E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakt, jo rezolutë

Deputeti socialist Arben Isaraj

Të firmoset nga presidenti, kryeministri dhe kryetarët e partive

Ilir SaqellariDeputeti socialist, Arben Isaraj, kërkon firmosjen e paktit për Reformën në Drejtësi nga Presidenti, kryeministri dhe kryetarët e partive, ndërsa Fatos Beja, kryekomisioner ligjor dhe nënkryetar i Kuvendit, mendon se propozime të tilla mund të sillen në Kuvend vetëm në formën e rezolutave. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Arben Isaraj, ndryshe nga rezoluta, nënshkrimi i një pakti për pikat kryesore të reformës në drejtësi nga Presidenti, kryeministri dhe kryetarët e partive, do të detyronte shprehjen me të njëjtin vullnet pozitiv në legjislativ. Partitë do të ishin të detyruara të ndiqnin të njëjtin qëndrim, pavarësisht rikompozimit parlamentar të radhës. Po ashtu, sipas Isarajt, nëse do të kishte ndryshim kryetarësh partish dhe pasuesi nuk do të ishte dakord me paktin, atëherë përpara institucioneve ndërkombëtare do të gjendej shkaktari i moszbatimit të paktit. Ai shton se përfshirja e Presidentit në nënshkrimin e paktit do të ishte e nevojshme, pasi vetë ai do të duhet të zbatonte paktin në rast dekretesh. “Të enjten, pakti do të diskutohet në Kuvend në formën e rezolutës”, - u shpreh pak ditë më parë kreu i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha, lidhur me paktin për drejtësi të ofruar nga Partia Socialiste. Por, ndërsa sot është e enjte, në rendin e ditës nuk parashikohet miratimi i rezolutës, kjo pasi demokratët nuk kanë dhënë opsionet e tyre për të. Megjithatë, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Arben Isaraj, kundërshton miratimin e paktit të ofruar nga socialistët në formën e rezolutës në Kuvend. Sipas tij, pakti duhet firmosur nga aktorët më të rëndësishëm të institucioneve politike dhe juridike në vend. “Pakti duhet të nënshkruhet patjetër nga Presidenti i Republikës, sepse është në kupolën e drejtësisë, nga kryeministri dhe nga kryetarët e partive parlamentare. Se kush duhet ta hedhë hapin e parë, ky është thjesht një problem teknik. Problemi kryesor është që demokratët s’kanë rënë dakord akoma të thonë që jemi pak a shumë njësoj. Pakti nuk mund të miratohet me një rezolutë. Rezoluta shpreh gjithashtu një vullnet në përgjithësi, kurse pakti është i përcaktuar me pika, me parime, që duhet të jetë i konkretizuar edhe me plan veprimi, pra me afate, që mund të jetë të afërta mund të jenë edhe të largëta”, - i tha “Korrierit” Arben Isaraj. Ai shtoi se pakti bëhet i detyrueshëm për palët që janë sot apo që do të vijnë në pushtet, nëse nënshkruhet nga të gjithë ata që përfaqësojnë vullnetin. Por nënkryetari i Kuvendit, demokrati Fatos Beja, mendon të kundërtën. “Presidenti i Republikës mund të kthejë vetëm një herë një ligj që mund t’i propozojë Parlamenti dhe nuk ka kuptim që ai (Parlamenti) të bëjë një marrëveshje dhe të firmosë një pakt me të dhe me kryeministrin. Procedurat janë në Kushtetutë dhe janë gjithashtu të saktësuara. Nëse palët bien dakord për të bërë një ndryshim në një ligj të caktuar, (kur themi palët, themi partitë), po thamë PD-ja, kryeministri është brenda bashkë me ministrat; po thamë PS-ja, grupi i PS-së është aty dhe ka përfaqësimin e tij institucional. Në qoftë se mendojnë që duhet të