E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Referendum për vendimet e mëdha në Tiranë

Intervistoi: Alfred Peza

...Kundërshtarët tuaj ju kanë sulmuar me spote të shkurtra disasekondëshe dhe sjellin një simbolikë tjetër? Si i keni perceptuar këto spote?

Unë nuk merrem me komentin e spoteve të askujt, aq më pak të kandidatit tjetër në këtë garë. Por ajo që rrjedh nga ky mesazh është thelbi i problemit, thelbi i problemit me Tiranën, veçanërisht në katër vitet e shkuara dhe thelbi i problemit me ofertën që sot kanë qytetarët e Tiranës. Për katër vitet me radhë, që kur z.Rama është kryetar i PS-së, Bashkia e Tiranës ka pushuar se ekzistuari si një njësi shërbimi ndaj qytetarëve të Tiranës dhe është tërësisht në funksion të axhendës politike të Ramës dhe në funksion të kësaj axhende neve na është servirur gjithnjë një alibi për mungesën e përgjegjësisë dhe për ato që bashkia nuk ka bërë ose nuk ka bërë siç duhet. Edhe në këtë garë, që është një garë për të zgjedhur menaxherin, administratorin e qytetit, i cili do të administrojë me përgjegjësi të plotë punët e qytetit, hallet e qytetit, problemet të cilat akoma kryetari nuk i njeh si të tijat, në vend të ofertave, alternativave dhe një debati konstruktiv civil me kundërshtarin apo nuk do më kundërshtarin, me qytetarin, të shpalosen qasjet, zgjidhjet dhe ofertat. Jo. Në vend të saj, sërish na ofrohet gjuha e ashpër e politikës, e konfliktit politik, gjuhë e cila jo më pak se tre muaj përpara i ofroi kryeqytetit dhe banorëve të tij jo vetëm gjuhën e dhunës si alternativë, sepse përmes kësaj gjuhe dhe këtyre mesazheve dhe përpjekjes për të fshehur nën kollozë bilancin e munguar, apo të deformuar, të mosqeverisjes katërvjeçare në Tiranë, vazhdon e njëjta traditë, tradita e cila gjatë qeverisjes së katër viteve të fundit të Bashkisë së Tiranës nuk ka hapur dot asnjë rrugë të vetme, nuk është ndërtuar asnjë shkollë e re, nuk është hapur asnjë vend pune i ri. Kjo nuk është rruga. E vetmja mënyrë për të dalë nga problemet e akumuluara dhe për t’u përqasur këtyre problemeve, është duke vënë qytetarin në qendër të vëmendjes dhe se çdo përpjekje për ta politizuar këtë garë, ka në thelb dëshirën për t’i ikur bilancit të munguar.

Përkundrejt tre arritjeve që ju keni pasur në drejtimin e tre institucioneve, kritikët tuaj ju kundërvënë tri pika të dobëta, shmangien e drejtësisë në përgjegjësitë që janë ngritur për korrupsion të mundshëm në veprimtarinë e ministrisë për ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës, Pakti Detar me Greqinë dhe 21 Janari. Keni ju ndonjë koment apo diçka për t’ju thënë këtyre kritikëve në bllok për këto tri akuza?

Të tria këto çështje i njeh përsëri parimi që lufta politike ngrihet mbi interesat e qytetarit, që përmes zhurmës mendon të baltosë gjithçka... Unë besoj se qytetarët e Tiranës sikundër qytetarët e Shqipërisë, e kanë kuptuar se kjo nuk është rruga për të ecur përpara. Për të tre rastet në fjalë, qoftë për rastin e rrugës Durrës-Kukës, të kësaj vepre madhore për të cilën unë jam krenar dhe jam i priviligjuar që m’u dha rasti të jap kontributin tim, ndërtimi i rrugës dha përgjigjen e merituar sikundër edhe drejtësia shqiptare i dha përgjigjen e merituar atyre që përmes procedurave false menduan të baltosin veprën më të rëndësishme të shqiptarëve. Për paktin detar, unë e kam bërë të qartë pozicionin tim, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe unë e respektoj atë plotësisht.

