Letër kërcënuese babait të dy fëmijëve, mister motivet
Tiranë
Policia nis hetimet, por rezulton se 51-vjeçari, punëtor i thjeshtë, nuk ka asnjë konflikt
Një punëtor i thjeshtë ka rënë pre e një kërcënimi të egër, pa e ditur se nga po i vjen. Ngjarja ka ndodhur në Kombinat dhe 51-vjeçari ka alarmuar policinë, duke kërkuar ndihmë se kishte frikë për të dalë. Ai ka shpjeguar se nuk i kishte bërë ndonjë të keqe njeriu dhe nuk e kuptonte sesi një letër kërcënuese me jetë kishte përfunduar nën derën e banesës së tij. “Na sill atë hesapin, ose do të marrësh veten në qafë”. Kështu është shkruar në një letër kërcënuese, që Adil A., 51 vjeç, me banim te rruga “Tre Dëshmorët”, e ka gjetur poshtë derës. Sipas të dhënave policore, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 të së shtunës. Adili, i cili bën punë të ndryshme krahu, ka qenë duke u kthyer në banesën e tij, që ndodhet në katin e tetë të një pallati në Kombinat. Sapo ka hyrë brenda, babai i dy fëmijëve të mitur, ka gjetur poshtë derës një zarf pa adresë dhe pa asnjë nënshkrim. Kur e ka hapur, brenda ka gjetur një letër ku shkruheshin fjalët e lartpërmendura. Ai është tmerruar nga kjo, pa e kuptuar nga se i vinte dhe fillimisht ka parë nëse i kishte gjithë njerëzit e familjes mirë. Më pas, kur është siguruar se nuk kishte ndodhur asgjë, ka njoftuar shërbimet e policisë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 6 dhe oficerët e policisë kanë marrë kontakt me të kërcënuarin me jetë. Ai ka shpjeguar gjithë rrethanat e ngjarjes, por nuk ka ditur të adresojë policinë në ndonjë vend në lidhje me këtë kërcënim. Më tej, 51-vjeçari ka treguar se nuk kishte konflikt me njeri dhe nuk ka as ndonjë borxh për të shlyer. Kjo i ka habitur efektivët e policisë, të cilët e kanë pyetur edhe për detaje të tjera, duke kërkuar që ai të kujtohet për ndonjë gjë. Megjithatë, edhe këtë herë, ai nuk ka ditur ç’të thoshte. Në këto kushte, policia ka nisur verifikimet për të parë nëse personi kërcënues mund të ketë ngatërruar adresë, por edhe afër denoncuesit nuk ndodhej ndonjë person me probleme personale, të paktën sipas informacioneve të disponuara nga organet e hetimit të krimit. Megjithatë, ende nuk ka ndonjë detaj më shumë në lidhje me këtë ngjarje dhe materialet i janë referuar prokurorisë. Pas ndërhyrjes së policisë, personi i kërcënuar është qetësuar, ndërkohë që hetimet vijojnë për veprën penale të kanosjes serioze për jetën.
#