E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bençivenga: "Tirana, së shpejti në krye"



Në stërvitjen e parë bardheblu ka nisur punën dhe zëvendëstrajneri italian, Mauro Bençivenga, i cili do të jetë përkrah Agustin Kolës në pjesën e dytë të kampionatit. Ish-zëvendësi i bashkëkombësit të tij, Leonardo Menekini, në sezonin 2005-2006, ndihet i kënaqur me këtë rikthim të tij pas më shumë se dy vjetësh. “Jam shumë i kënaqur për rikthimin te Tirana. E pranova me kënaqësi detyrën që më ofruan drejtuesit e klubit. Tirana është një skuadër e madhe dhe me shumë kualitete në përbërjen e saj. Megjithëse e ka humbur vendin e parë, mendoj se me durim dhe me kulturë të lartë pune do të rikthehet në krye”, - u shpreh ndihmësi i Agustin Kolës.

Patushi e Rudho, stërvitje me Tiranën

Në seancën e parë stërvitore në radhët e bardhebluve janë vënë re dy blerjet e para, Sajmir Patushi dhe lojtari i Kievos, Xhuliano Rrudho. Për Patushin ambienti bardheblu është mjaft i njohur, pasi për shumë sezone ai ka qenë një nga liderët e mesfushës së Tiranës dhe fitues i disa kampionateve në radhët e saj. Për lushnjarin Rrudho kjo është aventura e dytë në kampionatin shqiptar, pas asaj të dështuar me Partizanin, ku futbollisti nuk luajti asnjë minutë në Superligë.

Dede firmos “çekun” te Elbasani

Nevil Dede firmosi dje zyrtarisht kontratën me Elbasanin. Ish-mbrojtësi i Tiranës, i cili përjetoi edhe një eksperiencë në Kinë, ka qenë më parë kapiten i verdhebluve, me të cilët fitoi edhe titullin kampion në sezonin 2005-2006. Elbasani do të largojë Shetën dhe venezualianin Horge Kazanova.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›