Në lidhje me 21 Janarin?

Në lidhje me 21 Janarin procesi është nën hetim. Natyrisht është një ngjarje shumë tragjike, ku kanë humbur katër qytetarë dhe unë jam i bindur se një hetim i plotë i paanshëm dhe profesional, ku po ndihmojnë edhe ekspertë të shquar jashtë vendit, do të nxjerrin përgjegjësinë, por unë nuk dua të komentoj një çështje që është nën hetim.

Ku do i hapni 30 mijë vende pune?

Ai është minimumi. Unë jam konservator në qëndrimet e mia. Si pjesë e platformës sime për punësimin, kam një ndërthurje të punësimit dhe cilësisë së jetës. Këto dy platforma ndërthuren tek infrastruktura e munguar, e cila ka një impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetesës dhe cilësinë e shërbimit të Tiranës. Infrastruktura është fronti i parë dhe i drejtpërdrejtë i hapjes së vendeve të punës. Investimi më i madh në infrastrukturë do të jetë ai i Unazës së Madhe të Tiranës, projekt që ka ekzistuar, por ka mbetur peng i luftës politike. Për hir të përplasjes së axhendës politike të kandidatit tjetër, është vonuar dhe është treguar gishti, janë sharë palët, por qyteti nuk ka Unazën e madhe. Unë kam qenë ai që kam kërkuar, si ministër, ndërtimin e Unazës së Madhe. Zoti Rama është kundër Unazës së Madhe dhe ka nxjerrë njerëzit në rrugë. Jam i vendosur të nis ndërtimin e Unazës së madhe që në ditët e para të mandatit. Me qeverisjen qendrore kemi ndërtuar edhe një mirëkuptim paraprak. Vlera e përllogaritur e pjesës së parë të projektit të Tramvajit do të jetë afër 100 milionë euro. Por për gjithë çështjet e mëdha të infrastrukturës dhe për vendimet e mëdha që duhet të merren për Tiranën unë do të propozoj referndum.

Si do t’i financoni projektet tuaja?

Do ta nis nga fondet e bashkisë. Sot ajo mbledh të ardhura mbi bazën e taksave arbitrare që vendos. Nuk ka bilanc të qartë sesi shpenzohen ato dhe nën drejtimin tim do të ketë transparencë. Ne si fillim do të çlirojmë 32 milionë euro të para nga buxheti i bashkisë dhe targeti im është që bashkia të gjenerojë fonde për punë publike. Bashkia e Tiranës sot nuk merr asnjë hua, sepse nuk është fizibël dhe ne do të marrim edhe kredi. Huamarrja është mënyra me të cilën sot ndërtohet Zagrebi dhe është ndërtuar edhe Londra. Në katër vitet e ardhshme do të gjenerohen 200 milionë euro hua. Do mbështetem fuqimisht tek një partneritet luajal me fondet e qeverisë qendrore si një tjetër element i financimit. Investimet e mëdha do të kenë mbështetje të drejtpërdrejtë nga buxheti dhe unë do kërkoj e mbështes qeverinë për të paraqitur projekte. Unë do jem në aleancë me këdo që më ndihmon me projektin tim për Tiranën dhe do të mbroj qytetarët. Një tjetër element është partneriteti me sektorin privat. Bashkia mund të ndërtojë në partneritet me sektorin privat edhe parkingjet, duke hequr 120 milionë euro nga fatura e punëve publike dhe hap vende pune në sektorin privat.

Ka pasur kritika ndaj jush, se po kopjoni fushatën e zotit Rama, apo edhe se keni bërë fushatë duke dërguar deri mesazhe për ditëlindje në numrat e telefonit të qytetarëve. Ku i keni gjetur të dhënat personale të qytetarëve?

