Jahjaga: zgjedhja ime ka sjellë stabilitet
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se marrëveshja politike me të cilën u bë edhe zgjedhja e saj në këtë post ka krijuar qëndrueshmëri politike në vend. Jahjaga ka shprehur bindjen se Kosova dhe Serbia do të gjejnë zgjidhje europiane për problemet e interesit të përbashkët, por ka hedhur poshtë çfarëdo mundësie për ndarjen e veriut të Kosovës, që, sipas saj, është çështje e brendshme e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, një prej çështjeve që ju presin në ditët në vazhdim është ndryshimi i Kushtetutës dhe reforma e sistemit zgjedhor. Kjo nënkupton zgjedhjen e Presidentit në një të ardhme të afërt me votat e drejtpërdrejta të qytetarëve të Kosovës. Kjo nënkupton edhe një shkurtim të mandatit aktual të Presidentes. A ju pengon kjo?
Atifete Jahjaga: Zgjedhja ime si President konsensual dhe përfaqësim i unitetit, është bërë si një hap shumë i madh, i cili ka zgjidhur një ngërç të madh politik dhe institucional në Republikën e Kosovës dhe në njëfarë mënyre ka shmangur mundësinë e shkuarjes edhe njëherë në zgjedhje, që, në njëfarë mënyre apo tjetër, do të kishte ndikuar në imazhin e Republikës. Me procesin e tillë dhe zgjedhjen e tillë është realizuar edhe një marrëveshje në mes të partive të mëdha politike të Kosovës, të cilat kanë arritur një stabilitet dhe të vendosin prioritetet e shtetit tonë përpara qëllimeve të tjera, të cilat kryesisht hyjnë në kornizën apo fushën e zhvillimit ekonomik, të reformave të arsimit, të reformave të shëndetësisë, të ngritjes së zhvillimit të përgjithshëm të shtetit, luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit dhe sundimit të rendit dhe të ligjit. Dhe besoj se një marrëveshje e tillë ka krijuar një stabilitet në mes të partive politike dhe shteteve mike të Republikës së Kosovës. Kjo do të vazhdojë në drejtim të procesit të ndryshimit të kushtetutshmërisë që do të mundësojë zgjedhjen e Presidentit të vendit nga vota e drejtpërdrejtë e popullit, si fillim, dhe e dyta, ndryshimin e sistemit zgjedhor që do të mundësojë që të kemi zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare. Dhe në qoftë se një shtet i ka këto veti dhe këto elemente, atëherë unë e shoh si një sistem demokratik të udhëheqjes së një shteti.
Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, ju jeni zgjedhur në këtë post në një periudhë kur Kosova tashmë ka filluar një proces bisedimesh me Serbinë për çështjet praktike të interesit të përbashkët. Nga rrjedha e deritashme, si i vlerësoni këto bisedime dhe çfarë prisni prej tyre?
Atifete Jahjaga: Procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është një proces që është duke u mbajtur në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së. Kosova ka pasur gjithherë një qasje jashtëzakonisht pro aktive dhe e ka ngritur edhe nivelin me një përfaqësim më të lartë të shtetit të Kosovës në këtë proces të dialogut edhe me vetë emërimin e zëvendëskryeministres së Republikës së Kosovës, zonjës Edita Tahiri, si udhëheqëse të dialogut. Ky dialog duhet të shihet si një proces normal ndërmjet dy shteteve që kanë kaluar një fazë të konfliktit dhe këta dy shtete kanë pasur të kaluarën dhe duhet të planifikojnë të ardhmen. Procesi i diskutimeve është kryesisht një proces teknik, që është duke u zhvilluar dhe se është duke u bërë në përputhje me dëshirat, vullnetin dhe interesat e qytetarëve të të dy vendeve. Zgjidhjet që do të gjenden gjatë procesit të dialogut, do të jenë zgjidhje të pranueshme, zgjidhje europiane, që do të duhej të ishin të pranueshme për qytetarët dhe institucionet e të dy vendeve, si për Republikën e Kosovës, po ashtu edhe për Republikën e Serbisë. Çdo zgjidhje që do të ishte në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, nuk do të ishte e pranueshme. Përfaqësuesja në dialog ka mandatin e plotë në kompletimin e detyrave dhe obligimeve në mbështetje me kuadrin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Sa herë flitet për bisedimet me Serbinë, veriu i vendit bëhet temë e pashmangshme. Si e shihni veriun në fund të këtyre bisedimeve?
Republika e Kosovës është një shtet i pranuar ndërkombëtarisht. Dhe të gjitha ato shtete që e kanë pranuar statusin apo pavarësinë e Kosovës, e kanë pranuar në tërësinë e saj territoriale, integritetin dhe sovranitetin e garantuar. Çështja e veriut është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës dhe çdo aranzhim apo ri aranzhim tjetër do të ishte i papranueshëm. Tani, siç e dini, kemi filluar edhe procesin e decentralizimit, ku shumë komuna të reja kanë përfituar të drejtat dhe obligimet shtesë, dhe në grupin e tyre hyjnë edhe tri komunat që janë të banuara me shumicë etnike serbe dhe kjo është një çështje e brendshme e Republikës së Kosovës, që do të zgjidhet konform ligjeve të aplikueshme dhe Kushtetutës së vendit.
Zëri i Amerikës: Por, nëse ka një përpjekje, që ka pasur dhe një synim për ndarjen tokësore të veriut?
Atifete Jahjaga: Çdo aranzhim tjetër dhe çdo iniciativë e tillë do të ishte shumë e rrezikshme dhe do të ishte, ta themi, shumë e vështirë që të menaxhohet dhe kjo do të sillte edhe probleme të tjera, duke filluar me dekada prapa, si për çështjet etnike si për çështjet territoriale të këtij vendi.