E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, policia bllokon 50 kg kanabis të braktisura

Policia e ka ruajtur për dy ditë rresht, por korrierët nuk janë kthyer për ta marrë
Policia e Sarandës sekuestron 50 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis. Operacioni është kryer dje në mëngjes në fshatin çaush, kur droga u gjet e braktisur në një ndërtesë të papërfunduar. Uniformat blu të Sarandës e kanë vlerësuar menjëherë informacionin e marrë në rrugë operative për fshehjen e lëndës narkotike, në pritje të kohës së përshtatshme për të bërë kalimin e saj në drejtim të Korfuzit.
Ashtu siç ishte raportuar në burime operative, kërkimet u përqendruan rreth një objekti në proces ndërtimi në fshatin çaush të Komunës së Alikos, rreth 25 kilometra larg qytetit të Sarandës, e konsideruar si “kryeqendra” e minoritetit etnik grek në Sarandë. Në një kthinë të ndërtesës në ndërtim e sipër, që ngrihet në një terren të thyer, u bë gjetja dhe sekuestrimi i sasisë së lëndës narkotike, e cila është klasifikuar e llojit kanabis. Sipas shefit të Komisariatit të Policisë në Sarandë, kryekomisar Besim Palamani, vendi është mbajtur në vëzhgim dhe është pritur prej dy ditësh që ndonjë korrier i mundshëm të shkonte ta merrte, por duke qenë se kjo nuk ka ndodhur, pesë thasët me nga 10 kilogramë secili, janë sekuestruar nga forcat e policisë. Në brendësi të tyre ka rezultuar një ambalazhin tjetër në qese një kilogramëshe e kanabisit.
Burimet policore mundën të konfirmojnë edhe se, sikurse në të gjitha rastet e fundit, lënda narkotike ishte “prodhim” Lazarati dhe se destinacioni i saj më i mundshëm mendohen brigjet e Korfuzit. Ndërkohë që u bë sekuestrimi, nga policia vazhdon puna për dokumentimin, pa ndalur kërkimin dhe zbulimin e autorëve, që deri tani janë pa identitet. Ky cilësohet nga rastet e para kur fshatra të banuara nga popullsi e minoritetit etnik grek në Sarandë, përdoren si strehë e përkohshme e depozitimit të lëndës narkotike. Përdorimi i këtyre zonave përfaqëson një manovër të re nga persona të përfshirë në rrjetin e narkotrafikut ndërkombëtar, të cilët i mendojnë ato si zona më pak “të rrahura” nga kontrollet policore, për shkak të mospërfshirjes së tyre deri tani në hartën e transitivit të lëndës narkotike të destinuar për të kaluar në shtetin fqinj, Greqinë.
Sipas informacioneve të marra edhe nga pala greke, rezulton se trafikantët po shfrytëzojnë të rinj për të dërguar në këmbë lëndën narkotike për në shtetin fqinj. Ata shfrytëzojnë rrugë, që përdoren edhe nga klandestinët dhe pasi e dërgojnë drogën në vendet e caktuara, telefonojnë eprorët që të vijnë ta marrin. Atje shkojnë persona të tjerë të rrjetit kriminal, të cilët me makina të ndryshme, ngarkojnë thasët e drogës dhe largohen për në brendësi të Greqisë. Sipas të dhënave policore, korrierët kanë urdhra të qartë që nëse bien në sy të policisë, duhet të braktisin lëndën narkotike dhe të tentojnë të shpëtojnë vetë me qëllim që të mos zbulohet i gjithë grupi kriminal. Kështu duket se ka ndodhur dhe këtë radhë, kur korrierët kanë braktisur lëndën narkotike dhe nuk janë kthyer ta marrin më.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›