardhës, mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë, ku pritej arrestimi i tij. Vrasja në Itali Shteti italian e akuzon Kastriot Jaupin për trafikimin dhe vrasjen e M. B., prostitutë shqiptare, ngjarje e ndodhur në 14 shtator 1999. Viktima është detyruar të prostituojë nga dy vëllezërit për disa muaj rregullisht, por në momentin kur ka kundërshtuar që do të “hiqte dorë” nga zanati, ajo është qëlluar me thikë, kaçavidë e me shishe të thyer pas qafe. Viktima ka shkuar së bashku me Jaupët në 16 korrik të vitit 1998 në Gaggiano, ku ka jetuar në një apartament me Kastriot Jaupin, të dashurën e tij dhe Ilirin, deri një vit më vonë, kur dhe u vra barbarisht.