E Diel, 1 Nëntor 2026

Flaka

Flaka Krelani

Drejtori i RTK, Zatriçi, pohon se për momentin janë fokusuar tek anëtarësimi në EBU

Pas gjithë euforisë që solli me vete Pavarësia e Kosovës, lind pyetja se a do të ketë përfaqësues për në “Eurovizion”. Lidhur me këtë çështje, Flaka Krelani, një ndër talentet e reja të skenës shqiptare dhe asaj kosovare, tashmë ka një arsye më shumë për të shpresuar në pjesëmarrjen e saj në “Eurovizion”. Por mesa duket, kjo dëshirë do të mbetet e parealizuar për këtë vit, pasi shtetit të ri i duhet më parë të bëjë anëtarësimin formal në EBU. Sidoqoftë, Flaka rrëfen për gazetën “Korrieri” se: “Do të isha shumë e lumtur që këtë vit të merrja pjesë në “Eurovizion”, aq më tepër kur kënga që prezantuam këtë vit së bashku me Doruntinën u pëlqye. Nuk ka gjë më të bukur se t’i tregosh vendit mikpritës, që më në fund jemi një shtet, duan apo s’duan ta pranojnë ata”. Nga ana tjetër, këngëtarja pohon se gjer tani nuk ka dëgjuar asgjë konkrete nga RTK-ja. “Nuk di asgjë lidhur me këtë temë dhe nuk jam interesuar pranë RTK-së, por di që ende nuk është konfirmuar anëtarësimi i Kosovës në EBU. Por, në qoftë se ndodh një gjë e tillë, do të më pëlqente një ftesë e tillë, por unë vetë nuk do të kërkoja, pasi përbën konflikt interesi. Gjithsesi, për këtë vit është një ëndërr që vështirë të realizohet”, shprehet ajo. Një gjë të tillë e pohon edhe drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit Kosovar, Agim Zatriçi, i cili shprehet: “Për momentin jemi në një situatë, ku së pari na duhet të bëjmë një anëtarësim formal. Jemi në konsultime, sepse kushtet e statusit nuk janë ende të qarta. Nuk mund t’ju jap një përgjigje për vendimin e pranimit në EBU (The Europian Brodcast Union) për këtë vit, pasi ka kaluar faza e pranimit dhe këngët janë në afatet e spoteve. Kështu që për këtë vit do të ngelet thjesht në kuadrin e dëshirës. Në gjithë këtë histori qëndron edhe një ngërç tjetër, pasi edhe sikur të ishim të anëtarësuar, të drejtën mbi këngën e Krelanit dhe Dishës e ka RTSH-ja”. Ndërkaq, për sa i takon anëtarësimit të Kosovës në EBU, Zatriçi shprehet entuziast: “Besoj se nga fundi i shkurtit do të marrim një përgjigje pozitive, pasi për t’u anëtarësuar duhet të aplikosh dhe datat, që për këtë vit kanë skaduar, çka përbën edhe thelbin e fokusimit tonë”. Lidhur me skandalin e fundit të festivalit, ku Krelani dhe Disha ishin aq pranë fitores, Zatriçi shprehet se nuk ka prirje të politizojë ngjarjet e kulturës. Sipas tij, e rëndësishme është që në Beograd të shkonte kënga më e mirë. Kujtojmë që Flaka dhe Doruntina u prezantuan me këngën “Jeta kërkon dashuri”. Përpos të gjithash, dëshira dhe përkushtimi për t’u përfaqësuar në Beograd duket se është larg realizimit, por me shpresën se do të ketë raste të tjera. 53-vjetori i çmimit të madh të “Eurovizionit” do të mbahet në Beograd në datat 20, 22 dhe 24 maj të këtij viti. Me rritjen e interesit për këtë eveniment të vendeve lindore, duke pësuar dhe një dizinteresim nga Evropa Perëndimore, Kosova është drejt rrugës së anëtarësimit në EBU. Shtetet e reja, si Azerbajxhani, që u bë anëtar në 15 qershor 2007, për të vijuar me San Marinon, konfirmuan pjesëmarrjen në 21 nëntor 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›