E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama është në rrugën e vetmisë

Ballshi dhe Patosi ishte ndalesat e radhës së Kryeministrit Sali Berisha në turin e tij të fushatës për zgjedhjet lokale të 8 majit. Shefi i mazhorancës prezantoi fillimisht në Patoz, Dilaver Kamberin, si kandidat për bashkinë e qytetit. Berisha e vlerësoi kandidaturën e Kamberit, si një nga njerëzit më të suksesshëm të këtij qyteti, biznesmen dhe menaxher i shkëlqyer, i cili do të vihet në shërbim të qytetarëve. Qeveria, tha Kryeministri Berisha, do të bëjë gjithçka që me z.Kamberi, në katër vitet që vijnë, të shndërrojmë Patosin në një qytet të zhvilluar, në një epiqendër të fuqishme të prodhimit të shërbimeve më të mira. “Zotimi ynë për ju është Patozi 24 orë ujë në të gjithë territorin e tij, po ndërtojmë kolektorin e ujërave të zeza, si dhe të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit. Do të rindërtojmë stadiumin e qytetit në mënyrë që aktivitetet sportive të njohin nivele të reja zhvillimi. Në qytet do të krijojmë parkun industrial, në mënyrë që investimet e vendit dhe të huajat, gjatë katër viteve që vijnë, të shumëfishohen dhe të shndërrohet ky park në një gjenerator të fuqishëm të punësimit të qytetarëve të Patosit”, u shpreh Kryeministri. Në vlerësimin e tij përballë mazhorancës, qëndron alternativa e rrugës së vetme. “Por çfarë është kjo alternativë në rrafshin ideologjik. Është rruga e së shkuarës sonë të zezë, kurse në rrafshin social dhe politik të sotëm, cila është kjo rrugë, të dashur miq në këtë takim? Është rruga e mohimit të arritjeve tuaja, rrugë e cila do tu mohojë të përçmojë, të poshtërojë, çdo arritje të madhe të jetës suaj”, u shpreh Berisha. Sipas kësaj rruge, shtoi ai, Shqipëria nuk është një vend i lirë, një anëtare e NATO-s, por ka një qeveri fashiste dhe këto deklarata nuk vijnë më nga honet e historisë, nga Ramiz Alia apo bashkëpunëtorët e tij, por nga kryetari i Partisë Socialiste nga tribuna në tribunë. “Jo ore zotëri vetmitar, apo udhëtar i rrugës së vetme. Ekonomia shqiptare është e faktuar sot nga Banka Botërore, Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, si ekonomia më dinamike, më entuziaste me vibrante në Europë”, u shpreh Berisha. Në vijim të prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, për zgjedhjet vendore të 8 majit, Berisha ishte edhe në Ballsh dhe në tubimin me qytetarë të këtij qyteti prezantoi zonjën Dallëndyshe Allkaj si kandidate për kryetare të Bashkisë Ballsh. Ju garantoj se në këtë qytet, tha Berisha, ne do të financojmë çdo projekt, por dua, gjithashtu, të garantoj kryetarët e komunave të Mallakastrës se katër vitet që vijnë, ne do të financojmë çdo projekt të tyre. “Alternativën e rrugës së vetmisë, le t’ia lëmë shokut Edi Rama. Ec, vazhdo zoti Rama se në datën 9 maj do të arrish te banesa e vetmisë. Rruga e vetme të çon vetëm në banesën e vetmisë dhe ajo është rrugë pa kthim. Ne kemi përpara një fillim të ri. Ti ke përpara një fund të ri dhe plotësisht të merituar”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›