bëjnë diçka parlamentare, do të vijnë në Kuvend. Po edhe në Kuvend këto lloj veprimtarish shprehen me rezoluta”, - u shpreh Beja për “Korrierin”. Ai shtoi se rezolutat janë doemos publike dhe secila palë nëse nuk i përmbahet rezolutës, ballafaqohet me publikun dhe elektoratin që e voton. Argumentet e Bejës nuk janë aspak bindëse për socialistin Isaraj. “Rezoluta nuk cakton as të drejta dhe as detyrime. Rezolutat kanë vetëm efekte politike, por nuk janë të detyrueshme për zbatim nga palët, ndërsa pakti kur firmoset nga të gjithë faktorët dhe aktorët, që drejtojnë institucionet politike dhe juridike në Shqipëri, është jo vetëm detyrues, por edhe i monitorueshëm nga qytetarët që na votojnë, si dhe nga institucionet ndërkombëtare në të cilat duam të integrohemi. Historia e 17 viteve ka treguar që janë shkelur marrëveshje e jo më rezoluta”, - sqaron nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së. Por sipas Bejës, garancia e paktit është fakti që në çdo moment publiku mund t’u kërkojë “llogari” palëve se pse nuk e zbatuan rezolutën që ata vetë e mbështetën. “Nëse ka edhe herë të tjera që nuk zbatohen, atëherë hyn në lojë publiku”, - thekson ai. Për Isarajn, është e kotë të miratohet një rezolutë si në rastin e asaj të propozuar nga PS-ja, për integrimin në NATO. Sipas tij, rezoluta e përbashkët u konkretizua me uljen e palëve për reformën në drejtësi, dhe ky ishte produkt i rezolutës. Por sipas tij, nëse palët nuk do të ishin ulur, vlera e rezolutës do të ishte nul dhe nuk do të detyronte askënd ta zbatonte. Ai thekson se rezoluta shpreh vetëm vullnet, por nuk i detyron dot palët. Por sot vihet në dyshim edhe miratimi i rezolutës, që as nuk është përcaktuar në axhendën e Kuvendit. “Mua në komision nuk më ka ardhur. Nuk ka asnjë pengesë nga komisioni. Komisioni mund të mblidhet edhe nesër, nëse vjen në Kuvend dhe të japë mendimin për këtë rezolutë, sepse komisioni është shumë i ndërgjegjshëm se çfarë është kjo përpjekje politike dhe është i vetëdijshëm se kush janë nevojat për të cilat ne duhet të angazhohemi në fushën e drejtësisë”, - sqaron Beja. E ndërsa deri dje nga demokratët nuk ishte iniciuar diskutimi i paktit në formën e rezolutës, ashtu sikundër premtoi kryeministri Berisha, gjithçka në fakt mund të realizohet nëse propozimi shkon zyrtarisht sot në Komisionin e Ligjeve. Por kjo do të ishte një përsëritje e marrëdhënieve të shkuara, kur gjithçka gjen zgjidhje në minutat e fundit. Për miratim Në seancën e fundit plenare, atë të së hënës, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, tha se formacioni politik që përfaqëson mbështet Paktin Kombëtar për Drejtësinë, të paraqitur nga PS-ja. Ai tha se deputetët demokratë janë të gatshëm të votojë në Parlament paktin e ofruar nga socialistët. Madje, ai tha se PD-ja është dakord që brenda kësaj jave ta miratojmë këtë dokument. Por seanca e vetme që ka mbetur për këtë javë, është ajo e ditës së sotme. Duke iu referuar rendit të ditës të punimeve të seancës, publikuar në faqen zyrtare në internet të Kuvendit të Shqipërisë, nuk ka asnjë pikë që të flasë për votim të këtij pakti. Megjithatë, kryetari i grupit të deputetëve demokratë, i kontaktuar nga “Korrieri”, tha se ka shumë mundësi që pakti të futet në rendin e ditës dhe të votohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›