Kaos në Tibet. Të shtëna mbi murgjit
Tibeti është në flakë në vitin e
olimpiadës. Lhasa, prej
ditësh e shndërruar në një arenë
trazirash që koincidojnë me
përvjetorin e 49-të të revoltës
kundër pushtimit kinez, dje ishte
e mbuluar nga tymi. Nëpër
rrugët e kryeqytetit dëgjoheshin
të shtëna, policia ka përdorur
gazin lotsjellës dhe numërohen
disa të vdekur e shumë të plagosur
sipas të dhënave të qendrës
për urgjencat mjekësore në
kryeqytetin e Tibetit. Disa dëshmitarë
kanë bërë të ditur se policia
ka hapur zjarr për të shpërndarë
manifestuesit që zbritën
sërish në shesh kundër Pekinit.
"Ka paqartësi për sa i takon numrit
të të plagosurve, por e sigurt
është se janë shumë. Disa kanë
vdekur, por nuk di të them sa",
shpjegon një zyrtar i qendrës së
emergjencës mjekësore. Radioja
"Azia e Lirë", duke cituar disa
dëshmitarë, ka bërë të ditur se të
paktën dy persona kanë mbetur
të vrarë në Lhasa. Shqetësim i
madh është shprehur nga Dalai
Lama, i cili u ka drejtuar një apel
autoriteteve kineze, duke u
kërkuar të heqin dorë nga përdorimi
i forcës. "Këto protesta, ka
nënvizuar lideri shpirtëror tibetian,
janë një manifestim i pakënaqësisë
së thellë të popullit tibetian
kundër qeverisë aktuale. U
kërkoj liderëve kinezë të heqin
dorë nga forca dhe ta përballojnë
këtë zemërim dhe pakënaqësi
nëpërmjet dialogut me popullin
tibetian". Në anën tjetër edhe
Uashingtoni ka dënuar qëndrimin
e qeverisë së Pekinit, duke shfaqur
keqardhjen për çka po ndodh në
Tibet. Shtëpia e Bardhë i ka
kërkuar Kinës, veç të tjerash, të respektojë
kulturën tibetiane. Ambasadori
i Shteteve të Bashkuara
në Pekin, Klark Randt, i ka kërkuar
zyrtarisht qeverisë kineze të japë
prova moderacioni në Tibet dhe
të mos përdorë forcën, ka bërë të
ditur zëdhënësi i Departamentit
Amerikan të Shtetit, Shon MekKormak.
"Ka tym ngado dhe dëgjohen
të shtëna armësh", ka thënë
një banor që fliste nga Jokhang-u,
një tempull i madh në qendër të
kryeqytetit tibetian. Për të shtëna
kanë folur edhe qytetarët amerikanë,
sipas raportimit të ambasadës
amerikane në Pekin. Tregu i
Tromisikhang-ut, ku gjenden
edhe dyqanet që u përkasin kinezëve,
tibetianëve dhe myslimanëve
kinezë, është në flakë.
"Gjendja është shumë e rrezikshme,
nëpër rrugë. Tibetianët sulmojnë
kinezët", ka thënë një tjetër
dëshmitar. Disa makina të policisë
janë djegur gjithashtu. Ndërkohë,
policia ndaloi dje murgjit e manastirit
Ramoche të zhvillonin një
manifestim. Aktivistët e fushatës
"Tibeti i Lirë" bëjnë të ditur se disa
murgj të një manastiri tjetër janë
në grevë urie prej dy ditësh dhe
kërkojnë lirimin e shokëve të tyre
të arrestuar ditët e shkuara, që
mendohet se janë dhjetëra. Prej
ditësh, Lhasa është shndërruar në
skenë të protestave të murgjve,
më të mëdhatë në këto 20 vitet e
fundit.