E Diel, 1 Nëntor 2026

71 njësitë ku rezultatin do ta vendosin të pavarurit dhe LZHK-ja

SHKRUAN: Fejzi Braushi 21-04-2011 12:14

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje fletët e votimit për të gjitha qarqet e Shqipërisë, me përjashtim të disa njësive të vogla, të cilat janë ende në gjykim në Kolegj Zgjedhor, duke zyrtarizuar kështu kandidatët që do të konkurrojnë për zgjedhjet e pushtetit vendor. Në 71 prej njësive vendore, kryesisht komuna dhe në disa bashki, gara elektorale nuk do jetë vetëm mes kandidatëve të dy koalicioneve kryesore “Aleanca për Qytetarin” dhe “Aleanca për të Ardhmen”, por edhe me kandidatë të tretë, të katërt dhe të pestë, të cilët kandidojnë nën siglën e partive të tjera jashtë këtyre koalicioneve, apo dhe si të pavarur.

Kandidatët

Fletët e votimit për kryetar të njësive vendore, në shumicën dërrmuese të rasteve do të kenë vetëm dy kandidatë, përfaqësues të dy koalicioneve kryesore. Ndërkohë që në 71 raste të tjera, përfshi këtu Bashkinë e Tiranës dhe Bashkinë e Gjirokastrës, në fletën e votimit do të jenë më shumë se dy kandidatë. Kështu, në shumicën e këtyre rasteve qytetarët do të duhet të zgjedhin mes tre dhe katër kandidatëve dhe vetëm në dy raste, siç është fleta e votimit për Bashkinë Gjirokastër dhe Bashkinë Orikum, në fletë do të jenë të shënuar 5 kandidatë, çka në këto zgjedhje përbën dhe numrin më të madh që konkurron për një njësi vendore. Ndërkohë që në këtë garë elektorale janë regjistruar plot 38 kandidatë të pavarur, të cilët në shumicën dërmuese kanë vendosur të kandidojnë pa siglën e një force politike, duke mbetur të pakënaqur nga procesi i përzgjedhjes së kandidatëve nga dy forcat kryesore politike. Ndërkohë që përveç Tiranës, komunistët e Hysni Milloshit, si një nga forcat që nuk u përfshi në ndonjë koalicion, kandidojnë dhe për dy njësi të tjera vendore.

LZHK

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar është forca që ka më shumë kandidatë në këto zgjedhje që garojnë jashtë dy koalicioneve të mëdha. LZHK konkurron me 31 kandidatë për kryetar të njësive vendore në të gjithë vendin, ku në pjesën dërmuese të tyre duket se nuk janë anëtarë të kësaj force politike. Kjo forcë politike, falë lëvizjes që bëri me Partinë Demokratike për të marrë në Parlament deputetin Florion Mima, krijoi mundësinë që të konkurronte me kandidatët e saj në të gjithë vendin. Por fakti që kjo zgjidhje u gjet në momentet e fundit, bëri që LZHK të gjendej e papërgatitur për të patur kudo kandidatët e saj, ndaj nuk ngurroi që të grumbullojë në gjirin e saj të gjithë ata kandidatë që kishin mbetur të pakënaqur nga përzgjedhja e kandidaturave kryesisht nga Partia Socialiste. Burime nga PS-ja bëjnë të ditur se në pjesën dërmuese të tyre, kandidatët e LZHK për kryetar në komunash janë përfaqësues të së majtës, ndaj dhe mund të kenë një ndikim negativ në rezultatin e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”. Një nga qarqet ku kjo dukuri shihet më qartë është Vlora ku në një numër të konsiderueshëm komunash LZHK kandidon me njerëz që vijnë nga e majta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›