E Shtunë, 31 Tetor 2026

71-vjetori, gëzuar ditëlindjen, Çelentano!



Adriano Çelentano, i preferuari i brezit të viteve '60, ka mbushur 71 vjeç, ndonëse mosha duket se nuk i njeh vitet për njeriun aspak “të bukur”, por shumë simpatik, të paarritshmin dhe që qëndron mbi të gjithë të tjerët. Këngëtari, i cili në moshën 23-vjeçare arriti suksesin e parë me këngën “24 mijë të puthura”, kënduar në Festivalin e Sanremos, sot me mbi 2500 këngë, është shembulli tipik i artistit, i cili pasqyron deri në përsosmëri karakterin e artistit të thjeshtë, por të aftë të komunikojë pa përdorur artifice. Çelentano lindi në një familje milaneze më 6 janar të vitit 1938. E lindi Giuditta, nëna që e bëri fëmijë të pavdekshëm. Qëkur ishte i vogël ajo i thoshte: “Kur të rritesh ti, do të bëhesh këngëtar ose berber”. Falë vokalit të tij, Çelentano u bë këngëtar, duke e mbështetur ritmin e tij në ritmin e këngës tradicionale italiane. I padiskutueshëm ishte suksesi i tij në Festivalin e Sanremos në vitin 1961, me këngën “24 mijë të puthura”, që u përsërit edhe në vite me këngë të tjera, ku veç motivit të dashurisë, trajtohen edhe probleme të mprehta të realitetit italian. Për këngën “Kush nuk punon, nuk bën dashuri” e viteve '70, shkroi atëherë edhe shtypi shqiptar, i kuadratizuar nga ideologjia komuniste. Por, ndërsa kënga pati jehonë jo vetëm për tingullin, por edhe për fjalët e saj, gazeta “Drita” e asaj kohe e cilësonte Çelentanon si “grevëthyes”, kur rinia shqiptare e këndonte atë ilegalisht, ndërsa sot vazhdon ta ketë ndër këngët e preferuara. Çelentano tërhoqi vëmendjen edhe të producentëve të filmave, duke interpretuar nga “Emigranti”, “Zonja e Bujtinës”, e deri te “Yuppi du”, ku është edhe regjisor, e që në Festivalin e Kanës zuri vendin e dytë. Edhe tani ai vazhdon të jetë në kulmin e veprimtarisë së tij artistike. Në Shqipëri, pas viteve ’90, u krijua shoqata “Miqtë e Çelentanos” nga një grup fansash të Çelentanos në vend. Aktiviteti i saj nuk është kufizuar vetën në ceremonitë modeste me rastin e përvjetorëve të artistit me famë. Marsi i vitit 2000 mblodhi me iniciativën e kësaj shoqate artistët më të njohur të skenës shqiptare, të cilët interpretuan këngë nga repertori i këngëtarit të famshëm. Më pas, me iniciativën e kësaj shoqate, u botua libri “Parajsa është një kalë i bardhë, që nuk djersit kurrë” dhe më pas libri “Çelentano, artisti i shekullit”, një libër që i kushtohet këngëtarit të shquar, i cili qe ndër të parët që imitoi këngëtarët amerikanë, por që suksesin e tij të plotë e arriti me këngët e muzikës italiane në vitet '60.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›