Absolutisht, të dhënat janë mbledhur nga fushata e Partisë Demokratike në kontakt me qytetarët. Kontakti zhvillohet në nivelin e kontaktit fizik dhe virtual. Faqja ime në FB ka mbi 170 mijë fansa që klikojnë. Këto informacione lëvizin shumë shpejt dhe janë mbi baza vullnetare. Në shumicën e rasteve kam marrë përgjigje nga qytetarët pas mesazheve që kanë marrë.

Ju kritikojnë se keni kopjuar idenë e Tramvajit nga zoti Rama, uljen e taksave si ai, apo xhirot me autobus nëpër Tiranë....

Së pari, nuk mund dhe nuk do doja të kopjoj një fushatë të dikujt, që adresën në internet e ka “kurrë më”. Kjo është një fushatë e bazuar mbi negativitetin, ndërsa fushata ime është e bazuar mbi shpresën për qytetarin. Akoma pa u zgjedhur unë kryetar bashkie, kandidati tjetër po merr pjesë të platformës sime dhe po i shpall si të tijat. P.sh. unë Tramvajin e premtova 10 ditë para se kandidati tjetër të niste fushatën dhe nëse ai do të ishte serioz do ta përfshinte të paktën në planin urbanistik të Tiranës. Plani i tij nuk ka Tramvaj dhe këtu mund ta kuptoni se kush ndjek kë.

Keni premtuar moratorium për ndërtimet. Sa do të zgjasë ky bllokim?

Do përdor vlerat e akumuluara ndër vite, por s’do pranoj asgjë që nuk bazohet te interesi i qytetarit. Plani urbanistik do të jetë i aprovuar dhe në fuqi brenda 12 muajve të ardhshëm. Plani im urbanistik do të respektojë pronën private, e cila sot nëpërkëmbet. Shtylla e dytë është rifitimi i hapësirave publike, pasi ky qytet po humbet çdo ditë këto hapësira. Në çdo qendër urbane do të ofrohen hapësira të gjelbra. Pika e tretë e rëndësishme është Tirana metropolitane, që bashkëpunon me të gjitha njësitë vendore rreth saj. Unë propozoj moratorium për leje të reja ndërtimi derisa të mbarojë plani urbanistik, që mund të zgjasë gjashtë apo 12 muaj, por jo më shumë se kaq.

Jeni pro apo kundër prishjes së Piramidës?

Prioritetet e mia janë ndërtimi i veprave të mëdha si Unaza, Tramvaji, shkollat etj. Parlamentin e ndjek qeverisja qendrore, unë jam ish-parlamentar dhe mendoj se ajo duhet të jetë një godinë që përfaqëson vlerat më të mira të kombit. Vendi ka nevojë për një Parlament të ri, por s’jam domosdoshmërish me idenë e prishjes.

Jeni kundër projektit të zonjës Topalli?

Jo, unë kam prioritetin tim. Qeverisja është mysafire në qytetin tonë dhe ajo është kontributore.

Po e konsideroni zonjën Topalli mysafire?

Kryetaren e Kuvendit e kam votuar si nënkryetare partie dhe Kryetare Parlamenti dy herë.

Marrëdhëniet me zonjën Topalli, si i keni?

Nuk mendoj se spekulimet dhe thashethemet duhet të bëhen pjesë e një emisioni serioz. Kam marrëdhënie të rregullta me të dhe me çdo lloj anëtari të mazhorancës.

Keni marrë zyrat jashtë selisë së PD-së. Pse kështu?

Ky është konstatim i juaji. PD-ja ka mobilizuar të gjitha ambientet, por për shkak se ka shumë angazhim, atëherë jemi të detyruar për të marrë edhe ambiente me qira. Ato ambiente i kemi marrë edhe herë të tjera dhe jam i kënaqur që shtabi im gjeti ambientet afër partisë.

Çfarë ndryshon programi juaj në krahasim me kandidatët e mëparshëm të mazhorancës në Tiranë?

Mendoj se zoti Olldashi ka bërë fushatë të shkëlqyer. Kam ndjekur edhe fushatat e mëparshme, por nuk jam në fushatë për të bërë analiza për historikun e fushatave të PD-së, por për të shprehur vizionin tim për qytetin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›