E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shkodranët janë të tradhtuar nga Saliu dhe Jozefina

SHKRUAN: Diana Kolaj 21-04-2011 12:02

Partia Socialiste e ka hapur fushatën elektorale në qytetin e Shkodrës, ku në prani dhe të kryetarit Edi Rama janë prezantuar kandidatët e kësaj force politike për të gjithë qarkun. Para Ramës kanë folur Nard Ndoka i PDK-së dhe Petro Koçi i PSv91, të cilët kanë kërkuar votën e shkodranëve për kandidatin e opozitës. Sakaq, Genci Uruçi u është drejtuar banorëve të qytetit verior, duke u kërkuar t’i japin mandatin për të qeverisur në katër vitet e ardhshme. Uruçi vuri theksin te papunësia, korrupsioni, investimet, sipas tij, të dështuara, taksat selektive dhe mungesën e transparencës për aktivitetin e bashkisë. Në fjalën e tij, kryetari i opozitës Edi Rama ka theksuar se më 8 maj duhet patjetër që vullneti i popullit të rimarrë me fuqinë e votës që ajo ka në demokraci, fatet e tij për ta nxjerrë Shqipërinë nga kurthi i padrejtësisë, papunësisë e pasigurisë. “Aleanca jonë me qytetarin ka në bazë atë që çdo gjë është e realizueshme, çdo problem është i zgjidhshëm, po të jemi të gjithë bashkë. T’i japim liri çdo ëndrre, e fuqi çdo shprese. Duhet të kapet për fyti diktatura e kusarisë dhe oborrit të matrapazëve që flet për ju dhe mendon për veten. Ju ftoj të çlirojmë të gjithë forcën magjike të demokracisë, që është vota dhe t’i japim jetë një aksioni të madh politik për demaskimin e kësaj qeverie, dhe për të krijuar një klimë të tillë, ku qytetari të mos ketë frikë”, nënvizoi Rama. Në vlerësimin e tij, është koha e shkrirjes së kufijve mes qytetit e fshatit, që pa dallim të kemi një zhvillim të qëndrueshëm për këdo e kudo që jeton. “Saliu flet për një mrekulli ekonomike, që në fakt gjendet vetëm brenda oborrit të tij dhe të pushtetit të klientëve e shërbëtorëve të tij, ndërsa të papunët nuk kanë me çfarë të jetojnë. Janë 1 milion të papunë, një akuzë që e bën të domosdoshme largimin e Saliut. Rruga e Saliut dhe Jozefinës nuk ka të ardhme për qytetarët, pasi ajo është një korsi interesash për ato vetë dhe pushtetin e tyre, që nuk ka as respektin minimal për qytetarët, as model zhvillimi për vendin”, u shpreh Rama. Jemi këtu, vijoi ai, për tu thënë shkodranëve e shqiptarëve se ne socialistët, papunësinë do ta luftojmë si armik dhe do mundet si armik. Besimi i pakursyer i shkodranëve te Saliu, Jozefina dhe PD-ja, theksoi Rama, ka qenë një investim shpirtëror, moral e politik e më pak i respektuar, gjithnjë e më pak i respektuar, nga ato që nga lartësitë e kullës së pushtetit i tregojnë shkodranëve broçkulla e përralla, ndërsa Shkodrën e mbytin e përmbytin. “Kjo braktisje e patolerueshme vjen si rezultat i asaj që ato thonë se Shkodrën e kanë në xhep, se çdo herë Shkodra voton për to”, tha kreu socialist. Rama u ka kërkuar votën shkodranëve për kandidatët e PS që, sipas tij, janë alternativë më e garantuar dhe më e mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›